Në 8 maj qytetarët e Durrësit do ndahen me votë nga betoni i Vangjush Dakos
Intervista/Flet për gazetën “55” kandidati i “Aleancës për Qytetarin” në Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj Ferdinand Xhaferaj shpall vizionin e qeverisjes dhe administrimit të qytetit tëDurrësit, duke filluar nga dita e ndryshimit të madh, 8 maj 2011.
Kandidati i Partisë Demokratike dhe i mbështetur nga koalicioni i madh “Aleanca për Qytetarin”, gjatë takimeve të zhvilluara me qytetarë të 18 lagjeve të Durrësit është njohur nga afër me problematikën e tyre, çka ka ndihmuar në përcaktimin e platformës dhe përqasjen e saj sa më shumë te interesat e qytetit dhe qytetarit. Në një intervistë për gazetën “55”, Xhaferaj shpalos programin e tij për kthimin e Durrësit në kryeqendrën e zhvillimit ekonomik, përmes tre drejtimeve kryesore si, turizmi, transporti dhe tregtia. Zhvillimi i biznesit, punësimi dhe infrastruktura mbeten sfidat e ardhshme të administrimit të bashkisë së Durrësit nga kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Ferdinand Xhaferaj. Hapja e kampusit të ri universitar, në zonën e Spitallës, ku do të përqendrohen afro 10 mijë studentë, do të jetë një front i rwndwsishwm punësimi sepse zona atje do të kërkojë një infrastrukturë të gjerë shërbimesh. Parku Industrial dhe Parku Energjetik në zonën e Porto Romanos janë një tjetër mundësi punësimi. Njëkohësisht që Durrësi zhvillohet në tërësinë e shtrirjes së tij do të krijojë rritje ekonomike dhe vende pune. Po ashtu edhe ndërtimi i Unazës së Madhe krahas rregullimit të trafikut, do të jetë edhe gjenerator punësimi. Sipas Xhaferajt, alternativa e tij ofron një qeverisje më të mirë se sa alternativa e “rrugës së betonit” që përfaqëson rivali i tij, Vangjush Dako. Cila është platforma e kandidatit Ferdinand Xhaferaj për Bashkinë e Durrësit dhe qeverisjen e saj vendore? Gjatë ditëve të para të fushatës unë jam takuar me qindra e qindra banorë në të 18 lagjet e qytetit, prej nga ku kam prekur nga afër problematikën që më ka ndihmuar të përcaktoj edhe platformën. Mandati ka prioritetet e veta, të cilat janë: përcaktimi i strategjisë së zhvillimit të qytetit; punësimi; dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve. Këto do të përbëjnë edhe platformën për qeverisjen e Durrësit, që do të jetë një qeverisje shumë më e mirë se sa alternativa e “rrugës së betonit” të z. Dako. Vizioni i mazhorancës qeverisëse është konsolidimi i një qeverisje nga qytetarët, për qytetarët, dhe me qytetarët. Pikërisht për këtë qytetarët janë të parët. Dhe, përmes zgjedhjeve të 8 majit, ne do ta implementojmë këtë vizion edhe në nivelin vendor. Kryetari i Bashkisë është kryeadministratori dhe kryeshërbëtori i qytetit dhe këtë e them sepse, para së gjithash, qytetarët do të jenë të parët. Unë jam kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” dhe në themel të platformës sonë është qytetari. Ne do t’ia kthejmë Bashkinë qytetarëve. Në ndryshim nga katër vitet e mandatit të z. Dako, kur Bashkia, përveçse u largua nga njerëzit dhe hallet e tyre, u përdor vetëm për interesat personale të kryetarit të Bashkisë, ne do ta kthejmë Bashkinë në atë që ajo në të vërtetë duhet të jetë. Njerëzit kanë halle dhe probleme dhe Bashkia do të jetë vendi ku ata të afrohen për të gjetur zgjidhje për këto probleme.
