Kur muzika “paguhet” me kokë

Çfarë Deja vuje e hidhur: një aheng, lëshohet muzikë, dy femra vallëzojnë. Në fshatin Zamindavar, atu ku puqen qarqet Kajaki dhe Musakala, një grup i meshkujve dhe i femrave shijojnë fundjavën e tyre.
Por befas, persona të armatosur me mjekra dhe turbanë të zi ndërhyjnë dhe i japin një fund të përgjakshëm ahengut në provincën Helmand, në perëndim të Afganistanit. Fillojnë të rrahin të pranishmit dhe dëgjohen të shtëna. Dhe pothuajse të mos mjaftonte dënimi i ekzekutimit me plumb, ata fillojnë të presin kokat e të gjithë pjesëmarrësve në aheng. Në fund, ata i lënë kufomat e gjymtuara të shtrira skaj rrugës, si një vërejtje për të tjerët.
17 të vdekur, në mesin e tyre edhe dy femra, të masakruar vetëm për shkak se kremtuan së bashku. 11 vjet pas përmbysjes së talebanëve, në shumë pjesë të Afganistanit duket se rrota po kthehet prapa: “Luftëtarët i Zotit”, si mbrojtës të vetëshpallur të moralit, vrasin dhe dënojnë njerëzit duke u bazuar në kodin e tyre islamik, i cili daton nga “koha e gurit”.
Kufomat u zbuluan të hënën dhe autoritetet fillimisht nuk kishin njohuri për motivin e kësaj masakre. Sa i përket masakrës, kishte spekulime se bëhet fjalë edhe për një akt hakmarrje kundër zyrtarëve qeveritarë, të cilët u akuzuan si spiunë. Në Helmand ka pasur ekzekutim të njerëzve, të cilëve iu janë prerë kokat, pasi që ata ishin akuzuar nga talebanët si spiunë të forcave të NATO-s dhe Ushtrisë Kombëtare të Afganistanit.
Më pas u theksuan se të vdekurit kishin mbetur të ngujuar në vijën e frontit mes dy komandantëve të rivalizuar talebanë, të cilët ishin grindur për dy femrat e pranishme aty.
“Mullah Vali Mohammad dhe Mullah Sayed Gul janë njerëzit, të cilët kontrollojnë rajonin përreth Kajakit”, deklaroi zëdhënësi i qarkut, Daud Ahmani. Vrasje për shkak të xhelozisë, por as ai nuk ka informata më të sakta.
Por pjesa më e madhe e zyrtarëve në këtë rajon janë të pajtimit se vrasja është kryer për shkak të “shkeljes së moralit”. Dhe Mullah Sharafudini, guvernatori i qarkut, është i detyruar që të pranojë para përfaqësuesve të shtypit:”Unë jam guvernator këtu, por nuk kam njohuri për detajet, ngase ky rajon është nën kontrollin e plotë të talebanëve”.
Hetimet për masakrën kanë filluar, por qeveria e provincës duhet të mbështetet në të dhënat e shërbimit të fshehtë, ngase ekipet hetuese nuk mund të dërgohen në Helmand, pasi që ky territor kontrollohet nga talebanët.
Këtu pushtetin e kanë “Luftëtarët e Zotit”, thuajse ata asnjëherë nuk janë dëbuar nga këtu. Dhe ata po përpiqen që të imponojnë sërish rregullat e tyre konservatore, në rast nevoje edhe me dhunë. Si atëbotë në vitet e 90-ta, në periudhën kur e kishin pushtetin në gjithë Afganistanin, ata po ju a ndalojnë njerëzve pothuajse çdo gjë që konsiderohet si mëkat. Meshkujt dhe femrat, që nuk janë në lidhje familjare, nuk guxojnë të qëndrojnë së bashku. Çiftët e pamartuara dënohen publikisht. Vardisja dhe shpalosja e ndjenjave konsiderohen si krime. Ahengjet, sikur ai në Zamindavar, organizohen nëpër vende të fshehta.
Në qershor, luftëtarët talebanë sulmuan një hotel luksoz në Liqenin Karga, në afërsi të kryeqytetit Kabul. Sipas dëshmitarëve okularë, ata kërkuan dorëzimin e “prostitutave dhe personave për të cilat punojnë ato”. 20 persona u vranë. Talebanët më pas theksuan se sulmi ishte një dënim për “ahengjet e egra dhe të paturpshme”, të cilat janë organizuar sipas tyre në vazhdimësi në këtë vend turistik.
Në ndalesat e reja të vjetra bëjnë pjesë edhe televizori, radio dhe muzika. Qysh në vitin 1997 talëbanët “dëbuan” muzikën nga Afganistani. Lejohej vendimi këndimi dhe dëgjimi i disa këngëve, të cilat lartësonin talebanët.
Në ndërkohë, urrejtja e talebanëve kundër muzikës është shtuar edhe më shumë, ngase si rezultat i ndikimit perëndimor, i cili në Hindukush arriti me stacionimin e forcave të huaja, në Afganistan hyri edhe muzika e huaj. Për islamistët radikal bëhet fjalë për përhapje të “vlerave jo-islamike”. Muzika, sipas tyre, është simbol i mëkatit dhe i deformimit të Perëndimit.
Dënimet për ata që shkelin “rregullat dhe parimet” janë të rënda. “Disa njerëz kishin përshtypjen se talebanët ishin moderuar, pas ndryshimeve në Afganistan”, thotë analisti politik, Vahid Mojdeh, i cili njeh talebanët që nga koha kur ishin në pushtet, ngase kishte shërbyer si diplomat në radhët e tyre. “Por në fund njerëzit konstatuan se ka ndodhur e kundërta, se talebanët janë bërë edhe më ekstremë”, shton ai.
Në të njëjtën kohë, rezistenca e forcave afgane të sigurisë kundër talebanëve po zbehet në vazhdimësi. Edhe më keq, shumë policë dhe ushtarë po i bashkohen radhëve të talebanëve, ngase janë të mendimit se ata në të ardhmen do të marrin sërish pushtetin në Afganistan. (Die Welt)