Kundër antireformave

Dy takime të rëndësishme të nivelit të lartë diplomatik zhvilloi dje Partia Socialiste. Kryetari Edi Rama priti në zyrën e tij ambasadorin amerikan John Uidhërs i Dytë dhe drekoi me ambasadorin e Delegacionit të Komisionit Evropian, Helmut Lohan.
Rama shprehu pa rezerva garancitë e Partisë Socialiste për të ofruar mbështetje dhe bashkëpunim konkret dhe efikas për çdo reformë që u shërben shqiptarëve dhe integrimit të vendit në NATO dhe BE. Sipas burimeve të rezervuara, Rama shprehu gjithashtu palëkundshmërinë e socialistëve për të mos u bërë palë e antireformave apo e reformave gjysmake. Sipas burimeve, rëndësi ka bashkëpunimi konkret ndërpartiak për reformën zgjedhore, marrëdhëniet kuvendare, drejtësia dhe veçanërisht mospajtimi për projektligjin e ri për prokurorinë që cenon ligjin, shkel Kushtetutën dhe bie ndesh me parimet e pavarësisë së institucioneve. Takimi mes kreut të PS-së dhe diplomatit amerikan filloi larg medias, rreth orës 12:00 të mesditës së djeshme dhe zgjati rreth 40 minuta. Ambasada amerikane komentoi shkurtimisht takimin mes Ramës dhe ambasadorit Uidhërs i Dytë, por jo temën e bisedimeve. Zëdhënësi i selisë diplomatike amerikane në Tiranë, tha se pas vizitës në Shtetet e Bashkuara, ambasadori Uidhërs po zhvillon takime me drejtuesit dhe udhëheqësit shqiptarë, për t’i informuar ata pikërisht mbi takimet e tij në SHBA. Bashkëbisedimi kokë më kokë mes numrit një të socialistëve dhe dy përfaqësuesve u zhvillua vetëm pak orë para fillimit të seancës së parë plenare për sesionin e ri parlamentar. Burime partiake thanë se në qendër të vëmendjes kanë qenë edhe temat kryesore politike të ditës, që sigurisht do të jenë pjesë e punës së legjislativit në sesionin e ri, si reforma zgjedhore, ajo në drejtësi dhe i ashtuquajturi “ligji i spiunëve”. Lideri i socialistëve, Edi Rama, mësohet t’i ketë shprehur ambasadorit amerikan Uidhërs, vullnetin e PS-së krah çdo reforme që rrit standardet demokratike dhe ndihmon në ecurinë e vendit tonë drejt proceseve integruese. Lidhur me reformën në sistemin e drejtësisë, kryesocialisti ka theksuar qëndrimin e PS-së për të mos e pranuar ligjin e ri të prokurorisë, nëse ai do të ishte në dëm të pavarësisë së këtij institucioni, aq më shumë ndërsa ai është duke hetuar dy çështje të rëndësishme si tragjedia e Gërdecit dhe rruga Durrës-Kukës, për të cilat u është hequr imuniteti, ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ish-ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Lulzim Basha, në detyrë prej më shumë se 1 viti si ministër i Jashtëm. Ndërkombëtarët vazhdimisht kanë vënë theksin tek pavarësia e institucioneve, kanë kërkuar një reformë serioze në sistemin e drejtësisë dhe padyshim kryerjen e një reforme zgjedhore, e cila të garantojë standardet e procesit të ardhshëm zgjedhor të vitit 2009. Socialistët kanë shprehur mbështetjen krah kërkesave të ndërkombëtarëve gjatë gjithë periudhës së qëndrimit në opozitë. Ndër nismat e mazhorancës, ata kanë kritikuar ato që cënonin pavarësinë e institucioneve dhe antireformat. Por partia më e madhe e opozitës ka ditur të mos thotë gjithmonë “jo”. Në mbrojtje në interesave të qytetarëve dhe ecurisë pozitive të reformave, deputetët socialistë bashkuan votat me ata demokratë, në rastin e ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit, që i cilësuan si hapa para për reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi. I njëjti bashkëpunim pritet të ofrohet edhe për hapat e tjerë pozitivë, sikundër edhe palëkundshmëria për të mos u bërë palë e antireformave. Kryediplomati amerikan në vendin tonë është takuar edhe me kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e shtetit, Bamir Topi.