E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Bruksel “White Wedding”

Problemi, i cili ende po shqetëson vendin tonë, po vihet në pah edhe nëpërmes artit. Disa artistë e kanë shtruar këtë problem nëpërmjet artit të tyre. Me datë 17 shkurt, në ditën e përvjetorit të pavarësisë, u hap ekspozita në Prishtinë, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

Kjo ekspozitë kishte për qellim që të sensibilizojë problemin e liberalizimit të vizave dhe të vetëdijesojë publikun në Kosovë dhe institucionet e BE-së.
Procesi i liberalizimit të vizave është shtruar në forma të ndryshme në vendin tonë, mirëpo të mbledhur në një ekspozitë kolektive Adem Rusinofci (skulptor), Dafina Hajra (piktore), Lorik Sylejmani (dizajner), Majlinda Kelmendi (piktore), Arzana Kraja (regjisore), Arta Agani (dizajnere) dhe Artan Balaj (artist vizual), menduan që këtë problem ta shtrojnë dhe të ngrehin në pah nëpërmjet artit, të formave të ndryshme, dhe jo me rastësi ekspozita mban emrin “Martesa e bardhë / White Wedding”.

Pas ekspozitës në Prishtinë, ekspozita ka udhëtuar në Bruksel, dhe është hapur në një datë tjetër nga ajo që është planifikuar, ne pritëm se ekspozita të hapej me 9 maj, ndërsa morëm përgjigje se ekspozita është shtyrë për shkaqe të ndryshme në një datë tjetër.

Hapja e ekspozitës “White Wedding” në Bruksel u bë me datë 26 maj, ndërsa hapjen e ekspozitës e bëri Ambasadori i Kosovës ne Bruksel, Ilir Dugolli. “Hapja e ekspozitës, por në përgjithësi ekspozita është pritur shumë mirë, pasi që koncepti i ekspozitës nga aspekti artistik fliste për një problem politik edhe të pranishmit në hapje ishin nga instancat e larta, dhe kjo pjesë ishte e mirë, këtu ishte ideja në fakt që të ngrehim këtë problem tek kjo pjesë e shoqërisë”, tha Artan Balaj, pjesëmarrës në ekspozitë, dhe projekt menaxher i ekspozitës.

Sipas Balajt, mesazhi i ekspozitës, si në vend dhe në Bruksel është i njëjti. “Ngrehim problemin e Kosovës, që nuk është përfshirë me liberalizmin e vizave ndërsa po thuajse të gjitha vendet tjera janë të përfshira, ne në këtë formë deshëm të thoshim se edhe ne jemi pjesë e Evropës dhe duhet marrë në konsideratë ky problem”.

Balaj pohon se pas hapjes së ekspozitës, iu janë bërë ftesa për të ekspozuar edhe në vende tjera të Evropës, dhe ky fakt flet për një nismë të mirë drejt qëllimit të artistëve, ndërsa ftesa kishin edhe nga vetë galeritë private të Brukselit.

Për realizimin e kësaj ekspozite në Bruksel, ndihma erdhi nga Ministria e punëve të brendshme, Besnik Vasolli, Këshilltar i Ministrit të punëve të brendshme për liberalizim të vizave, Ambasada e Kosovës në Belgjikë, me ambasador, Ilir Dugolli dhe Galeria, apo hapësira ku u mbajt ekspozita “The Center” në Bruksel. Ekspozita qëndron ende e hapur, deri më datë 26 qershor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›