Ngjyrat e rrobave “zbulojnë” personalitetin
Disa kombinime që duhen pasur parasysh në stilimin e veshjeve. E kuqja lart krijon peshë, në pantallona është e qetë dhe spontane
Merita TOÇILA
Ngjyrat janë gjithmonë një objekt i gjerë diskutimi i stilistëve dhe i qendrave të konfeksionit. Ngjyrat e përdorura në një stilim ia rrisin ose ulin vlerat veshjes, duke e bërë të pëlqyeshme ose jo. Të vishesh me ngjyra do të thotë të vendosësh pranë me njëra-tjetrën dy ose më shumë ngjyra, të cilat duhet të japin një impresion të pastër dhe të qartë. Zgjedhja e ngjyrave, përdorimi i tyre, marrëdhënia që krijojnë midis tyre dhe me mbajtësin e veshjes, luajnë një rol të rëndësishëm në modelim. Të vendosësh për ngjyrën e pëlhurës që do të shërbejë për një veshje të caktuar, një këmishë qoftë apo edhe një palë pantallona, është njëlloj sikur të zgjedhësh paletën e ngjyrave në pikturë. Ngjyra që mund të jenë të ngrohta a të ftohta, të qarta apo të mbyllura; e verdha dhe portokallia që të kujtojnë ngjyrën e diellit dhe fuqinë e tij, dritën, nxehtësinë; e gjelbër e hapur apo e gjelbër e mbyllur që të kujtojnë bimët ose pyllin; kobalti dhe e kaltra e hapur që të kujtojnë detin dhe qiellin, hapësirat e pafund që shoqërojnë ndjenjën e lirisë dhe të lehtësimit; bluja e errët që të kujton qiellin me yje të një nate pranvere dhe të duket sikur është me ty, brenda teje dhe këndon në shpirtin tënd. Një ngjyrë nuk është kurrë e vetme, e shohim gjithmonë pranë një tjetre, apo e krahasojmë me një tjetër. Blu me të kuqe, e verdhë me të gjelbër, portokalli me violet etj. Në ngjyrë ndikon dhe mënyra e përdorimit të tyre. Një ngjyrë (blu) që është në fund apo pantallona është më e rëndë, më e plotë sesa kur kjo ngjyrë përdoret në bluzë. E verdha, nëse është në pantallona apo fund dhe pjesa tjetër lart është më e mbyllur, duket sikur e verdha është izoluar, kurse në bluzë ajo duket e lehtë, gati ajrore. E kuqja lart krijon një peshë më të madhe, kurse në pantallona është e qetë dhe spontane. Mbi bazë të këtyre vërejtjeve mund të shihni efektet që kanë këto mënyra përdorimi mbi morfologjitë e ndryshme të trupit. Ekziston edhe drejtimi i ngjyrave: ngjyrat në vijat vertikale, horizontale, diagonale, apo rrethore ose kombinimi i tyre. Çdonjëra prej tyre ka një efekt. Horizontale është e rëndë, jep gjerësi. Vertikale është e lehtë, e mprehtë, e hollë. Kur gjenden të dyja krijojnë një fortësi. Vijat diagonale japin idenë e lëvizjes dhe të zgjatjes së formës. Dikur ngjyrat kanë qenë privilegj vetëm i klasave të ngritura shoqërore, kjo filloi të ndryshojë vetëm në periudhën e Rilindjes, kur me anën e një dekreti iu lejua dhe shtresave të varfra të vishnin rroba me ngjyra. Në Egjiptin e lashtë, Greqinë apo Romën e vjetër, vetëm një aristokrat kishte të drejtën të vishte blu, të gjelbër dhe gratë e fisnikëve violetin, blunë, të gjelbrën. E kuqja ishte privilegj vetëm i mbretërve dhe njerëzve me shumë pushtet. Kur e bardha përdorej prej tyre në veshje do të ishte patjetër e qëndisur me ornamente që të dallohej. Rrugëve të qytetërimit të lashtë nuk ishte e vështirë të njihje një fisnik, dukej nga ngjyra. Të varfrit mbanin të bardhën, të zezën dhe ngjyrë lini. Pas Rilindjes, fisnikët, për t`u dalluar nga shtresat e varfra, filluan të mbanin rrobaqepës të zotë pranë për t`u bërë modele të reja dhe me pëlhura të shtrenjta. Deri në fund të viteve `800 njerëzit e rëndësishëm mbanin veshje me të gjitha ngjyrat, ku çdo pjesë e veshjes ishte më e ngjyrosur sesa një tablo e piktorëve impresionistë. Më vonë, pas Revolucionit Francez, edhe veshjet e borgjezisë ndryshuan plotësisht. Sot një veshje e mirë dallohet nga cilësia e pëlhurës dhe mënyra e qepjes. Ngjyra është një problem i tejkaluar. Megjithatë, njerëzit “seri” mbajnë e shumta dy ngjyra të kombinuara me njëra-tjetrën (këmishë e bardhë me kostum gri, blu ose të zi). Nga kjo dukuri nuk jemi të përjashtuar dhe ne, sidomos para viteve `90, ku veshjet që përdoreshin më tepër ishin kostumet e zinj, gri, kafe dhe këmisha e bardhë; ngjyrat përdoreshin diçka në zonat rurale; edhe prerjet ishin standarde, të ngrira dhe shumë formale, ndërkohë që kjo ishte në kontradiktë me karakterin e kostumeve tona popullore plot dritë, ngjyrë dhe motive të mrekullueshme; stononte me pozitën gjeografike ku ndodhemi, pranë Mesdheut dhe me shumë ditë me diell gjatë vitit. Ngjyrat janë si stinët. Ne jetojmë stinë të ndryshme në çdo ngjyrë që mbajmë veshur. Do të ishte shumë bukur sikur çdo ditë e juaja t`i kushtohej një ngjyre të veçantë, do ndiheshit shumë në formë dhe me alegri. Dikur ka patur disa standarde që emërtohen klasike, për mënyrën se si mund ta kombinosh veshjen. Sot standardizime të tilla kanë ndryshuar. Jemi në kohën kur edhe rregullat e ngjyrave mund të thyhen. Veshja është si një pikturë që shihet gjithmonë. Dhe kur ajo nuk është e bukur të shqetëson, kërkon ta heqësh sepse syri juaj nuk kënaqet. Ruani një ekuilibër midis ngjyrave gjithmonë sipas shijeve tuaja, sepse ajo manifeston pa fjalë personalitetin tuaj. Ngjyra e veshjes dhe modeli përcjellin një mesazh tek bashkëbiseduesi juaj edhe nëse ai nuk është njohës i mirë i kësaj gjuhe, ndodh pavetëdijshëm, sepse ngjyra krahas gjuhës së saj fizike ka edhe atë shpirtërore. Kini kurajën të provoni! Natyrisht, këto janë disa përcaktime për t`ju orientuar, por në asnjë mënyrë të krijoni varësi prej tyre. Ju duhet t`i studioni vetë ngjyrat dhe të gjeni përshtatjen me shijet tuaja.
15 Shkurt 2008