E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen 4 mijë banorë në komunat e Frashërit e Buzit

Reshjet e dëborës

Automjetet e kanë të pamundur të lëvizin nga zona malore në drejtim të Përmetit dhe anasjelltas

Përmet - Si shkak i dëborës së rënë gjatë ditëve të fundit në Qarkun e Gjirokastrës, disa komuna malore në rrethet e Përmetit dhe Tepelenës vazhdojnë të jenë të bllokuara nga bora. Më problematike në këtë drejtim paraqitet situata në komunën e Frashërit (Përmet), ku trashësia e dëborës së rënë ka arritur në rreth 70 centimetra. Sipas burimeve në policinë lokale, dëbora e rënë gjatë ditëve të fundit ka rënduar edhe më shumë situatën në fshatrat e kësaj komune malore.

“Aktualisht automjetet e kanë të pamundur të lëvizin nga zona malore e Frashërit në drejtim të Përmetit dhe anasjelltas”, thonë përfaqësuesit e pushtetit vendor në këtë zonë. Madje, si shkak i trashësisë të dëborës përpara disa ditësh u desh ndërhyrja e policisë për të transportuar në drejtim të spitalit të Përmetit një banor të kësaj zone, i cili kishte nevojë për ndihmë të specializuar mjekësore. Situata e rënduar, si shkak i reshjeve të dëborës, vazhdon edhe në komunën Buz të Rrethit të Tepelenës. Dëbora e rënë në këtë zonë ka arritur një trashësi prej 50 centimetrash, duke e bërë të pamundur lëvizjen e automjeteve që lidhin këtë zonë me qendrën. Krahas bllokimit nga dëbora, banorët e këtyre zonave kanë edhe probleme në furnizimin me energji elektrike, si shkak i defekteve teknike në rrjetin e shpërndarjes.

Ndërkohë, përfaqësuesit e pushtetit vendor në zonat e bllokuara nga dëbora mbajnë kontakte të vazhdueshme me policinë lokale për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të banorëve, në qoftë se moti i vështirë do të krijojë situata problematika përsa u përket emergjencave civile.

B. Shehu

Tropojë

14 fshatra pa energji

që prej muajit janarit

Dëbora dhe ngricat kanë dëmtuar linjën e tensionit të ulët në një gjatësi prej me shume se 4 km

Tropojë - Që prej javës së fundit të janarit të këtij viti 14 fshatra në Tropojë vazhdojnë të mbeten në errësirë. Sipas burimeve të pushtetit vendor, fshatrat në Luginën e Valbonës të komunës Margegaj si ato të zonës së Rragami janë pa energji elektrike që prej tri javësh. Reshjet e dëborës dhe ngricat kanë dëmtuar linjën e tensionit të ulët në një gjatësi prej më shumë se 4 km. Mësohet gjithashtu se janë bërë përpjekje për riparimin e defektit, por për shkak të motit të keq, kjo gjë ka qenë e pamundur. Riparimi i avarisë, siç mësohet, do të mund të bëhet vetëm në pranverë, pasi të shkrijë dëbora. Specialistët e elektrikut tregojnë se në kushtet e vështira të terrenit të thyer të Luginës së Valbonës, si dhe me dëborën e tanishme, ku trashësia arrin më shumë se një metër, është e pamundur të riparohet linja. Edhe drejtues të KESH-it, të cilët kanë udhëtuar këto ditë në zonën e avarisë, kanë pohuar se punimet për riparimin e linjës do të mund të kryhen sapo të shkrijë dëbora.

Në fshatrat e zonës së përmendur dëmtimi linjës ka sjellë probleme të shumta për aktivitetin e përditshëm ku, siç pohojnë banorët, fëmijët e shkollave po vuajnë duke mësuar me dritën e qiriut. Edhe në komuna të thella të Kukësit, e përkatësisht në Kalis, Bushtricë dhe Grykë-çajë ka pasur probleme të furnizimit me energji elektrike. Janë tri komuna që marrin energji nga rrjeti i Dibrës, një rrjet shumë i amortizuar. Komuniteti i këtyre komunave prej shumë kohësh ka kërkuar si zgjidhje definitive kalimin e furnizimit në sistemin në rrjetit të Fierzës që kalon praktikisht nga Kukësi, por një gjë e tillë kërkon shpenzime dhe impenjim të qeverisë, çfarë ka munguar.

F. Tota

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›