E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: “Greqia dhe Jugosllavia do të na ndihmojnë të përmbysim Hoxhën”

Autori i Lajmit: Androkli DraloAthinë, 17 tetor 1950 – Ndihma e përllogaritur në total e hedhur këtu në kryeqytetin helen që prej vitit 1945 ka arritur afërsisht në 2 miliardë dollarë. Nga kjo shifër Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar rreth 1 miliard e gjysmë dollarë, shumë e cila përfshin dhe pjesën amerikane të ndihmës së dhënë nga Administrata për Ndihmë e Kombeve të Bashkuara. Por kjo sasi e jashtëzakonshme ndihme financiare përfshin gjithashtu edhe ndihmën ushtarake, nën drejtimin e Misionit Ushtarak Amerikan për të luftuar gueriljet komuniste. Përmirësimi i situatës tashmë është i dukshëm dhe ka ardhur për një kohë të gjatë, edhe pse disa grekë mendojnë se ndihma nuk ka qenë e mjaftueshme dhe gazetat konservatore shkruajnë se “ndihma ka ardhur me pikatore”. E vërteta është se në Greqinë e shkatërruar nga lufta, nevoja e ndihmës është e jashtëzakonshme. Fqinji më i rëndësishëm i Greqisë në veri të saj është Jugosllavia, dhe tani ndihma amerikane duhet të shkojë atje, nëse kërkohet që Beogradi të shpëtohet nga fundosja e shpejtë e ekonomisë. Një ekonomi në gjendje të tillë, nëse nuk do të frenohej, do tu lejonte rusëve rrëzimin e regjimit të Titos deri pranverën e ardhshme, ndoshta me një grusht të brendshëm shteti, i cili nuk do të zbulonte asnjë përgjegjësi të Rusisë. Lajmet këtu në Athinë tregojnë për kushte shumë serioze të ardhura nga thatësira e tejzgjatur jugosllave. Nëse Rusia do të arrinte të nxirrte një satelit nga Jugosllavia, atëherë Greqia do të rrezikohej seriozisht. Me rrugë të njëjta furnizimi, Moska mund të nisë një depërtim të rëndësishëm në Greqinë Veriore. Është shumë e mundur që nën të tilla kushte, Greqia nuk mund të mbetet e pavarur pa ndihmën e trupave amerikane dhe logjistikës moderne ushtarake. Me Jugosllavinë e dominuar nga Rusia, kjo mund të shndërrohej në një Kore të dytë. Prandaj, me sa duket, Greqia dhe Jugosllavia duhet të nisin të punojnë së bashku për mbijetesën e tyre të përbashkët. E vërteta është, sidoqoftë, se ato nuk kanë nisur ende të flasin. Vetëm kohët e fundit jugosllavët dërguan ambasadorin e tyre në Athinë, ndërsa u caktua dhe data për të dorëzuar kredencialet përpara mbretit Paul. Më pas, papritur, Ministria e Jashtme e anuloi këtë takim dhe ambasadori jugosllav u kthye në shtëpi i zemëruar. Grindjet e vjetra mes dy fqinjëve për pjesë të vogla toke, të ndërlikuara akoma më shumë nga konflikti për ideologjitë moderne, duket se e bëjnë një afrim të mundshëm mes dy vendeve të pamundur. Por një mosafrim i tillë e bën gjithashtu ëndërr “pavarësinë” e dy vendeve të Ballkanit, të cilat i kanë mbijetuar makinës shtypëse të Rusisë. Kufiri mes Greqisë dhe Jugosllavisë është virtualisht i pakalueshëm përveç ndonjë udhëtari aventurier nga Britania ose Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo do të thotë se tregtia e dhenve dhe lëndës drusore, kaq e rëndësishme për grekët duhet të kalojë përmes Triestes. Në këto momente mund të thuhet se Titoja është shndërruar në një gur shahu për strategjinë antikomuniste amerikane. Ky i fundit deklaroi për gazetën “Neë York Herald Tribune” ndaj çdo sulmi sovjetik kudo në Evropë, edhe nëse ai duhet të