E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet çmimi i energjisë, nga 1 marsi 20 për qind më shtrenjtë

Për bllokun e parë të konsumit deri në 300 kilovat/orë në muaj, çmimi nuk do të ndryshojë. Ndërsa për bllokun e dytë, mbi këtë kuotë, çmimi do të jetë 12 lekë kilovat/ora
Ervin Koçi

Ashtu siç ishte parashikuar, Enti Rregullator i Energjisë miratoi dje rritjen e çmimit të energjisë elektrike, propozim i bërë muaj më parë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, si dhe nga donatorët ndërkombëtarë. Edhe pse para disa kohësh kryeministri Berisha kishte deklaruar, gjatë një mbledhje të kabinetit të tij, se “për shqiptarët nuk do të kishte rritje të re të çmimit të energjisë”, duket se kjo gjë nuk është marrë parasysh nga ERE. Ajo çka u vu re dje në vendimin e ERE-s ishte fakti që ndryshe nga sa ishte premtuar edhe nga KESH-i dhe qeveria, niveli i parë ndarës i konsumit të energjisë nuk do të jetë 400 kilovat/orë në muaj, por vetëm 300 kilovat/orë. Kjo masë, ndryshe nga niveli i mëparshëm, pritet të prekë direkt xhepat e konsumatorëve shqiptarë, veçanërisht atyre familjarë, të cilët janë rënduar tepër nga rritja e madhe e çmimeve të kohëve të fundit. Rritja e re prek nivelin e parë ose të njohur si tavani me çmimin e pandryshuar të konsumit të energjisë, duke e bërë çmimin real të energjisë deri në 20 për qind më të shtrenjtë. Kështu, sipas Entit, “për të gjithë ata konsumatorë që do të konsumojnë energji mbi tavanin e parë prej 300 kilovat/orësh, çmimi për një kilovat/orë do të shkojë deri në 12 lekë/kilovat-ora, nga 7 lekë kilovati që është aktualisht”. E thënë ndryshe, për një familje që konsumon rreth 300 kilovat/orë energji në një muaj, fatura nga 2520 lekë do të vijë 4320 lekë në muaj, kurse për ata që konsumojnë nën 250 kilovat/orë në muaj, çmimi i energjisë mendohet se do të mbetet i pandryshuar.

Rritja

Nga data 1 mars do të hyjnë në fuqi tarifat e reja të çmimit të energjisë elektrike për periudhën 1 Mars 2008- 28 Shkurt 2009. Bordi i Komisionerëve të ERE-s, ka miratuar çmimet e reja të shitjes me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët tariforë, për këtë periudhë. Vendimi u mbështet në ligjin Nr. 9072, datë 22.05.2003 "Për sektorin e energjisë elektrike", në vendimet e Bordit të Komisionerëve për "Metodologjitë e llogaritjes të tarifave për kompaninë e gjenerimit, të llogaritjes së tarifave të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe të llogaritjes së tarifave tek klientët tariforë" të vitit 2005. ERE vendosi që: “për bllokun e parë të konsumit të energjisë, deri në 300 kËh/muaj, çmimi për konsumatorët të mbetet i pandryshuar, pra 7 lekë/kËh, ndërsa për energjinë e konsumuar mbi këtë kuotë, çmimi i ri do të jetë 12 lekë/kËh”. Bordi i Komisionerëve të ERE-së, bëri të ditur se, me vendimin e marrë për tarifat e reja të energjisë për vitin 2008, u mbështet në: aplikimin e KESH-it në datën 06.08.2007 “Për çmimet dhe tarifat e energjisë për vitin 2008”, në argumentat dhe llogaritjet e tij, në metodologjinë e caktimit të tarifave për konsumatorët fundorë, si dhe në mendimet dhe propozimet e palëve të interesuara, gjatë senacës dëgjimore të zhvilluar nga ERE në 20.11.2007. Gjithashtu, ERE është mbështetur në çmimet e importit të energjisë elektrike, por edhe në kushtet e reja hidrologjike të krijuara gjatë këtij viti. Sipas Entit, “çmimet dhe tarifat e miratuara të energjisë sigurojnë të ardhurat e nevojshme për KESH-in, për të realizuar furnizim të pandërprerë me energji elektrike për konsumatorët tarifrorë gjatë gjithë vitit”.

Çmimi për familjarët

ERE do të apikojë një sistemi tarifor me dy blloqe për shfrytëzimin sa më racional të energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë, si dhe për t’i mbrojtur ata nga çmime të parsyeshme dhe të papërballueshme. Duke marrë në konsideratë humbjet e energjisë, ERE arriti në përfundimin se konsumi mesatar mujor për një familje normale, me 4 persona, është deri në 300 kËh, duke përjashtuar ngrohjen. Kjo sasi është vlerësuar si “Blloku i I-rë” dhe çmimi do të jetë i pandryshuar, pra me 7 lekë/kËh. Konsumi mujor deri në 300 kËh arrihet nga 76 për qind e familjeve në vend. Për të dekurajuar ata konsumatorë familjarë, të cilët përdorin energjinë elektrike për ngrohje, në vend të energjive të tjera alternative, ERE ka vendosur që konsumin mujor të energjisë elektrike mbi kuotën 300 kËh/muaj, ta vlerësojë si “Blloku i dytë”, dhe ka caktuar një çmim prej 12 lekë/kËh. Gjithashtu, për të gjithë ata konsumatorë, që nuk konsumojnë energji elektrike gjatë muajit dhe fatura ka konsum "zero kËh", por duke qenë se KESH-i kryen edhe ndaj tyre të gjitha shërbimet e leximit të matësit, faturimit, shpërndarjes së faturave si dhe mirëmbajtjes e gatishmerisë së rrjetit elektrik, ERE ka vendosur aplikimin e një tarife shërbimi fikse mujore, prej 200 lekë/muaji.

Çmimi për furrat e bukës

Me qëllim vendosjen e raporteve sa më optimale midis çmimeve dhe tarifave të konsumatorëve të kategorive të ndryshme, ERE ka difrencuar çmimet dhe tarifat, sipas nivelit të tensionit, si dhe janë inkurajuar çmimet e veprimtarive prodhuese, ndaj atyre të shërbimeve tregtare, për të njëjtat nivele tensioni. Kështu, për industritë e miellit dhe bukës, çmimi është lënë i pandryshuar, pra 7 lekë/kËh në tension të mesëm dhe 7.5 lekë/kËh në tension të ulët. ERE gjykon se në kushtet aktuale, kur importet e energjise elektrike gjatë vitit 2007, për shkak të kushteve hidrologjike jashtëzakonisht të vështira, arritën një rekord historik prej 49 për qind të konsumit të përgjithshëm vjetor, me çmim mesatar importi prej 69 Euro/MËh dhe ku shpenzimet për blerje energjie kapën shifrën prej 193 milion euro, e bënë të pashmangshëm rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›