Në Bruksel u përurua gazeta “Albania” e bashkësisë shqiptare të Belgjikës
Në gjurmët e revistës “Albania”, themeluar dhe botuar në Bruksel në fund të shekullit XIX (1897 - 1900)) nga atdhetari, prozatori, publicisti, eseisti, poeti, kritiku letrar, politikani, diplomati Faik Konica, këto ditë u përurua po në Bruksel gazeta ALBANIA, me synimin fisnik që të mbushë një zbrazësi të dukshme të bashkësisë shqiptare të Belgjikës. Shqiptarët përbëjnë një bashkësi të madhe dhe të qëndrueshme në Mbretërinë e Belgjikës. Sipas të dhënave jo të plota, në Bruksel, Namyr, Liezh, Huj, Anversë, Gent, Kortrijk, Bryzh, Sint-Niklaas dhe në qytete të tjera më të vogla sot jetojnë më se 60.000 shqiptarë nga të gjitha trojet etnike.Pa dashur t’i referohem gjatë historikut të pranisë shqiptare në Belgjikë, ia vlen të përmend shkurtimisht se emigracioni ynë këtu i ka rrënjët në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar, përveç disa rasteve të veçanta, që datohen edhe më herët. Të shpërngulurit e parë nga vendlindja kanë qenë kundërshtarë të regjimeve komuniste që u vendosën në Shqipëri dhe në Jugosllavi, fill pas Luftës së Dytë Botërore. Prejardhja e tyre ishte kryesisht nga viset veriore të Shqipërisë, nga Kosova, Mali i zi dhe Maqedonia. është e qartë se ky shtresim i parë i mërgatës shqiptare, - i mërgatës së vjetër le ta quajmë - mbartte me vete prirje të dukshme prokombëtare dhe antikomuniste. Më pas, do të jenë shkaqet ekonomike dhe politika shkombëtarizuese e Beogradit që do t’i shtyjnë shqiptarët të lënë Kosovën dhe vise të tjera etnike të ish Republikës Jugosllave, për t’u vendosur në Europën Perëndimore. Shumë prej tyre iu drejtuan Belgjikës, duke mbushur radhët e shtresimit të vjetër. Trazirat e vitit të mbrapshtë 1997 në Shqipëri dhe Lufta e fundit në Kosovë, ishin shkaqe për prurje të reja shqiptarësh që kërkonin strehim për t’u mbrojtur nga mbeturinat e kuçedrës komuniste: nga i ashtuquajturi “revolucioni i vonuar” dhe batërdia e nacionalizmit të skajshëm serb.Bashkësia shqiptare e Belgjikës gjatë gjithë jetës së saj e ka ndier nevojën e një mjeti informues, çka do të ishte njëherësh edhe një pikë bashkimi për jetësimin e një lobi bashkatdhetarësh në dobi të çështjes shqiptare. Janë bërë përpjekje të vazhdueshme në këtë drejtim. Madje, me aq sa e njoh problemin, ka pasur edhe nisma të vyera për gazeta, revista ose radio, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në atë frëngjishte. Mirëpo përpjekjet, ndonëse të lavdërueshme, nuk kanë dhënë frytet e pritura për arsye nga më të ndryshmet, kryesisht financiare. Sot ekzistojnë dy a tri radio, nga të cilat më jetëgjata janë ajo e Brukselit, “Jehona e Shqipes”, e drejtuar prej më se njëzet vjetësh nga bashkatdhetari i përkushtuar, Sakip Skepi, dhe ajo e Namyrit. Numri i parë i gazetës së re ALBANIA e Brukselit doli muajin e kaluar në prag të Festës Kombëtare të 28 Nëntorit. Merita për zanafillën e saj është e bashkatdhetares Elona Zhana, drejtore e gazetës, e cila u mbështet fuqishëm nga Sakip Skepi dhe nga një grup të rinjsh e të rejash. Lindur në Bajram Curri.Elona jeton në Belgjikë që prej vitit 2001. është diplomuar në Bruksel në degën për Marrëdhënie me Publikun dhe më pas ka marrë titullin e Masterit për Shkencat Politike. Aktualisht, po bën Doktoraturën në Universitetin e Lirë të Brukselit. E pasionuar pas letërsisë ka botuar dy libra: “Përtej unit” (Durrës, 2002) dhe “Sarkofagu i hënës cigane” (Globus, Tiranë, 2007). Mjaft e dhënë pas mjeteve të komunikimit në të gjitha format e tij, punon në radion “Jehona e Shqipes”.Duke zbërthyer qëllimin, programin dhe titullin e gazetës, në editorialin e numrit të parë, drejtorja Zhana shkruan: “...ka ardhur koha që diversiteti përbërës i komunitetit nuk duhet t’i mëshojë më tehut të përçarjes, përkundrazi duhet të shihet me shumë besim si një element pasurues.” Titullin e gazetës, ajo e sheh paksa “të imponuar si ringjallje e Albania-s së kolosit të kulturës shqiptare, Faik Konicës.” çfarë do të përmbajë gazeta? “Që në krye të herës, - shkruan Elona, - redaksia e ka parë të arsyeshme që politikën editoriale të mos e përqendrojë vetëm në trekëndëshin e famshëm: informim, edukim dhe argëtim.... Duhet theksuar se me daljen e kësaj gazete synohet të zyrtarizohet komunikimi mes shqiptarëve në Belgjikë. Nuk është koha që shqiptarët të marrin lajmin kafeneve, rrugëve etj... Po ashtu, synojmë që ALBANIA të jetë zëdhënësja e vlerave më të mira shqiptare, duke i shërbyer si tribunë të gjithë komunitetit, përfshi edhe ambasadorët tanë këtu. Njëherazi cilësojmë si detyrë dhe jo thjesht si mision ndërtimin dhe fuqizimin e urave të bashkëpunimit me miqtë tanë belgë... Ne e shohim ALBANIA-n jo thjesht si pasqyruese, por edhe por edhe organizuese e veprimtarive. Për sa i përket vazhdimit të misionit të Rilindësve, ne mendojmë të projektojmë dhe të ofrojmë një sistem të ri vlerash, ku shqiptarizmi do të bënte gurthemelin...”Në numrin e saj të parë, AMBANIA e Brukselit doli me një tirazh prej 1000 kopjesh që u shpërndanë falas si në Bruksel, ashtu edhe në të gjitha qytetet kryesore ku jetojnë shqiptarë. Numri i dytë u botua në 2000 kopje, me pikësynimin që në të ardhmen të arrihet shifra e 10.000 kopjeve.Ditën e përurimit të gazetës, u tubuan shumë shqiptarë nga Brukseli dhe nga qytete të tjera, me gjithë kohën e keqe, bllokimin e rrugëve nga bora e shumtë dhe temperaturat e ulëta nën zero. Ky është tregues i bindshëm për përkrahjen që do të ketë gazeta në të ardhmen. Le t’i urojmë ALBANIA-s së Brukselit rrugë të mbarë dhe jetë të gjatë....