Abuzimet me uniformat Basha: “Prokurorimet, të tjera arrestime”
Autori i Lajmit: Ornela ManjaniProkuroria e Tiranës, gjatë hetimeve të saj mendon se në skandalin e tenderit të uniformave në Ministrinë e Brendshme janë të përfshirë edhe persona të tjerë. Sipas burimeve të kësaj Prokurorie, thuhet se gjatë përgjimeve disamujore rezultoi se kishte elemente të veprës penale vetëm për gjashtë të arrestuarit e parë në lidhje me skandalin, por të përfshirë në afera korruptive ka edhe persona të tjerë, për të cilët po kryhen hetime intensive. Ministria ka paralajmëruar të tjera arrestime dhe jo vetëm në Ministrinë e Brendshme, por edhe në gjithë administratën ku do të gjenden zyrtarë të dyshuar për korrupsion. Nuk jepen detaje nëse këta janë zyrtarë të shtetit apo persona jashtë Ministrisë, përfaqësues të firmave private. Zyrtarët e arrestuar kishin të paktën katër vjet që ushtronin funksionet publike në Ministrinë e Brendshme dhe janë anëtarë të shumë tenderëve me karakter të njëjtë, të cilat do të jenë pjesë e verifikimit të prokurorëve të Tiranës, që kanë marrë në dorë këtë çështje.
Masa
Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë për tre zyrtarët dhe tre biznesmenët e arrestuar për korrupsion me tenderin e uniformave në vlerën 1.75 miliard lekë. Gjashtë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë arrestuar nën akuzën e “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Tiranës, mësohet se organi i akuzës ka regjistruar procedim penal për këta persona në datën 11 shtator të këtij viti, ndërsa si objekt hetimi kanë qenë procedurat e prokurimit të fondeve publike me objekt blerjen e veshjeve të policisë. Pas zbardhjes së rrethanave të hetimit nga organet përkatëse, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “Arrest në burg” për Bujar Muratin, me detyrë drejtor i Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, Tahir Imamin, specialist i prokurimeve në Gardë, Artan Berberin, Jani Gjergjefin dhe Redi Popeskun në funksionin e ndërmjetësit mes zyrtarëve të Ministrisë dhe administratorëve të firmave private të prodhimit të uniformave. Prokuroria
Gjashtë persona u arrestuan nga policia me urdhër të Prokurorisë për akuzën e korrupsionit me blerjen e uniformave të policisë. “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në datën 11.09.2009, ka regjistruar procedimin penal Nr.3204 për veprat penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuara nga nenet 244, 25 dhe 259 të Kodit Penal”, bëri të ditur zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas saj, objekt i hetimeve ka qenë procedura e prokurimit të fondeve publike me objekt “Blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre”, me fond limit 175.034.194 lekë e cila do zhvillohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme. Për zbardhjen e rrethanave të hetimit nga ana e Njësisë së Përbashkët Hetimore kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë janë kryer veprime të shumta hetimore me mjetet speciale të hetimit.
Të arrestuarit
Policia ka vënë në pranga Bujar Muratin, Redi Popeskun, Tahir Imamin, Artan Berberin, Agur Sadikun dhe Jani Gjergjefin.
Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur se Artan Berberi, Agur Sadiku dhe Jani Gjergjefi dyshohet se kundrejt përfitimeve të kundërligjshme, 125.000 euro, që u kanë dhënë shtetasve Bujar Murati, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme dhe Redi Popesku kanë ndarë me marrëveshje të paracaktuar midis tyre fituesit e loteve të kësaj procedure prokurimi duke eliminuar konkurrencën e shoqërive të tjera në mënyrë të padrejtë, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme.
“Arrest në burg”
1. Bujar Murati, “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”
2. Redi Popesku, “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike
3. Tahir Imami, “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike
4. Artan Berberi, “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”
5. Agur Sadiku, “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”
6. Jani Gjergjefi, “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”
Zyrtarët e korruptuar, ministri: “E dija për arrestimet”
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka lënë të kuptohet dje se ka qenë në dijeni të hetimit që do të finalizohej me arrestimin e drejtorit të Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, nuk pranon që arrestimi i zyrtarëve ka qenë i vonuar, por ka lënë të kuptohet se u është dhënë hapësirë, metodave të specializuara, çka nënkupton përgjimet ndaj tyre. “Ky operacion është i koordinuar, ashtu si çdo operacion tjetër vepron në parametrat më të lartë të veprimtarisë së strukturave përkatëse”,- u shpreh Basha.
Ndërsa për sa u përket arrestimeve të reja të pritshme të paralajmëruara nga Prokuroria e Tiranës, duke komentuar politikisht arrestimin e zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, Basha u përgjigj se jo vetëm në Ministrinë e Brendshme do të ketë arrestime, por edhe në pjesë të tjera të administratës në kuadër të luftës antikorrupsion. Tre zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme dhe tre pronarë firmash, përfitues të tenderit për blerjen e uniformave të policisë dhe veshmbathjeve të tjera u arrestuan të hënën në mesditë. Bujar Murati, ish- drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit të procedurave të Përqendruara të Prokurimit pranë Ministrisë së Brendshme, Redi Popesku, ish-specialist në Ministrinë e Integrimit, Tahir Imami, ish-shef i Programimit të Prokurimeve në Gardën e Republikës, Artan Berberi, pronar i kompanisë MALBERTEX shpk, Jani Gjergjefi, pronar i kompanisë GJERGJEFI shpk dhe Agur Sadiku, pronar i kompanisë SADIKU shpk, dolën para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.
Pesë të arrestuar u lanë në gjendje arresti, ndërsa vetëm Agur Sadiku është lënë në arrest shtëpie. Ministri i Brendshëm, Basha, i cili drejton dikasterin ku u bënë arrestimet, tha se aksioni ishte i kordinuar mes policisë dhe Prokurorisë. Organi i akuzës ka pohuar se për këtë çështje edhe disa persona të tjerë janë në hetim.
Ky lajm është publikuar: 25/12/2009