Në BE shumë ide, por pak qartësi rreth dialogut Kosovë-Serbi

Shumë paqartësi kanë mbetur rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe përgatitjet nuk kanë avancuar aq shumë saqë të pritet një nisje e shpejtë e dialogut politik për të cilin po flitet aq shumë muajve të fundit. Disa diplomatë të BE-së në Bruksel pohojnë se do të dihet më shumë pas javës që vjen kur në Bruksel në vizitën e tij të parë në cilësinë e kryeministrit të Serbisë do të qëndrojë Ivica Daçiç.
Nga ai do të kërkohet që të ndikojë që Serbia të përmbushë marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun e ndërmjetësuar nga Robert Cooper, por, sipas burimeve diplomatike evropiane, do të ketë më shumë fokus në përgatitjen e terrenit për nisjen e dialogut në nivel të lartë politik në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Siç është bërë e ditur më herët një dialog të tillë do ta ndërmjetësonte personalisht përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ndërsa Kosova dhe Serbia do të përfaqësoheshin nga krerët e qeverive. Në BE pohojnë se kanë dëgjuar për një plan, i cili po përgatitet, por ai, sipas disa burimeve “ende nuk është në formën e shkruar”. Disa burime të tjera thonë se ekzistojnë disa “ide në letër” nga disa shtete, por nuk ekziston ende një plan konkret.