“Në KQZ u njoha me vendimin, ky institucion po zbaton ligjin”
Kreu i ODIHR, Jonathan Stonestreet, inkurajon palët politike që të pranojnë rezultatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Kreu i misionit të vëzhguesve të OSBE/ ODIHR-it Jonathan Stonestreet u takua dje është me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani.
Pas takimit Stonestreet, në një prononcim për mediat deklaroi se në këtë takim me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ristanin kanë biseduar për procesin zgjedhor në tërësi , dhe jo në veçanti për procesin e Tiranës. “Nuk diskutuam për procesin që po vazhdon. Ky takim u përqendrua në të ardhmen e të gjithë procesit elektoral”, tha kreu i misionit të OSBE/ODHIR.
I pyetur për çështjen e fletëve të kontestuara, Jonathan Stonstreet tha se nuk është këtu për të komentuar ligjin ku është bazuar KQZ, por për të grumbulluar informacione për raportin përfundimtar për procesin e zgjedhjeve të 8 majit nga OSBE-ODIHR.
Ai tha se “Unë nuk dëshiroj të interpretoj atë që thotë ligji”, duke apeluar se një parim i rëndësishëm për palët është ai i respektimit të shtetit të së drejtës dhe zbatimi i Kodit Zgjedhor.
Kreu i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë Jonathan Stonestreet tha se misioni largohet sot, duke nënvizuar se në Tiranë do të qëndrojnë dy analistë të ODIHR-it, të cilët do të monitorojnë edhe ankesat e partive politike në Kolegjin Zgjedhor, për betejën për bashkinë e Tiranës. Pas gjashtë javësh do të publikohet edhe raporti final i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit. Stonestreet deklaroi gjithashtu se për raportin përfundimtar duhen marrë parasysh jo vetëm qëndrimet e partive politike, por edhe të administratorëve të zgjedhjeve, shoqërisë civile dhe palëve të interesuara në proces. Për amerikanin Jonathan Stonestreet duket se ky takim me anëtarët e KQZ-s ishte i fundit në kuadër të drejtimit të ODIHR-it në Tiranë, pasi sot ai largohet nga Shqipëria.