E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Do rishikojmë koalicionin me PD-në

Share

Të zhgënjyer edhe nga aleati i tyre PD, që as nuk e shqyrtoi kërkesën për rishikim të sistemit zgjedhor, republikanët do të rishohin koalicionin. Pavarësisht se proporcionali rajonal, që u la në fuqi edhe me ligjin e ri zgjedhor, favorizon koalicionet me partitë e mëdha, kreu i republikanëve, Fatmir Mediu deklaron prerë se nuk ka një bashkëpunim apriori me demokratët.

Do të shikojmë çdo lloj mënyre që ka të bëjë me jetën dhe rezultatin e Partisë Republikane, pastaj të tjerat janë krejt sekondare, deklaroi Mediu për “AS”.

Ai thotë se janë mundësitë për rishikimin e sistemit edhe në shtator nëse ekziston vullneti. Duke analizuar dëmin që i ka shkaktuar skenën politike dhe shoqërore, kjo formulë e mandateve e miratuar nga dy partitë e mëdha, Mediu vë theksin te domosdoshmëria urgjente e ndryshimit të saj.

Gjithmonë kur ka vullnet, ka shanse. Por unë shoh një mungesë të vullnetit. Për sa kohë sa kishte mungesë të vullnetit për të shqyrtuar kërkesat e partive, qoftë dhe nga pikëpamja formale edhe sikur ti hidhnin poshtë, unë nuk besoj se do të ketë një vullnet në të ardhmen për të analizuar drejt këtë fenomen. Ne duhet të vazhdojmë përpjekjet tona brenda Parlamentit, së bashku me partitë e tjera për të arritur se sa mund të ndikojnë në këtë proces. Ky monopol në jetën politike shqiptare, unë gjykoj se nuk vjen nga mbështetja e shqiptarëve, por vjen nga një legjislacion i tillë, vjen për shkak të një mbështetje financiare që shkon në favor vetëm të partive të mëdha, një raporti mediatik tashmë të përcaktuar e të atashuar pranë partive të mëdha dhe e bën të gjithë jetën politike jo të lidhur me debatin e qenësishëm në interes të qytetarit por me debatin e individëve që sot mbizotërojnë në jetën politike të shqiptarëve, deklaroi Mediu.

Miratimi i Kodit te ri Elektoral nuk mori parasysh kërkesën e partive të vogla për një korrektim kombëtar të votave, duke minimizuar mundësitë për përfaqësim në Kuvend të partive të vogla, votat e të cilave, me formulën aktuale shkojnë për llogari të PS-së e PD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›