Basha premton decentralizim të pushtetit drejt minibashkive dhe shpejtim të investimeve infrastrukturore
Lulzim Basha prezanton programin dhe kandidatin e njësisë nr. 10, z.Blendi Fuga. Tramvaji Kinostudio-Kombinat dhe Unaza e madhe, dy premtimet që shumë shpejt do shndërrohen në një realitet të prekshëm
Lulzim Basha ka bërë publike dje pikat kryesore të planit të ri urbanistik të Tiranës. Koeficienti i vlerësimit të pronës do të jetë më i lartë, si dhe do të krijohen më shumë hapësira publike. Në njësinë bashkiake numër 10, ku prezantoi kandidatin për kryetar të kësaj njësie, Blendi Fuga, Lulzim Basha bëri të ditur se nisja e investimet për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve do të jetë realiteti i parë i prekshëm nën drejtimin e Bashkisë, prej tij. Po kështu, Basha tha se qytetarët e Tiranës nuk do të kenë më nevojë t’i drejtohen bashkisë së madhe për të marrë leje për volume të vogla ndërtimesh, por do ta marrin atë pranë njësisë bashkiake. “Nëse jeni ngopur me politikë, nëse jeni plot me shpresë për një qytet tjetër, nëse jeni gati ta vendosim qytetin tonë të parin, qytetarët tanë të parët, atëherë unë iu them se unë jam gati. Jam në shërbimin tuaj, jam në dispozicionin tuaj dhe do të punoj me mish dhe me shpirt për t’ia arritur kësaj. Do ta nisim me investimet, me ndërhyrjet nga nënkalimet dhe parkimet nëntokësore brenda qytetit, deri në vepra të tilla të cilat sot janë po aq të pamendueshme sa Durrës-Kukës para 5 vitesh, po aq të papërfytyrueshme sa lëvizja e lirë e qytetarëve para 3 apo 4 vitesh, por që nesër do të jenë një realitet i prekshëm për qytetarët e Tiranës. Nga tramvaji Kinostudio-Kombinat, tek Unaza e madhe e cila do të qarkojë qytetin. Në planin urbanistik të Tiranës, dy do të jenë kriteret themelore, koeficienti më i lartë i mundshëm i zhvillimit të pronës private, dhe rifitimi maksimal i hapësirave publike. Çfarë kuptimi ka të vërtiteni me letra në duar, të paguani tarifa pas tarifash, kur ju pikon çatia, për të hapur një dritare të vetme, apo për një volum të vogël ndërtimi. Kjo duhet të marrë fund dhe kjo do marrë fund sepse këto kompetenca dhe shumë e shumë kompetenca të tjera, do të vijnë në nivelin më afër qytetarit tek Kryetari i Njësisë Bashkiake, dhe më pranë jush. Sot unë ju premtoi se nisja e investimit për sistemin modern të ujësjellës-kanalizimeve për qytetin e Tiranës do të jetë prioriteti numër një dhe realiteti i parë i prekshëm për ju, në drejtimin e Bashkisë nga unë”, u shpreh Lulzim Basha në një miting entuziast në njësinë numër 10 në Tiranë.
Kandidati për kryetar të bashkisë së Tiranës, garantoi se pas 9 majit, kur bashkia do të drejtohet prej tij, Tirana nuk do të ketë më vendimmarrës anonim, apo një të vetëm, por të gjithë qytetaret e Tiranës do të jenë bashkë-vendimmarrës për fatet e qytetit.