ishte kilometra larg nga kufijtë e Jugosllavisë, ai do të hidhej menjëherë në krah të Perëndimit... Jugosllavia e konsideron veten një pjesë të sigurisë së përbashkët që po ndërtohet kundër sovjetikëve. Për Shtetet e Bashkuara në veçanti dhe Perëndimin në përgjithësi, kjo nxitje e Titos ka provuar se është një nga rrugët me më pak shpenzime të frenimit të komunizmit rus. Ndihma amerikane për Titon sot për sot është 51.7 milionë dollarë, që është shumë herë më pak se 1.5 miliardët e derdhura në Greqi për të njëjtin qëllim. Një çështje me ngjyrime tragjike është kthimi i fëmijëve grekë të kaluar në kufirin jugosllav nga gueriljet komuniste. Grekët pretendojnë se 11 mijë fëmijë grekë ndodhen aktualisht në kampet jugosllave. Rivaliteti për sllavët e Maqedonisë, nga ku erdhën disa prej këtyre fëmijëve, e komplikon më tej debatin. Mbretëresha Frederika ka propozuar një kompromis ku fëmijët të dërgohen në Zvicër në ngarkim të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe atje ti nënshtrohen procesit të identifikimit, i cili do tiu mundësojë atyre kthimin në atdhe ose të paktën ti lejojë të kthehen sërish në Jugosllavi nëse kjo do të jetë zgjedhja e tyre. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë asgjë dhe kjo çështje mbetet pezull, ashtu si shumë çështje të tjera që ndajnë ende këto dy vende. Një tjetër fqinj i Greqisë është Shqipëria. Lajmet nga atje tregojnë se regjimi i Hoxhës, i cili është një kukull e Moskës, tani është shumë i dobët dhe jopopullor në vendin e tij. Kjo koincidon dhe me informacionet se shqetësimet kanë përfshirë edhe satelitët e tjerë të Rusisë. Nëse Greqia dhe Jugosllavia do të mund të arrinin një marrëveshje, shumë besojnë se do të ishte i mundur rrëzimi i regjimit të Hoxhës dhe heqja përfundimtare e perdes së hekurt nga Shqipëria. Në fund të fundit, Shqipëria mbetet një vend primitiv, i distancuar nga Rusia nga toka dhe deti. Por, për shkak se jugosllavët dhe grekët duket të paaftë për të arritur një marrëveshje, qeveria e dobët kukull e këtij vendi me shumë mundësi do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi. Nga informacione konfidenciale, atje po ndodh një maskaradë e vjetër ballkanase. Misiona sekrete të çdo fuqie thuhet se vijnë vërdallë nëpër fshatra, secili i angazhuar me intriga të veçanta. Ndër këto misione sekrete thuhet se gjenden mes të tjerash dhe operativë të Agjencisë Amerikane Qendrore të Inteligjencës, “CIA”-s. Kjo ndodhte dhe në të shkuarën në Ballkan, ku mbreti rrëzonte diktatorin dhe regjenti pasonte tiranin, megjithatë sot piketat janë aq të larta sa një gabim do të ishte i pakorrigjueshëm. Për sa i përket ndihmës së dy vendeve fqinje, mua më duket se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të këmbëngulin ende në një marrëveshje greko-jugosllave, që do ta shndërronte secilin nga vendet më të forta për ti rezistuar Moskës. Që të dyja këto shtete kanë popuj krenarë dhe të ndjeshëm për një sërë arsyesh ndaj një ndërhyrjeje amerikane. Por të lejosh përplasjet e së shkuarës të qëndrojnë në mes të rrugës si pengesë për të arritur edhe një marrëveshje sado të vogël, është një marrëzi e pakonceptueshme që i hap rrugë katastrofës, kur kjo e fundit nuk është e nevojshme.
Ky lajm është publikuar: 25/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›