E Shtunë, 31 Tetor 2026

3 regjisorë shqiptarë, në ekranin e kinemasë greke

Ga, Eden i braktisur dhe Nusja më e mirë, tre filma shqiptarë në Greqi

Kinemaja shqiptare do të ketë dhe ditët e saj në Greqi, ku do të prezantohen disa nga prodhimet më të mira kinematografike që janë realizuar gjatë këtyre viteve. Kështu do të jenë regjisorë të njohur shqiptarë si Eno Milkani,Bujar Alimani etj, filmat e të cilëve do të shfaqen në kinematë greke. Vetëm para disa kohësh bashkëpunimi që ndodhi në Tiranë në muajin nëntor të vitit të kaluar, duket se ende po vazhdon me sukses mes kinemasë shqiptare dhe asaj greke.

Kinematografia shqiptare dhe regjisorët shqiptarë në kinemanë greke, ky është titulli i mbrëmjes përkushtuese kinematografike me tre filma të shkurtër të kineastëve shqiptarë, Bujar Alimani, Eno Milkani dhe Neritan Zinxhiria, të cilët përfaqësohen në këtë aktivitet përkatësisht me filmat e tyre Ga, Eden i braktisur dhe Nusja më e mirë. Ky aktivitet do të organizohet në ishullin grek Syros me nismën e Bashkisë dhe Prefekturës së Qytetit si dhe Shkollës Varvakion, me tre filma të përzgjedhur të krijuesve të rinj shqiptarë që jetojnë përkatësisht në Athinë dhe Tiranë. Dy regjisorët shqiptarë të njohur tashmë për suksesin e tyre Bujar Alimani dhe Neritan Zinxhiria jetojnë dhe kanë vite që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në Greqi, ndërsa Eno Milkani, i njohur edhe si bashkëregjisor i filmit Trishtimi i zonjës Shnajder aktivitetin e tij e zhvillon në Tiranë. Regjisori Eno Milkani tashmë njihet dhe për prodhime kinematografike, të cilat janë prezantuar suksesshëm në kinema. Ai me krijimtarinë e tij regjisoriale ka arritur që të krijojë prodhime kinematografike, të cilat janë vlerësuar për atë që ai ka sjellë tek publiku. E ndërkohë emri i tij duke iu bashkangjitur dhe dy emrave të tjerë të njohur të kinemasë, sjell larmi me tematika të ndryshme. Në Qendrën Kulturore të Bashkisë, gjithashtu do të paraqiten edhe disa libra shqiptarë,  të përkthyer në gjuhën greke midis të cilëve libra nga shkrimtari Ismail Kadare, Fatos Kongoli dhe Besnik Mustafaj. Është një gjë shumë e mirë që do të shfaqen filmat shqiptarë në Athinë. Sa më shumë filma të shfaqen aq më mirë është dhe për kulturën shqiptare, u shpreh regjisori Eno Milkani. Ndërsa Tan Maku i njohur si producent i shumë filmave tregon se kjo është diçka shumë e rëndësishme për kinemanë shqiptare. Në këtë mbrëmje kushtuar kineastëve shqiptarë gjatë projeksioneve të filmave priten të jenë të pranishëm regjisorët Bujar Alimani dhe Neritan Zinxhirja, ku filmat do të pasohen nga një referencë kritike prej kritikëve të filmit grek. E ndërkohë që regjisori Eno Milkani para disa kohësh solli një prodhim kinematografik të suksesshëm, Shenjtorja. Sa i takon filmit Shenjtorja, vjen një histori dashurisë e dy të rinjve, e cila është në qendër të vëmendjes. Një djalë rebel por me botë shumë të madhe shpirtërore dhe një vajzë e ndrojtur, e mbyllur në vetvete që gjejnë te njëri-tjetri ato që ju mungojnë. Mirëpo sistemi bën që dy të rinjtë të mos e kurorëzojnë dot dashurinë e tyre. Djali kishte një biografi të keqe dhe familja e vajzës e refuzon. Kjo është një dashuri e pamundur dhe vjen një ndarje, për të pasur sërish një ritakim pas vitesh, kur gjërat kanë ndryshuar... Ajo që është kryesorja që del te mesazhi është se vërtet këta të rinj humbën dashurinë, por fituan miqësinë. Mesazhi universal është ai i humanizmit. Pavarësisht nëse personazhi mund të jetë lypësi, pastruesja, polici, të gjithë nga brenda tyre janë njerëz dhe si të tillë shfaqen të gjithë personazhet e Dorit. Njeriu nuk duhet paragjykuar nga profesioni që bën por për atë çka në të vërtetë ai është, ka pohuar regjisori Eno Milkani. Ndërsa regjisori Bujra Alimani njihet dhe për suksesin e tij në filmin Busulla. Filmi Busulla i regjisorit Bujar Alimanit shpreh në nuancat filmike në gjuhën e saj ngjarje të vërteta të jetës familjare të malësoreve në një fshat verior të Shqipërisë. Flitet për gjakderdhje për vedeten që akoma vazhdon edhe pse kemi kaluar në një sistem demokratik. Ngjarjet e filmit janë reale, vajza 17-të vjeçare Mira lufton me jetën me vështirësitë është e mbyllur nën presionin e kanunit ,varfërisë e gjakderdhjes. E ndërkohë që ky film është vlerësuar dhe në festivale ndërkombëtare. Kështu një tjetër çmim erdhi për "Busullën" e Bujar Alimanit. Historia e Mirës, vajzës veriore që shet qumësht për të mbajtur gjallë familjen e ngujuar nga gjakmarrja, vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut të huaj. Këtë herë është Festivali Ndërkombëtar i Filmit me metrazh të shkurtër në Sienë, një nga filmat më të rëndësishëm të këtij lloji, që i shton CV-së së "Busullës" një trofe tjetër. E ndërkohë që vetëm pak kohë më parë, filmi "Busulla" fitoi një tjetër çmim në një festival ndërkombëtar. Sa i takon kinematografisë, janë shumë aktorë dhe regjisorë të tjerë të talentuar, të cilët e zhvillojnë aktivitetin e tyre në Greqi, duke u prezantuar denjësisht me vlera artistike.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›