Durrësi, një nga qytetet me histori antike dhe perspektivë turistike, në të vërtetë nuk gëzon ato vlera kulturore dhe turistike që qytetarët do të donin. Kjo edhe si rezultat i neglizhencës së pushtetit lokal gjatë mandatit që është duke përfunduar. Çfarë i premtoni qytetarëve të Durrësit në këtë drejtim? Qyteti i Durrësit, sa i përket ekonomisë, ka tre drejtime kryesore zhvillimi: turizmi, transporti, dhe tregtia. Pra, turizmi është thelbësor dhe në programin tonë do të marrë vlerat që i takojnë. Për këtë nevojitet punë dhe ne kemi projekte për ta realizuar këtë objektiv. Kryesorja është që të mos mbetemi vetëm tek turizmi i rërës dhe i diellit. Ne do të rrisim ofertën turistike të qytetit duke rivlerësuar gjithë monumentet kulturore dhe historike. Monumentet më të shquara të Durrësit mund të vizitohen brenda një itinerari prej jo më shumë se 2 kilometra nga qendra. Problemi shtrohet se sa të evidentuara janë ato. Vetëm krijimi i një Parku Arkeologjik Urban, ideja e të cilit është ofruar prej kohësh edhe nga organizmat e specializuara ndërkombëtare, mund ta bëjë tërheqëse të gjithë zonën qendrore të qytetit. Torra veneciane, Muzeu Arkeologjik, amfiteatrin antik, forumi mesjetar, muret bizantine dhe të gjitha lagjet përreth qendrës do të rivitalizohen, duke e vënë këtë pjesë të qytetit në shërbim të turistëve. Ndërtimi i rrugës së re përgjatë portit dhe ndërtimi i unazës së madhe do të bëjë që qendra e qytetit të lirohet nga trafiku dhe të jetë më mikpritëse për turistët. Këto janë projekte konkrete dhe realizimi i tyre, përveçse është një premtim, është edhe domosdoshmëri për të garantuar zhvillimin e qytetit.
Edhe pse Durrësi thith një numër të madh turistësh, ata ende përballen me infrastrukturën rrugore të shkatërruar, plazhet e ndotura, si dhe çmimet stratosferike që vijnë si rezultat i taksave shumë të larta të biznesit. Si mund të marrin zgjidhje këto probleme? Unë e përmenda që turizmi është një nga drejtimet kryesore të zhvillimit të ekonomisë së Durrësit. Dhe, patjetër që Plazhi është ndër elementët kryesorë të ofertës turistike. Programi im dhe i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” synon të ndërhyjë në Plazh për përmirësimin e kushteve dhe për të ndaluar shkatërrimin e mëtejshëm të tij. Në zonën e Plazhit, me fondin 10 milionë dollarë nga Banka Botërore, do të nisë zbatimi i një projekti shumë të rëndësishëm për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve. Kjo do ta bëjë Plazhin shumë më të pastër. Krahas ndalimit të ndërtimeve në brezin e rërës, Bashkia do të rregullojë dhe gjelbërojë çdo hapësirë të lirë urbane. Furnizimi me ujë të pijshëm do të përmirësohet në mënyrë të ndjeshme nga investimet shtesë që do të kryhen në Fushë-Kuqe. Nga ana tjetër, do të merren masa për pastrimin e Plazhit, për vendosjen e dusheve dhe banjove publike, dhe do të arrihet një raport i drejtë mes plazheve private dhe plazheve publike. Me pak fjalë, strategjia jonë për Plazhin e Durrësit ka të bëjë me administrimin shumë më të mirë të tij me qëllim që të rritet oferta e tij turistike. Nga ana tjetër, një ndihmë e madhe për turizmin do të jetë edhe ulja e taksave dhe tarifave vendore, që në fakt do të kryhet për të gjithë biznesin dhe qytetarët. Ulja e përshkallëzuar e taksave dhe tarifave deri në masën 50 përqind përgjatë katër viteve do të shoqërohet me shtimin dhe zgjerimin e biznesit, çka në fakt do të sjellë përmirësimin e nivelit të të ardhurave. Për më tepër që do të sjellë edhe uljen e nivelit të papunësisë. Për më tepër që ky veprim do të shtojë investimet private, do të rrisë fuqinë blerëse, do zhvillojë dhe rrisë ekonominë e qytetit, dhe do të përmirësojë kushtet e jetës së njerëzve. Kjo patjetër do t’i japë një shtysë edhe zhvillimit të industrisë turistike dhe përmirësimit të kushteve që u ofrohen turistëve.
