E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropoja e Bajram Curri mësyjnë Tiranën e Durrësin nëpër Gjakovë

Gjakovë, 18 gusht - Funksionimi i autostradës së kombit Morinë-Kukës-Durrës e ka bërë më të afërt Tiranën dhe bregdetin shqiptar edhe për vet banorët e Shqipërisë, të cilët çdo ditë shfrytëzojnë linjat e rregullta të minibusëve që përshkojnë çdo orë rrugën nga Bajram Curri nëpër Gjakovë e Prizren drejtë Shqipërisë, raporton KosovaLive.
Një udhëtim i tillë bëhet shumë më i lehtë për shkak të rrugës më të përshtatshme nëpër Kosovë dhe shfrytëzimit të autostradës, ndërsa rruga e vjetër nga Bajram Curri drejtë Tiranës, për shkak të reliefit malor dhe infrastrukturës së papërfunduar rrugore është e vështirë dhe merr kohë shumë më të gjatë.
“Kësaj rruge po i kthehet nami që e kishte në vitin 1947-48 kur gjithë ata që dëshironin të shkonin në Tiranë, udhëtonin nëpër Gjakovë”, theksoi Skender Hoxha nga Oda e Tregtisë së Tropojës, i cili theksoi se nga qyteti i Bajram Currit çdo ditë nga ora 5 apo 6 e mëngjesit nisen minibusët drejtë Tiranës nëpër Kosovë.
Ai e vlerëson si të rëndësishme funksionimin e kësaj rruge që integron zonat dhe Malësinë e Gjakovës.
“Rruga e Luginës së Drinit është rruga e zhvillimit të këtyre zonave sepse mundëson lëvizjen e lirë dhe më të lehtë të mallrave dhe njerëzve nga të dyja anët e kufirit”, tha Hoxha duke bërë të ditur se çdo ditë qarkullojnë nga 5 apo 6 minibusë me udhëtarë.
Për lehtësirat e krijuara me funksionimin e kësaj linje automobilistike për banorët e zonës së Tropojës, inxhinieri i xehetarisë së kësaj zone, Kujtim Neza, theksoi se “… kjo rrugë u ka krijuar kushte shumë më të volitshme udhëtimi”.
“Sa herë udhëtoj për në Tiranë dhe anasjelltas e përshkoj këtë rrugë nëpër Gjakovë e cila është shumë më e përshtatshme, më e lehtë dhe më e shpejtë se sa rruga e vjetër nëpër Shqipëri”, tha Neza duke kujtuar se udhëtarëve të kësaj linje i bashkohen edhe udhëtarët kosovarë.
Meqë jemi në sezonin e pushimeve verore, udhëtarët nga Bajram Curri e Tropoja, këtyre ditëve shihen duke udhëtuar drejtë bregdetit shqiptar, meqë në ngarkesat e tyre në minibusë hetohen pajisje për larje dhe plazh.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›