E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Bruksel mblidhet sot Këshilli i Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri

BRUKSEL - Në Bruksel mblidhet sot takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, forumi më i lartë ku përfaqësohen vendet anëtare, i cili do të diskutojë mbi ecurinë e zhvillimeve në Shqipëri.

Ky takim, ku do të marrë pjesë dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, do të drejtohet nga zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto.
Në dokumentin që përfaqëson qëndrimin e vendeve të BE-së ngrihen çështjet e dialogut politik dhe rëndësisë së vazhdimit të tij, të frymës së konsensusit në parlament, ajo e zgjedhjes së presidentit, ku theksohet rëndësia e një procesi diskutimesh dhe bashkëpunimit mes palëve, si dhe ajo që lidhet me reformat, veçanërisht reforma zgjedhore.

Takimi i sotëm paraprihet nga seanca dëgjimore dje në komisionin e jashtëm të Parlamentit Europian, ku sërish u kërkuan rezultate konkrete në realizimin e reformave në Shqipëri, por dhe në zbatimin e tyre.

Delegacioni i BE-së në këtë takim kryesohet nga Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Villy Sovndal, në emër të Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fyle dhe Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm Evropian, Fernando Xhentilini.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›