E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas 11 vjetësh, me votën e qytetarëve, Tirana kthehet blu

24-05-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha: “Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka marrë në këto zgjedhje 140 mijë vota më shumë se koalicioni i majtë. Kryeqyteti votoi për ndryshimin, nga 11 minibashki, 7 do qeverisen nga mazhoranca, po ashtu edhe bashkia e madhe si dhe Këshilli Bashkiak do qeverisen nga përfaqësuesit e aleancës qeverisëse”

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha është fituesi i garës për Tiranën. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, e para kjo që zhvillimi i zgjedhjeve të 8 majit, kryeministri Berisha theksoi se pas 11 vitesh Tirana kthehet në blu dhe kjo sipas tij është një arritje historike. “Në këtë fushatë, pas 11 vitesh, Tirana kthehet në blu dhe kjo është një nga arritjet me të mëdha në histori. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për qytetarët e Tiranës për votën e tyre evropiane, për votën e tyre blu. Sot koalicioni qeverisës, qeveris  7 nga 11 minibashkitë e vendit, sot zoti Lulëzim Basha, i cili zhvilloi fushatën më të bukur, më të fuqishme, në një simfoni të vërtetë në qytetin e Tiranës, është i fituar me rezultatin e deritanishëm, me 78 vota para. Natyrisht që pritet finalizimi i shqyrtimit të të gjithë problematikës, por e vërteta si drita e diellit është se, në këtë fitore të ngushtë qytetarët e Tiranës votuan Lulëzim Bashën më shumë se çdo kandidat tjetër. Dua të falënderoj me mirënjohje të gjithë ata që kontribuuan që të realizohet në Tiranë një proces dinjitoz, të merituar për qytetin. Qyteti i Tiranës i besoi alternativës sonë, i besoi kandidatit të koalicionit tonë. Fitorja në Tiranë është një fitore e ngushtë. Në datën 14 maj rezultoi se Edi Rama ishte 10 vota para. Asnjë nuk e mohoi këtë, ndonëse ne kemi gjithë dokumentet se në një qendër votimi në zonën zgjedhore 8, komisioneri i PS-së, për të dëmtuar kandidatin tonë, në mënyrë mashtruese ia doli të mos vendoste vulën në 10 vota, që të gjitha janë për zotin Basha. Po në këtë zonë, KZAZ-ja e dominuar nga socialistët nuk pranoi të inkludojë në tabelat e numërimit 46 vota. Ne kemi të dhëna të sigurta se Basha aty kryeson mirë. Pavarësisht nga këto, votat do të numërohen dhe vlerësohen një për një. Ky sistem bazohet në kontestin. Ai që mendon se  do të mund të prekë këtë sistem dhe kontestin, ai i bie murit me kokë. Këtë nuk mund ta bëjë kurrë”, u shpreh kryeministri Berisha. Shefi i ekzekutivit tha se Partia Demokratike kishte kërkuar shqyrtimin e votave të hedhura në kutitë e tjera që në 12 maj, kur kandidati Basha ishte në një epërsi të thellë votash para rivalit të tij. “Në datën 12 maj, kur kandidati ynë ishte disa qindra, madje 1 mijë vota para kandidatit të PS-së, ne udhëzuam të gjithë përfaqësuesit tanë në komisione të evidentohet çdo votë e hedhur në kutinë e garave të tjera. Ne jemi parti e votës së lirë dhe nuk përkulemi nga ky parim dhe nuk ka asgjë dhe askush që të mund të na imponojë ne të  mos qëndrojmë me të gjithë fuqinë e ligjit dhe të Kushtetutës pas votës së qytetarëve shqiptarë. Neni 45 i Kushtetutës së Shqipërisë, pika 4, thotë se vota është vetjake, e lirë, e barabartë, sekrete. Nëse një votë numërohet dhe tjetra nuk numërohet, pabarazia prek themelet e Kushtetutës së vendit. Direktivat e standardit të OSBE dhe Këshillit të Evropës përcaktojnë si kusht për vlerën e votës intensionin e qartë të zgjedhësit, shprehjen e qëllimit  të qartë të zgjedhësit se për kë ka votuar. Kodi i praktikave të mira të Komisionit të Venecias dhe Këshillit të Evropës urdhëron që të bëhen përpjekjet maksimale  për të pasur dhe për të mbledhur numrin më të madh të mundshëm të votave të vlefshme. Ky