E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abortet, 10 mijë raste në vit

Numri i aborteve në vendin tonë nuk po njeh ulje, megjithëse nuk mungojnë informacionet për t’u mbrojtur nga shtatzënia e padëshiruar. Sipas të dhënave më të fundit, në 1000 lindje llogariten 272 aborte ose rreth 10 000 aborte në vit. Por, kjo e dhënë është vetëm shifra zyrtare e aborteve, dhe që gjendet disa herë larg asaj reales, po të kemi parasysh faktin që jo të gjitha ndërhyrjet që bëhen raportohen. Në këto kushte, mjekët gjinekologë rekomandojnë përdorimin e metodave kontraceptive. “Në vitet e fundit, përafërsisht bëhen 4-5 ndërprerje vullnetare të shtatzënisë në ditë. Ne theksojmë se ndërhyrja është më e rëndë për shëndetin, se sa përdorimi i kontraceptivëve”, - thotë mjekja gjinekologe në maternitetin “Koco Gliozheni”, Mirela Rista. Sipas gjinekologes, ajo çfarë bie në sy është paraqitja e shumë vajzave të reja për të bërë abort, të cilat kanë mbetur shtatzënë që në marrëdhënien e parë dhe djali apo vajza nuk kanë përdorur metoda kontraceptive. Gjinekologia u sugjeron vajzave se tashmë ka kontraceptivë që nuk stimulojnë shtimin në peshë. Sipas studimeve të kryera, në vendin tonë vetëm 11% femrave përdorin kontraceptivë, ndërsa 59 % e çifteve përdorin ende metodën tradicionale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›