Tatimet, gjoba 10-fish për mosdeklarim të punonjësve
Autori i Lajmit: Silvana BalliuAdministrata Tatimore ka vendosur që të pesëfishojë vlerën e gjobave për subjektet tregtare që nuk deklarojnë punonjësit, duke iu mohuar atyre të drejtën për tu siguruar. Drafti me propozimet e qeverisë ku parashikohet shumëfishimi i shumës së gjobave për bizneset u miratua ditët e fundit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave dhe pritet të kalojë së shpejti edhe në seancë plenare.
Fshehja e punonjësve
Ndryshimet në ligj parashikojnë edhe gjobat në rastet e mosdeklarimit të punonjësve nga ana e punëdhënësve. Kështu, çdo biznes i vogël që zbulohet se nuk ka deklaruar të punësuarit të paktën 24 orë para fillimit të punës do të gjobitet me 50 mijë lekë për secilin rast. Për të njëjtën shkelje sipas qeverisë, çdo biznes i cili paguan TVSH dhe konsiderohet i madh paguan një gjobë me vlerë 100 mijë lekë. Në të dyja rastet krahas pagesës së gjobës, punëdhënësi duhet të shlyejë të gjithë shumën e kontributeve të papaguara. Një nga ndryshimet në ligjin "Për procedurat tatimore", prek edhe pjesën e kontributeve që nuk deklarohen nga tatimpaguesi. Për çdo punonjës të padeklaruar në tatime, subjekti gjobitej me 10 mijë lekë, ndërsa tani do të ketë një ndarje: subjekti me TVSH do të gjobitet me 100 mijë lekë, kurse subjekti i vogël me 50 mijë lekë, përfshi dhe pagimin e detyrimit tatimor.
Kasat fiskale
Sipas ligjit aktual, nëse një biznes nuk e ka vendosur kasën fiskale, ai gjobitet nga 20 mijë deri në 100 mijë lekë. Ndërsa, me ndryshimet e propozuara nga qeveria për gjobat, ato janë përshkallëzuar duke parashikuar edhe mbyllje të aktivitetit. Sipas Ministrisë së Financave, arsyeja e ndryshimit të ligjit ka të bëjë me faktin se për detyrime të papaguara në afat, që i përkasin shumave deri në 200 mijë lekë ndaj tatimpaguesve rezulton një penalitet i barabartë, në masën 10 mijë lekë. Ky qëndrim prek një numër të madh tatimpaguesit, kryesisht biznesin e vogël.
Gjobat, kur nuk lëshohet faturë
Nëse biznesi nuk lëshon faturë për çdo shitje të bërë, herën e parë gjobitet me 100 mijë lekë, herën e dytë me 500 mijë lekë. Nëse përsëritet ligji parashikon ndërprerjen për gjashtë muaj të aktivitetit. Gjobat e vendosura për shkelje administrative, që lidhen me një detyrim tatimor, nuk mund të kalojnë 100 % të detyrimit tatimor. Kjo gjobë zbatohet edhe ne rastet kur tatimpaguesi ndryshon deklaratën fillestare, sipas kërkesave të nenit 67, të këtij ligji.
Shkeljet
Dënimet për tatimpaguesve
Tatimpaguesi konsiderohet i papajisur me certifikatë në këto raste: Kur tatimpaguesit me qarkullim më të madh se kufiri i regjistrimit për TVSH-në, nuk janë të pajisur me certifikatën e Ushtrimit të Veprimtarisë dhe njëkohësisht me certifikatën e NIPT-t. Në këtë rast tatimpaguesit dënohen me gjobë në masën 100 mijë lekë. Të pa pajisur me certifikatë (të paregjistruar) konsiderohen edhe çdo filial, degë apo njësi e një tatimpaguesi që nuk është pajisur me certifikatën sekondare të NIPT-t. Në të gjitha këto raste tatimpaguesit dënohen me 50 mijë lekë gjobë. Kur tatimpaguesit me qarkullim më të vogël se kufiri i regjistrimit për TVSH-në, (tatimpaguesit e taksës vendore mbi biznesin e vogël dhe tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin).
Nuk kemi dialog me Qeverinë,
ngërç sigurimi i të punësuarve
Pas Shoqatës së Ndërtuesve edhe Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve ngre shqetësimin se prej vitesh dialogu me qeverinë është ndërprerë dhe se ministri i Financave refuzon të dëgjojë problemet e tyre. Përfaqësues të kësaj shoqate shprehen se këtij dialogu të munguar i shtohen edhe ashpërsimet e ligjeve, që në thelb vështirësojnë edhe më tej aktivitetin ekonomik. Një nga risitë e ndryshimit të Ligjit të Procedurave Tatimore është 10 fishimi i gjobave për ato biznese që nuk sigurojnë të punësuarit. “Kemi pesë vite që nuk kemi dialog me qeverinë, takohemi vetëm me zëvendësministra nga të cilët nuk marrim zgjidhje për problemet tona”- shprehet Florian Zekja, një prej përfaqësuesve të kësaj shoqate. Sipas tij problemi ynë kryesorë është sigurimi i të punësuarve, pasi në këtë sektorë të punësuarit punojnë me kohë të pjesshme. Në këtë situatë, në vend që qeveria të marrë ndonjë masë për lehtësimin e punës, ashpërson ligjin, i cili gjobit bizneset nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë për punonjës, në rast se gjendet i pasiguruar. Por gjobat janë rritur edhe për mos vendosjen e kasave fiskale. Nga 100 mijë lekë të reja gjoba ka arritur në 500 mije lekë. Bizneset ankohen se kjo klimë krijohet në një kohë kur kriza ekonomike ka dhënë efektet e saj negative. Sipas Linda Legisit, një tjetër përfaqësuese biznesi shprehet se qeveria e ka detyrim ligjorë por edhe moral të na marrë mendim për ligjet që miraton. “Në një kohë kur sektori ynë është prekur ndjeshëm nga kriza ekonomike, ne do të na duhet të përballemi edhe me tarifa të shtrenjtuara të energjisë elektrike, të cilat janë një kosto më shumë për punën tonë”- shprehet ajo. Ndryshimet në ligjin e procedurave, hyjnë në fuqi nga janari i vitit 2010, kohë kur sipas parashikimeve të ekspertëve por edhe të Bankës së Shqipërisë ekonomia mund të pësojë ngadalësim të aktivitetit.
Ky lajm është publikuar: 25/12/2009