parim është ndryshuar në ligjin shqiptar, i cili në asnjë nga 8 pikat e nenit 117 mbi pavlefshmërinë  e votës nuk përfshin votat e hedhura në kutinë tjetër. Kur komisionerët tanë nisën, së bashku me kolegët e tyre socialistë, të evidentojnë çdo votë për kandidat për kryetar bashkie dhe për këshillat bashkiakë të hedhura në kutitë e minibashkisë, në mënyrë absolute askush nuk e dinte se për cilin kandidat do kishte më shumë vota, për zotin Basha apo zotin Rama. Dhe e vërteta është që komisionerët socialistë u bashkëngjitën në këtë proces me përgjegjësinë më të lartë ligjore. Po të më pyesnin me interes të tjerët, miq, se a do të ndodhë kjo me minibashkinë 5 - sigurisht që do të ndodhë dhe jemi të gatshëm për çdo minibashki ku zoti Rama do të ketë pretendim. Le të kërkojë hapjen e zarfeve të votave, pasi këto vota nuk u numëruan në kushte ligjore dhe nuk u vlerësuan. U identifikuan, por numërimi nuk bëhej prej tyre. Ato dihet sa ishin. Mirëpo kjo nuk ndodh sepse zoti Rama ka eksperiencën dhe ka fobinë e votës, ku ai e ka shumë të qartë se në çdo minibashki ato ishin më shumë për Bashën sesa për zotin Rama. Kjo ishte e natyrshme, emocionet e fansave të tij, që vërshuan dhe derdhën ato ndjenja të veçanta për të në Facebook, sa për asnjë tjetër. Nuk them se çdo emocion shkoi për Bashën, por në tërësi ajo funksionoi, se nuk kanë qenë të paktë njerëzit, vetëm për kandidatët kanë qenë mbi 200 e ca, pa llogaritur këshillat ku kanë qenë edhe më shumë. Cili ka autoritetin të shkelmojë mbi votat e atyre grave dhe burrave që nuk kryen asnjë lloj krimi për faktin se e hodhën votën në kuti tjetër për shkak se komisioni i qendrës së votimit nuk i orientoi si duhet ata? Unë prisja që zoti Rama ta vlerësonte atë si një përgjegjësi të lartë qytetare. Por nuk e bëri, nisi ultimatumet, bllokoi numërimin e çdo vote, rrethoi KQZ-në, lëshoi kërcënime nga më të mëdhatë, etj”, deklaroi kryeministri Berisha.
Gjithashtu Berisha i cilësoi deklaratat e opozitës për revolta popullore si shantazhe të cilat sipas tij janë thjesht klithma dëshpërimi i atyre që kanë humbur arsyen.
“Ky rezultat i ngushtë është një sfidë dhe një provë për demokracinë, por u them atyre që kërcënojnë se demokracia e këtij vendi është shumë herë më e fortë se sistemet që i kanë përkulur ata, dhe se një sistem demokratik nuk mund të mposhtet nga aventurierë”, shtoi Berisha.
Më tej kryeministri Berisha ka akuzuar kreun e PS-së Edi Rama se është përpjekur të dezinformojë publikun duke sqaruar edhe deklaratat e opozitës se KQZ-ja po funksionon si KZAZ. “Rama bëri gjithçka që të dezinformojë shqiptarët. Në ligjin e ri elektoral i miratuar me konsensus të plotë dhe me kërkesë të PS-së KZAZ për Tiranën është parashikuar KQZ-ja theksoi Berisha duke shtuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë vetëm detyrën e tij ligjore për të numëruar votat e shqiptarëve. Kryeministri Berisha gjithashtu vlerësoi koalicionin duke thënë se pa këtë koalicion nuk do të arriheshin këto rezultate. “Kemi marrë shtatë nga 11 minibashki të Tiranës dhe kjo është një arritje e madhe dhe një besim i qytetarëve për këtë koalicion”, theksoi Berisha.
Kryeministri sqaroi gjithashtu se KQZ-ja, është parashikuar të njihet edhe si KZAZ e Tiranës, me ligjin e ri elektoral, me konsensus te plotë dhe kërkesë të Partisë Socialiste. “Askush në Shqipëri nuk e njeh më mirë se Edi Rama, KZAZ-në e Tiranës, por nuk e qortoj dhe nuk e kritikoj përse ka bërë këtë, se për mendimin tim prapë po të më pyesni është më e drejtë, sepse Tirana është kryeqyteti dhe çdo lagje e tij pothuaj, krahasohet me një prej qyteteve te mëdha vendit, prandaj dhe përgjegjësinë më të madhe le t’ia lëmë atij që është më kryesori, duke e zbritur në funksionin e KZAZ”, sqaroi kryeministri.

