Në 25 shkurt, tenderi për privatizimin e shpërndarjes
Sipas ekspertëve të qeverisë shqiptare, ekziston një mospërputhje midis vlerësimit të aseteve të patundshme, të llogaritura nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe vlerës së tyre reale. Këtë e bën të ditur agjencia italiane e lajmeve “AGI”, e cila njoftoi dje, gjithashtu se, “më 25 shkurt 2008, është parashikuar të zhvillohet procedura e tenderit për shitjen e degës së shpërndarjes së KESH-it”. Sipas njoftimit të “AGI”-t, “në këtë datë do të përcaktohet se kush do të jetë kompania e specializuar e konsulencës, e cila do të japë vlerësimet lidhur me pronat e kompanisë shtetërore të energjisë elektrike”. Ndërkohë, dy ditë më parë në një konferencë për shtyp, ministri i Financave, Ridvan Bode, hodhi “ujë të ftohtë” mbi shpresat e konsumatorvë shqiptarë ku në kuadrin e rritjes së çmimeve në treg, nuk do të ndërhyhet nga qeveria për të zbutur çmimet. Ndryshe nga ç’është vepruar në vendet fqinjë, sipas Bodes, “qeveria shqiptare, përpara se të ndërmarrë një kompensim për rritjen e çmimeve, do të presë që një gjë e tillë të verifikohet nga INSTAT-i”. Bode tha më tej se, qeveria duhet të jetë e sigurt se nuk ekzistojnë marrëveshje “horizontale” në treg, midis ndërmarrjeve të të njejtit profil në tregun vendas.
16 Shkurt 2008