E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënstacion policor në fshatrat shqiptare në veri

Kërkesa për hapjen e një nënstacioni policor, nga ana e banorëve shqiptarë të fshatrave Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë, të cilat i takojnë komunës së Albanikut, më në fund është realizuar.

Banorët thonë se tashmë do të ndihen shumë më të sigurt, për shkak të pranisë së policisë në fshatrat e tyre.

Haki Imeri, përfaqësues i zyrës për komunitete në këto fshatra, thotë se kërkesa për hapjen e një nënstacioni policor në këto fshatra ishte e kamotshme."Kemi pasur disa raste kur në rrugë banorët kanë hasur mjete të kurdisura shpërthyese, prandaj kishim kërkuar hapjen e një nënstacioni policor, në mënyrë që institucionet të merren me këto probleme", është shprehur Imeri.

Sipas tij, prania e policisë në fshatra ka ndikuar pozitivisht në ngritjen e sigurisë dhe në krijimin e një klime të relaksuar.

Lidhur me gjendjen e sigurisë në këto fshatra shprehen të kënaqur edhe policët që shërbejnë në nënstacionin e hapur para disa kohësh në fshatin Bistricë. Beqir Salihu, njëri nga tre pjesëtarët e policisë që shërben në këtë nënstacion policor, thotë se bashkëpunimi me banorë është shumë i mirë.

Në anën tjetër, sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, hapja e nënstacioneve policore ka ndihmuar për rritjen e sigurisë së komuniteteve edhe në fshatin Çabër të Zubin Potokut, si dhe në Suhadoll dhe Frashër të Mitrovicës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›