Në Gjykatë u goditën vendimet tona, jo rinumërimi

Raporti i KQZ për zgjedhjet
KQZdiskuton paraditen e sotme raportin që do të paraqesë në Kuvend për procesin zgjedhor të 28 qershorit: Nota e arbitrit ndërkombëtar për procesin, nuk ishte vlerësimi aq shumë i pritur dhe i dëshiruar”
Kreshnik KUçAJ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shtrojë për diskutim dhe miratim paraditen e sotme raportin vjetor të punës për vitin 2009, një pjesë të mirë të të cilit e ka zënë pikërisht procesi zgjedhor i 28 qershorit. Në analizën e parë të plotë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën për procesin e 28 qershorit, vlerësohen arritjet kryesore në përgatitjen e infrastrukturës, në mënyrën e veprimit të KQZ-së, në realizimin e transparencës së procesit përmes kamerave atje. Megjithatë, vërehet se pavarësisht arritjeve në procesin e fundit zgjedhor, sipas KQZ-së, sërish zgjedhjet nuk morën vlerësimin e pritur nga OSBE/ODIHR-i. “Pavarësisht aspiratës për t’i treguar botës një shembull të zgjedhjeve demokratike, nota e arbitrit ndërkombëtar për procesin, “se edhe pse këto zgjedhje përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së, këto zgjedhje nuk realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për t’iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike”, nuk ishte vlerësimi aq shumë i pritur dhe i dëshiruar”, thuhet në draft-raportin e KQZ-së, që pas miratimit do të paraqitet në Kuvend nga kryetari Arben Ristani. Ndërkohë, draft-raporti i KQZ-së analizon në detaje të të gjithë procesin zgjedhor, duke filluar që nga përgatitja e materialeve zgjedhore, krijimi i infrastrukturës e deri te shpallja e rezultatit të zgjedhjeve. Ndër problemet e vërejtura nga KQZ-ja para fillimit të procesit zgjedhor janë mosrespektimi i afatit ligjor për dorëzimin në kohë të emrave të komisionerëve, zëvendësimi masiv i komisionerëve, mosrespektimi i afatit ligjor nga ana e drejtuesve të pushtetit vendor për dërgimin e adresave të qendrave të votimit etj. Përsa i përket pjesës paszgjedhore, kritikat e KQZ-së janë të pakta dhe saktësohet se këto probleme janë përballuar nga institucioni, duke mos krijuar shumë pengesa për procesin zgjedhor. Po ashtu, e njëjta panoramë është vërejtur deri në momentin e mbylljes së procesit të votimit me 28 qershor, ku sërish problemet e vërejtura kanë qenë të pakta. Ndërkohë, pjesa më problematike, sipas KQZ-së, ka qenë pikërisht pjesa kur ka nisur procesi i numërimit të votave e deri në shpalljen e rezultatin përfundimtar. KQZ-ja vëren në raport, se problemet kryesore që janë hasur, kanë qenë mospërfshirja në rezultat pa shkaqe të ligjshme e disa qendrave të votimit, pasi ishin numëruar votat, mosnumërimi pa shkaqe ligjore i disa qendrave të votimit dhe vonesat dhe bllokimet e punës gjatë procesit të numërimit të votave.
Procesi i ankimimit
Në raportin e tij për Kuvendin, KQZ-ja vëren se pas përfundimit të shqyrtimit administrativ, në Kolegjin Zgjedhor u depozituan nga subjekte të ndryshme zgjedhore disa ankimime me objekt kundërshtimin e vendimit të KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve në zonën zgjedhore përkatëse dhe me objekt konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimeve të KQZ-së. “Numri i ankimeve të paraqitura në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për periudhën paszgjedhore për zgjedhjet për Kuvendin 2009 është gjithsej 31”, thuhet në raport. Në këto vendime përfshihen edhe ato për të mos pranuar rinumërimin e votave për disa qarqe, të cilat ishin kërkuar nga dy anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sikurse parashikon Kodi Zgjedhor. Për këto vendime që u morën me shumicë të thjeshtë, Partia Socialiste ka paraqitur edhe animimet në Kolegjin Zgjedhor. Megjithatë, ajo që bie në sy nga raporti në fjalë, është se në Kolegjin Zgjedhor janë ankimuar 12 vendime të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga të cilat 6 kanë si objekt “kundërshtimin e vendimit të KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve në zonën zgjedhore përkatëse” dhe 6 të tjera kanë si objekt “konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimeve të KQZ-së”. Referuar këtij raporti, në asnjërin nga ankimimeve nuk është kërkuar si objekt rinumërimi i votave, por vetëm është kërkuar rrëzimi i vendimi të KQZ-së, që nuk lejoi rinumërimin e votave për disa qarqe. Ndërkohë, në raportin në fjalë nuk janë pasqyruar mënyra e vendimmarrjes, e cila në disa raste kyç ka qenë me shumicë të thjeshtë dhe ka shkaktuar edhe shumë debate mes vetë anëtarëve të KQZ-së.
