E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në 24 orë, pesë aksidente fatale

Policia ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar pesë aksidente me fatalitet dhe 19 të tjera, të cilat kanë përfunduar me lëndime trupore.

Pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve, që kanë ndodhur në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë dhe Prizren.

Një aksident me fatalitet ka ndodhur dje rreth orës 23:25, në rrugën magjistrale afër liqenit të Badovcit, ku një person me veturën e tij civile duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në greminë. Si pasojë e lëndimeve të rënda, vozitësi ka ndërruar jetë.

Aksidenti tjetër është regjistruar dje rreth orës 2:00, në fshatin Vlashnje të Prizrenit. Në ndeshjen në mes të një veture civile dhe të një autobusi, ka humbur jetën një femër.

Kurse në fshatin Radivojc të Gjilanit, dje rreth orës 17, një person që ngiste motoçikletën humbi jetën pas përplasjes me një veturë civile.

Aksidenti i katër ka ndodhur në fshatin Kushtovë të Mitrovicës, mbrëmë rreth orës 22:30. Me këtë rast një person ka humbur jetën pas aksidentit në mes një veture civile dhe një kamioni transportues.

Po dje një person ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nga lëndimet e rënda që kishte marrë në një aksident, më herët gjatë javës, në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit.

Policia e Kosovës, duke vërejtur këtë numër të aksidenteve brenda 24 orëve, u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët qarkullojnë në rrugë me ose pa automjete, të bëjnë kujdes dhe të tregohen të vëmendshëm në zbatimin e normave të sjelljes të sanksionuara me ligjin për sigurinë e komunikacionit rrugor.

“Moszbatimi i tyre për fat të keq po paguhet me jetë”, thekson policia.

Njësitet e trafikut dhe njësitet patrulluese të PK-së paralajmërojnë se do të ashpërsojnë masat e gjobitjes, e kjo nënkupton që nuk do të ketë kurrfarë tolerimi për kundërvajtësit të cilët nuk e respektojnë në veçanti shpejtësinë e kufizuar me shenja.

Gjatë tërë ditës së sotme dhe ditët në vijim do të ketë pika kontrolli shtesë të njësiteve të trafikut dhe të gjithë pjesëmarrësit që nuk i respektojnë dispozitat e ligjit për sigurinë e komunikacionit rrugor do të gjobiten e në raste të caktuara siç është e paraparë edhe me ligj do të merren edhe masa të tjera.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›