Në Maqedoni 170 mijë armë të paligjshme

Shkup, 18 gusht - Qeveria e Maqedonisë përmes ndryshimeve të Ligjit për armë, planifikon organizimin e një aksioni të ri për dorëzimin dhe legalizimin e armëve të paligjshme. Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Maqedoni, janë të pranishme 170 mijë armë zjarri të paligjshme në duart e qytetarëve. Kjo ministri po përgatit ndryshimet e Ligjit për armë, me ç`rast janë paraparë disa aksione, me qëllim të zvogëlimit të numrit të armëve të paligjshme. Ndryshimet e ligjit duhet të kalojnë pranë Qeverisë dhe më pas në Parlament, ndërsa hyrja në fuqi pritet të bëhet në fillim të vitit të ardhshëm. Qytetarët do të kenë mundësi që të legalizojnë armët e tyre, me një kusht që ato të mos jenë të përdorura për kryerje të veprave kriminale. Nuk do të mund të legalizohen armët gjysmë të lehta, ku bëjnë pjesë pushkët automatike dhe llojet e tjera të armatimit. Mirëpo, grumbullimi i tyre do të bëhet përmes aksioneve për dorëzimin e armëve nëpër pika të caktuara, ndërsa qytetarët nuk do të japin përgjegjësi për posedimin e tyre.