Rekomandimet
Në raportin prej 48 faqesh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jep dy rekomandime kryesore, të cilat duhet të aplikohen para zgjedhjeve të ardhshme. Rekomandimi i parë është pikërisht ai për ndryshuar afatet e përgatitjes së listës së zgjedhësve. “Konkretisht, lista përfundimtare duhet të jetë miratuar jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve dhe jo më vonë se 30 ditë nga data e zgjedhjeve të jenë dërguar të dhënat përkatëse në KQZ”, thuhet në raport. Po ashtu, një rekomandim tjetër është ai që të bëhen ndryshime në ndarjen e zonave të administrimit zgjedhor, në funksion të lehtësimit të procesit të numërimit të përqendruar të votave.
Problemet më kryesore që u shfaqën gjatë procesit të numërimit të votave në disa VNV mund të klasifikohen në tri kategori dhe më konkretisht:
1. Mospërfshirja në rezultat pa shkaqe të ligjshme e disa qendrave të votimit pasi ishin numëruar nga anëtarët e GNV-ve;
2. Mosnumërimi pa shkaqe ligjore i disa qendrave të votimit;
3. Vonesat dhe bllokimet e punës gjatë procesit të numërimit të votave.
Procesi i ankimimit
Pas përfundimit të shqyrtimit administrativ në Kolegjin Zgjedhor, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë u depozituan nga subjekte të ndryshme zgjedhore disa ankimime me objekt kundërshtimin e vendimit të KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve në zonën zgjedhore përkatëse dhe me objekt konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimeve të KQZ-së.
Numri i ankimeve të paraqitura në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për periudhën paszgjedhore për zgjedhjet për Kuvendin 2009 është gjithsej 31.
a. Seleksionimi i ankimeve sipas objektit
-31 ankimet e paraqitura kanë pasur objekt si më poshtë:
•6 ankime kanë si objekt “Kërkesë për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në një apo disa qendra votimi ” nga të cilat;
•11 ankimime kanë si objekt “Kundërshtim i vendimeve të KZAZ-ve “Për miratimin e Tabelave Përmbledhëse të rezultateve”;
• 6 ankime kanë si objekt “Rinumërimin e votave në të gjithë zonën zgjedhore”;
• 8 ankime kanë si objekt “Kundërshtim të vendimit të KZAZ-ve dhe rinumërim të votave në zonën zgjedhore”.
Ankimimet kundër vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të paraqitura në Kolegjin Zgjedhor në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Numri i ankimeve zgjedhor kundër vendimeve të KQZ-së të paraqitura në Kolegjin zgjedhor në periudhën para zgjedhore është 6, me objekt si më poshtë:
•1 ankim ka si objekt kundërshtimin e Udhëzimit Nr .9 të KQZ-së,
•1 ankim ka si objekt kundërshtimin e vendimit të KQZ-së për emërimin anëtarëve të KZAZ-së të propozuar nga Partia Socialiste,
•2 ankime kanë si objekt kundërshtimin e vendimit të KQZ-së për caktim vendndodhje VNV-je,
•1 ankim ka si objekt kundërshtimin e Vendimit të KQZ-së për caktimin e partive që kanë të drejtë të caktojnë anëtarë në grupet e numërimit,
•1 ankim ka si objekt kundërshtimin e vendimit të KQZ për miratimin e listës shumëemërore të Partisë Agrare Ambientaliste
Seleksionimi i ankimeve të paraqitura në Kolegj sipas subjektit:
•Partia Demokratike ka paraqitur 1 ankim i cili është rrëzuar dhe është lënë në fuqi vendimi KQZ-së
•Partia Socialiste ka paraqitur 5 ankime nga të cilat:
•2 janë pranuar
•3 janë rrëzuar
Numri i ankimeve paszgjedhore të shqyrtuara nga Kolegji Zgjedhor, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë është 12 çështje, me objekte si më poshtë:
•6 ankime kanë si objekt “Kundërshtimin e vendimit të KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve në zonën zgjedhore përkatëse”
•6 ankime kanë si objekt “Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimeve të KQZ-së”.
Rekomandime
-Për të mos krijuar probleme në përgatitjen e logjistikës zgjedhore mendojmë se afatet për përgatitjen e Listës së Zgjedhësve duhet të ndryshohen. Konkretisht, lista përfundimtare duhet të jetë miratuar jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve dhe jo më vonë se 30 ditë nga data e zgjedhjeve të jenë dërguar të dhënat përkatëse në KQZ.
-Mendojmë që në të ardhmen, në ndarjen e zonave të administrimit zgjedhor duhet të bëhen ndryshime, në funksion të lehtësimit të procesit të numërimit të përqendruar të votave.