Hollande betohet si presidenti i Francës
Francë- Francois Hollande do të bëjë sot betimin zyrtar si president i Francës, para se të udhëtojë në Berlin për të disktuar mbi të ardhen e Eurozonës me kancelaren Gjermane Angela Merkel.
Hollande pritet të bëjë betimin për një mandat 5-vjeçar pasi të takohet me presidentin në ikje Nicolas Sarkozy në Pallatin Elize rreth orës 10:00.
Lideri i ri ka kërkuar që ceremonia të mos jetë shumë pompoze teksa ka ftuar disa miq të ngushtë dhe 350 zyrtarë. As fëmijët e Hollande dhe as partnerja e tij Valerie Trierweiler nuk do të jenë të pranishëm.
Ceremonia do të vijojë me marshimin tradicional me një makinë të hapur përmes kampusit Elize, në varrin e ushtarit të panjohur dhe Harkun të Triumfit. Hollande do të nderojë Jules Ferry-n në Jardin des Tuileries dhe Marie Curie në institutin Curie. Ndërkohë që rreth orës 13:00 do të mbajë drekën e tij të parë si president në hotelin Ville de Paris me zyrtarë të vendit.
Ai do të jetë udhëheqësi i parë socialist që prej vitit 1995 që do të zërë Pallatin Elize. Zoti Hollande më vonë do të përpiqet të gjejë një kompromis me Angela Merkel për rrugëdaljen e Evropës nga kriza ekonomike që e ka kapluar. Në Berlin ekziston dyshimi për zotin Hollande se ai do të rikthejë udhëheqjen franceze në Evropë.
Puna e tij e parë është të emerojë një kryeministër rë ri ku sipas analistëve ka gjasa të jetë Jean-Marc Ayrault, udhëheqës i grupit socialist në parlament, një aleat i ngushtë i tij. Michel Sapin një këshilltar ekonomik i Hollande është informuar për të qënë ministri i Financave.
Po sot pasdite Holande do të fluturojë drejt Gjermanisë për një darkë me kancelaren Merkel, e cila thotë se ‘do ta mirpresë udhëheqësin e ri me krahë hapur’. Çfarëdo dallimi të ketë mes dy lidërve kriza në Eurozonë do t’i vërë nën presion të madh marrëdhëniet mes tyre, duke qënë se dy ekonomitë më të medha të Eurozonës janë çelësi mbi strategjitë për të nxjerrë Eurogrupin nga kriza ekonomike.
Sipas shifrave zyrtare të publikuara të martën në mëngjes ekonomia franceze nuk tregoi rritje në 3- mujorin e parë të 2012-ës. Nga ana tjetër ekonomia gjermane u rrit me një përqindje më të fortë se sa pritej, 0.5%, në tremujorin e parë të këtij viti.
Ndërkohë Hollande do të mbajë takimin e parë të kabinetit të tij të enjten që do të pasohet me një vizitë në Uashington ku do të takohet me presidentin amerikan Barak Obama të premten.
D.Bilbili/IDEA/