Në Durrës, dy javë veprimtari “Durrësi për librin”

Promovimi i botimit të ri "Durrësi në median e shkruar të vitit 2006", një punim bibliografik, përgatitur nga punonjësja e bibliotekës së qytetit, Dila Lulja, çeli sot, paradite ciklin e aktiviteteve 2-javore, "Durrësi për librin", që Bibioteka e Durrësit do të zhvillojë, në kuadër të 23 prillit, Ditës Botërore të Librit. Në odeonin “Nikolin Xhoja” të Pallatit të Kulturës miq dhe dashamirës të librit, gazetarë dhe krijues, ndoqën me interes promovimin e librit, në të cilin gjendet gjithçka e publikuar për qytetin bregdetar në periodikët shqiptarë dhe të huaj, që kanë hyrë në fondin e bibliotekës tre vjet më parë. Një dokumentar mbi Antikuaret e bibliotekës, themeluar 64 vjet më parë si dhe ekspozita me periodikët e periudhës, deri në vitin 1944 përgatitur nga Edlira Macaj, pasuan veprimtarinë e parë të këtij cikli, me siglën “Durrësi për librin”. Duke u ndalur në aktivitetet që do të organizojë Biblioteka e Durrësit, drejtorja e saj, Flora Dervishi, tha se një ekspozitë e librit arkeologjik dhe portreti i një gruaje arkeologe nga Durrësi, do të jenë në qendër të veprimtarisë, që do të zhvillohet në bibliotekën britanike të qytetit. Sipas Dervishit, edhe miqtë e vegjël të librit dhe poetët e rinj të qytetit do të kenë vendin e tyre në ciklin e veprimtarive që do të vijojnë intensivisht gjatë këtyre ditëve, ndërsa një ditë e veçantë do t'i kushtohet përkthimit dhe marrëdhënieve të të rinjve me librin në qytetin bregdetar.
...