Punësimi është një tjetër shqetësim jo pak i rëndësishëm për qytetarët e Durrësit. A keni ju një politike për të zbutur papunësinë? Ju e thatë drejt, punësimi është një shqetësim për banorët e qytetit tim. Dhe, punësimi do të jetë ndër prioritetet e mandatit tim. Papunësia sjell një numër problemesh sociale, që nga pasiguria për të ardhmen deri tek kriminaliteti. Ne do ta zgjidhim këtë problem përmes uljes së taksave të biznesit të vogël deri në 50 përqind, gjë që do të shtojë numrin e bizneseve dhe mundësinë e tyre për të ri-investuar dhe zgjeruar aktivitetin, rrjedhimisht edhe numrin e punëtorëve. Hapja e kampusit të ri universitar, në zonën e Spitallës, ku do të përqendrohen afro 10 mijë studentë, do të jetë një tjetër front punësimi sepse zona atje do të kërkojë një infrastrukturë të gjerë shërbimesh. Parku Industrial dhe Parku Energjetik në zonën e Porto Romanos janë një tjetër mundësi punësimi. Njëkohësisht, vizioni ynë që Durrësi të zhvillohet në tërësinë e shtrirjes së tij do të krijojë rritje ekonomike dhe vende pune. Ndërtimi i unazës së madhe, që nis nga rruga e re që do të ndërtohet përgjatë portit në drejtim të Kallmit dhe në Currila degëzohet kah Kodra e 12 Shkallëve për t’u lidhur me Rrugën “Aleksandër Goga”, dhe ndërtimi i kampusit të ri universitar në Spitallë i japin Durrësit një drejtim të ri zhvillimi, i cili nuk është më i përqendruar në një qendër, por shtrihet njëtrajtësisht në të gjithë qytetin. Kjo patjetër që do të shtojë numrin e bizneseve. Qëllimi i Bashkisë do të jetë incentivimi i zhvillimit ekonomik të qytetit dhe kjo do të sjellë uljen e papunësisë.
Z.Xhaferaj, si do të marrë zgjidhje çështja e betonizimit të qytetit? Ju e keni akuzuar kryebashkiakun në largim Vangjush Dako, i cili është edhe rivali juaj në këto zgjedhje, se ka favorizuar politika klienteliste, ka nxitur betonizimin e qytetit, duke zhdukur gjelbërimin, dhe këndet e lojërave... E kam dëgjuar shpesh këto ditë z. Dako teksa thotë se alternativa e tij është puna. Por, kam përshtypjen se ai ka punuar vetëm për vete dhe aspak për Durrësin dhe qytetarët e tij. Ai ka vënë Bashkinë në funksion të firmës së tij private të betonit. Aq shumë sa bilanci i saj është rritur nga 3 milion euro para katër vitesh në 12 milion euro sot. Kjo është skandaloze. Hapësira të tëra urbane janë shtruar me beton, gjelbërimi është zvogëluar, qendra historike e qytetit është duke u masakruar nga betoni i z. Dako. Kjo është alternativa e rivalit tim socialist, kjo është rruga e tij. Dhe, alternativa jonë nuk mund të jetë kurrsesi e tillë, sepse alternativa e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” ka në themel interesat e njerëzve. Unë do t’ia kthej Bashkinë qytetarëve dhe kjo do të jetë rruga e zgjidhjes së këtyre problemeve. Qyteti do të jetë i qytetarëve. Unë jam i sigurt se qytetarët do të ndahen nga betoni i z. Dako përmes votës së tyre më 8 maj.
Cili është mesazhi që i drejtoni qytetarëve të Durrësit, para se ata më 8 maj të shkojnë në kutitë e votimit? E theksova edhe më lart se unë jam kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” dhe në themel të platformës sonë është qytetari. Ne do t’ia kthejmë Bashkinë qytetarëve. Këtë dua t’i them bashkëqytetarëve të mi. Unë jam lindur e jam rritur në Durrës, familja ime banon në këtë qytet, vajza ime shkollohet këtu dhe e ardhmja e saj do të jetë ky qytet. Unë e dua Durrësin, ashtu siç jam i sigurt që të gjithë njerëzit e duan qytetin, dhe ne duam t’i japim Durrësit atë që meriton. Ajo çfarë unë kam vënë re gjatë takimeve me njerëzit është se ata ndjehen të pa-sigurt dhe ne do t’ua kthejmë sigurinë. Ne do të bëjmë që njerëzit të jenë të sigurt se Bashkia do të punojë për të mirën e tyre. I ftoj qytetarët të zgjedhin alternativën që i vë ata të parët, që së bashku ta bëjmë më të mirë e më të bukur qytetin tonë.
“E kam dëgjuar shpesh këto ditë z. Dako teksa thotë se alternativa e tij është puna. Por, kam përshtypjen se ai ka punuar vetëm për vete dhe aspak për Durrësin dhe qytetarët e tij. Ai ka vënë Bashkinë në funksion të firmës së tij private të betonit. Aq shumë sa bilanci i saj është rritur nga 3 milion euro para katër vitesh në 12 milion euro sot”.
“Ulja e përshkallëzuar e taksave dhe tarifave deri në masën 50 përqind përgjatë katër viteve do të shoqërohet me shtimin dhe zgjerimin e biznesit, çka në fakt do të sjellë përmirësimin e nivelit të të ardhurave. Për më tepër që do të sjellë edhe uljen e nivelit të papunësisë”.
...