Në Farmacitë e Kosovës qarkullojnë barna të tri kompanive serbe

Në farmacitë e vendit vazhdojnë të qarkullojnë barnat e tri kompanive serbe, Jugoremedia, Hemofarm dhe Fhi Zdravlje, të cilat Agjencia Kosovare e Produkteve Medicinale në Kosovë ditë më parë paralajmëroi se do të ndalojë importin e tyre në Kosovë dhe do t’i tërheqë nga tregu, transmeton KTV.
Vendimi për ndalimin e importit dhe shitjen e tyre kishte ardhur pasi që Interpoli kishte njoftuar AKPM-në se këto tri kompani serbe nuk kanë certifikata të produkteve farmaceutike në Agjencinë e Barnave në Serbi. Por, duket se AKPM-ja ende nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për ndalimin e këtyre produkteve.
KTV-ja ka siguruar dy lloje të barnave të prodhuesit të Serbisë Hemofarm, të cilat shiten në barnatoret e kryeqytetit pa asnjë problem. Njëri produkt përmban banderrollën e Kosovës, ndërsa tjetrit ka banderollën e Serbisë.
Farmacistët ndonëse nuk pranojnë të flasin para kamerës për këtë çështje, thonë se ata deri tash nuk kanë marrë ndonjë vendim nga AKPM-ja për tërheqjen e këtyre produkteve serbe nga tregu./indeksonline/