E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Hetimi, nga komisionerët deri te mnistri i Kulturës

Elbasan

“Hetimi ka për qëllim vënien para përgjegjësisë të të gjithë personave përgjegjës, duke filluar nga kriminelët e burgjeve, zyrtarët lokalë dhe deri tek administrata e lartë, si ministri Drejtësisë apo drejtori i burgjeve”

Kreu i PS-së, Edi Rama, tha dje në një intervistë për gazetaren Valbona Kurti të “Vizion Plus”, se “Nuk ka asnjë çudi që PS-ja të tërheqë përfaqësuesit e saj nga Këshilli Kombëtar i Radiorelevizionit”. Madje, sipas tij, kjo mund të kishte ndodhur kohë më parë, pasi RTSH është një institucion tanimë i shpërdoruar deri në shpërfytyrim të plotë.

Ndërkaq, Rama dje ka vijuar takimet me socialistët dhe panelin e gazetarëve në qytetin e Elbasanit. Në këto takime ai shoqërohej nga të gjithë deputetët e Elbasanit.

Gjatë fjalës së marrë në këtë takim, Rama ka akuzuar edhe njëherë Sali Berishën se mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për vjedhjen e votave. I pyetur se a është futur procesi në rrugën e zgjidhjes ai u përgjigj: “Hetimi do të ndodhë jo për të përmbysur sistemin, por korrupsionin elektoral, i cili është sofistikuar, pasi binomi shtet-pushtet është bërë nyjë. Me këtë fakt vota kushtëzohet dhe rezultati deformohet. Ne kërkojmë hetim parlamentar për të nxjerrë para përgjegjësisë personat përgjegjës, të gjithë ata që krijuan krizën dhe bënë biznes me votën e qytetarëve, që e përdorën ditën e votimit si ditën e pazarit. Ne duam që kjo të marrë fund dhe të vihen para përgjegjësisë që nga komisioneri i thjeshtë e deri te qeveritarët e lartë, që të mos guxojnë ta përdorin më përfaqësimin si avantazh”. Më pas Edi Rama deklaroi se hetimi do të pasohet me konkluzionet e nevojshme që do të nxjerrë PS-ja se ku mund të riparojë në të ardhmen. “Ne do të përcaktojmë edhe zonat se ku janë vjedhur votat, por mund të them se 1/3 e tyre u vodhën. Ne duam të hetojmë pa kufizim dhe i takon Komisionit Parlamentar që të përcaktojë modalitetet e hetimit. S’ka hetim zgjedhjesh pa hetim të kutive. Ky hetim do të përfshijë gjithë zyrtarët e lartë, kriminelët që dolën nga burgjet me firmën e ministrit të Drejtësisë dhe drejtorit të burgjeve. Hetimi do të përfshijë kryetar komunash e bashkish, të gjithë ata që shkelën ligjin për Radio-Televizionin Publik e këdo tjetër që bëri pazar. Ky është një hetim në interes të shqiptarëve”.

Ndërsa i pyetur për rolin e faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e krizës, Edi Rama, u shpreh: “Kur një shtëpi ka probleme, nuk pyeten fqinjët sesi do të zgjidhet. Zgjidhja qëndron te ne. Por të jemi të qartë që ndërkombëtarët rekomandojnë zgjidhje të mira në funksion të integrimit europian”.

I pyetur për tradhtitë e vazhdueshme në PS kryetari socialist tha se “PS ka vuajtur nga tradhtitë dhe sigurisht ndaj njerëzve të saj, interesat e të cilëve nuk kanë të bëjnë me socialistët. Sot gjërat janë mjaft të qarta. O me opozitën, o me pushtetin”. Duke e mbyllur takimin Edi Rama theksoi: “Komuniteti ndërkombëtar është shprehur pa hezitim për zgjidhjen e krizës. Jemi në stadin kur edhe Europa edhe SHBA-të kërkojnë zbardhjen e së vërtetës bazuar në Kushtetutë dhe Gjykatën Kushtetuese. Pastaj sa kuti janë dhe sa zona është një çështje tjetër. Të gjithë shkaktarët duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Marsela Kalaja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›