E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në 2006-ën u hetua për trafik organesh

Pas denoncimit të Zyra Agos për heqjen e veshkës pa dijeninë e saj, Prokuroria e Tiranës filloi hetimet rreth punës së urologut Kastriot Dautaj. Nuk përjashtohet rifillimi i hetimeve për trafik organesh, me qëllim transplantimin

TIRANË - Kirurgu urolog, Kastriot Dautaj, i arrestuar dy ditë më parë me akuzën e korrupsionit pasiv, nuk e ka për herë të parë përballjen me hetimet intensive. Ai është hetuar për gati një vit nga Prokuroria e Tiranës, pas denoncimit të një qytetareje nga Laçi, e cila pretendonte se profesor Dautaj i ka hequr pa dijeninë e saj veshkën. Kallëzimi ndaj mjekut Kastriot Dautajt vuri në lëvizje Prokurorinë e Tiranës, e cila regjistroi një kallëzim penal me bazë ligjore nenin 89/a, i cili parashikon rastet e heqjes apo implantimit të organeve në mënyrë të paligjshme. Të interesuar në prokurori rreth kësaj çështjeje, që është hetuar thuajse për gjatë vitit 2006, burime zyrtare thanë se nuk u provua asnjëherë fakti se kirurgu urolog Kastriot Dautaj t’i ketë hequr pa dijeni veshkën pacientes Zyra Ago. Por, megjithëse çështja është pushuar, prokuroria nuk përjashton mundësinë e rihapjes së saj, për të rihetuar edhe një herë rreth dyshimeve për një trafik të mundshëm organesh.

Denoncimi

Pasi mëson të vërtetën e tmerrshme, se gjatë një operacioni për heqjen e gurëve në veshka mjeku pa dashur i kishte hequr veshkën, Zyra Ago vendosi t’i drejtohet organit të prokurorisë, ku bën dhe kallëzimin penal ndaj kirurgut urolog Kastriot Dautaj. Në kallëzimin e saj, Zyraja ngre pretendimin, se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale mjeku i ka hequr pa dijeninë e saj veshkën, ndërkohë që ajo duhet të operohej nga gurët në veshka. Këtë të vërtetë të frikshme pacientja e ka mësuar vetëm në fund të vitit 2005, edhe pse operacioni ishte kryer të paktën tre vjet më parë. Përballë një situate të tillë, Zyra Ago, në atë kohë 50 vjeçe, u kërkon organeve hetimore zbardhjen e plotë të ngjarjes. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës thanë se gjatë asaj kohe denoncuesja është pyetur disa herë nga hetuesit e çështjes dhe po gjatë kësaj kohe ajo i ka qëndruar pretendimit, se kirurgu Dautaj i ka hequr pa dijeninë e saj veshkën që nuk kishte asnjë problem.

Hetimi

Prokuroria thotë se menjëherë pas nisjes së hetimeve, kirurgu Kastriot Dautaj është thirrur disa herë në organin e akuzës, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet. Mjeku ka mbajtur qëndrim mohues ndaj pretendimit të ish-pacientes së tij, duke pretenduar se operacioni është zhvilluar kundrejt nevojave dhe gjendjes shëndetësore që paraqiti Zyra Ago. Nga ana tjetër, organi i akuzës zhvilloi hetime për çdo lidhje të mundshme të mjekut me klinika të tjera brenda apo jashtë vendit, por në përfundim rezultoi se pretendimet e kallëzueses nuk qëndronin, kështu që çështja u pushua. Tashmë që 66-vjeçari ndodhet në qeli për akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, organi i akuzës nuk mohon faktin se dosja me objekt hetimi “trafikun e organeve” mund të rihapet sërish. Burime pranë prokurorisë thanë se objekti për të cilin po hetohet kirurgu urolog, është marrja e ryshfetit nga familjarët e pacientëve të operuar prej tij, ku deri tani mësohet se janë provuar të paktën 6 raste të tilla.

Shtohen dhe 4 denoncime për korrupsion

Menjëherë pas arrestimit të mjekut të njohur, pacientët dhe familjarët që i kanë dhënë para për operacione nuk kanë vonuar të denoncojnë në polici dhe prokurori. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës thanë se deri mesditën e djeshme kanë marrë të paktën katër denoncime nga persona të ndryshëm, të cilët pretendojnë se mjeku Kastriot Dautaj u ka kërkuar para në këmbim të operacionit. Këto kallëzime së bashku me rastet e evidentuara nga prokuroria, rëndojnë së tepërmi pozitën e 66-vjeçarit, i cili nga puna që kryente kishte arritur të kursente shumën e 634 mijë dollarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›