Me këtë koalicion do fitojmë zgjedhjet parlamentare

“Ne, nisëm këtë fushatë zgjedhore si koalicioni më i fuqishëm që vendi kishte njohur më parë. Ne kurorëzuam këtë fushatë zgjedhore dhe mbyllëm këto zgjedhje si koalicioni që mori, meritoi mbështetjen më të madhe, një mbështetje rekord, një mbështetje historike. Në raport me kundërshtarin tonë, ne kemi 17 për qind më shumë vota, kemi 140 mijë vota më shumë në mbarë vendin. Ky është një plebishit madhështor i qytetarëve shqiptarë për suksesin e reformave të qeverisjes. Shqiptarët vlerësuan koalicionin qeverisës dhe i dhanë atij një mbështetje të jashtëzakonshme. Në një mënyrë ose në një tjetër, nuk ka pasur asnjë fitore tjetër që të ketë qenë simotër e 92-shit, siç është kjo fitore. Dua të theksoj këtu se, në rast se do i konvertonim në vota deputetësh, me statusin aktual të numrit të votave që mbartin deputetët që ulen në parlamentin shqiptar, në raportet votë –deputetë për socialistët dhe koalicionin e tyre në parlament, na takonte të kishim rreth 17 deputetë më shumë, ndërsa në raportin e koalicionit tonë na takon të kemi 14 deputetë më shumë, pasi ata i kanë me 9 mijë vota deputetët në parlament, ndërsa deputetet e koalicionit të djathte, bashke më LSI-në, janë deputetë me 10 mijë vota. ‘De facto’, në raport me njëra-tjetrën, të dy koalicionet kanë një diferencë prej 17 për qind në shkallë vendi, kjo diferencë është 10 apo 11 për qind”.

Në zgjedhjet e 8 majit, numri më i lartë i votuesve në 15 vjet

Kryeministri Berisha vlerësoi se në zgjedhjet e 8 majit, demokracia në Shqipëri u ngrit më lart se kurrë. Sipas kreut të qeverisë në këto zgjedhje kanë marrë pjesë më shumë votues se në 15 vitet e fundit. Kjo, tha Berisha, është aprovimi më i mirë që qytetarët shqiptarë i bëjnë kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance. “Në këto zgjedhje Shqipëria u ngrit më demokratike se kurrë. Numri i pjesëmarrësve të zgjedhjeve vendore të majit të vitit 2011 është më i madh se në të gjitha zgjedhjet vendore e të përgjithshme në 15 vitet e fundit, është historik, është mbi  1 milionë e 600 mijë qytetarë. Natyrisht, rezultati tregon se kjo pjesëmarrje masive ishte vlerësim masiv për koalicionin qeverisës. Kur ndodhin pjesëmarrjet masive njëra palë paguan faturën. Ne kemi vetëm mirënjohje, janë 140 mijë vota më shumë për koalicionin tonë, pra, thellë në shpirt, në zemër, qytetarët shqiptarë, të vetëdijshëm se kjo është larg qenies të  përsosur si qeverisje, por kjo qeverisje po ndryshon më mënyrën më të vendosur vendin dhe jetët e tyre. Ishte jashtëzakonisht e goditur motoja jonë ‘Të parët jeni Ju’, ishte i goditur besimi ynë tek udhëheqja e tyre. Ne ua besuam atyre udhëheqjen dhe ata dolën fitimtarë. Ishte e ndershme dhe e moralshme koalicioni që bëmë. Ne i ndamë me ta postet dhe u dhamë anëtarëve të koalicionit tonë, edhe në përputhje me marrëveshjet që kemi, rreth pak më pak se 1/3 e të gjitha bashkive e komunave në të gjitha nivelet. Është një kënaqësi e veçantë për mua që anëtarë të koalicionit qeverisës sot të renditen si parti e tretë, e katër, e pestë në vend, çka i bën nder të madh koalicionit dhe vendit, gjë që e bën koalicionin edhe më serioz, edhe më solid e më të fuqishëm. Jashtë atyre diskutimeve të ngushta, koalicioni funksionoi në mënyrë të shkëlqyer dhe të jeni të qartë që pa funksionimin e tij ky rezultat nuk do mundej të arrihej”, tha Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›