E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Apel gjyqi për ’21 Janarin’, Prokurori: Të jepen 48 vite burg ndaj 2 gardistëve

TIRANE-Startoi sot në Gjykatën e Apelit procesi gjyqësor për ngjarjet e 21 Janarit, ku Prokuroria kërkoi të prishet dënimi i Gjykatës së Tiranës dhe të dënohen me burg dy gardistët që akuzohen për vrasjen e protestuesve.

Sot është zgjedhur kryesuesi i këtij gjyqi, z.Agim Bendo, ndërsa anëtarë Ervin Sinojmeri dhe relator Ervin Metalla.

Procesi gjyqësor që konsiderohet si ‘patatja e nxehtë’ e drejtësisë shqiptare nisi me kërkesën e prokurorisë ndaj gardistëve Ndrea Prendit dhe Agim Llupos.

Prokurori Shkëlqim Hajdari kërkoi sot që të prishet vendimi i Gjykatës së Tiranës, ndërsa kërkoi të njëjtin vendim që kërkoi dhe gjyqin e mëparshëm.
“Ndrea Prendi të dënohet me 23 vite burg, Agim llupo të dënohet me 25 vite burg”, shqiptoi prokurori Hajdari.

Gjyqi për 21 Janarin cilësohet si një proces gjyqësor që ka futur në kontradiktë politikë shqiptare si dhe ka ngjallur një diskutim juridik.

Më 21 Janar, viti 2011 u vranë gjatë një proteste të së majtës atë kohë në opozitë, Hekuran Deda, Aleksa Nika, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi. 

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›