E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Kabul vriten gjashtë punëtorë të OKB-së

Militantët talebanë sulmuan një motel, të shfrytëzuar nga punëtorët e OKB-së në qendër të kryeqytetit të Afganistanit, duke vrarë me këtë rast 12 persona, përfshirë këtu edhe gjashtë pjesëtarë të personelit të OKB-së, sulm ky i cili si duket ka për qëllim që të minojë rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, i cili do të zhvillohet muajin e ardhshëm.

Njëri nga gjashtë punëtorët e vrarë të OKB-së ishte shtetas amerikanë, ka njoftuar ambasada amerikane në Kabul. Një zëdhënës i talebanëve mori përsipër përgjegjësinë për këtë sulm, në kuadër të së cilit me raketa u sulmuan edhe pallati presidencial dhe një hotel luksoz.

Një raketë ra në afërsi të pallatit presidencial, por me këtë rast nuk u shkaktuan dëme dhe nuk pati viktima, deklaroi zëdhënësi i presidentit Hamid Karzai, Humayun Hamidzada. Një raketë tjetër ra në kompleksin e hotelit Serena, i cili frekuentohet nga shumë shtetas të huaj.

Raketa nuk shpërtheu, por mbushi lobin e hotelit me tym, duke detyruar mysafirët dhe punëtorët që të largohen nga hoteli, theksuan dëshmitarët okularë.

Shefi i misionit të OKB-së në Afganistan, Kai Aide, theksoi se ky sulm nuk do të frenojë OKB-në që të vazhdojë punën e saj në Afganistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›