E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në PD ekzistojnë Shërbimi Informativ i Partisë dhe Grupet e Zjarrit

selia-e-pdNë PD ekziston një grup që njihet si SHIP-i, ose Shërbimi Informativ i Partisë, raporton e përditshmja Dita.

Në vitet e opozitës ky shërbim drejtohej nga Gjergj Lezhja, një njeri shumë i respektuar në radhët e PD-së, i qetë, diskret dhe efiçent. Me kalimin e Lezhjës në punë me kohë të plotë si Sekretar i Përgjithshëm i kryeministrit Berisha, fillimisht u mendua se SHIP-i komandohej dhe i ishte besuar Flamur Nokës.

Por në fakt njeriu që duket se ka zëvendësuar Lezhjën është një emër jo dhe aq i rrahur në publik. Ai quhet Albert Avduli, me një të kaluar të vjetër në strukturat e demokratëve, i sprovuar, aktualisht është zv.drejtor në Tatime. Duket se njësoj si paraardhësi i tij Lezhja edhe Albert Avduli disponon parametrat e duhura për një funksion që Berisha e ka shumë merak.

Në kohën kur PD-ja ishte në opozitë, SHIP-i ishte struktura që mblidhte të gjithë informacionin që i servirej Berishës që nga dosjet e korrupsionit e deri tek veset e drejtuesve lokalë të PD-së. Sot SHIP-i mendohet se është më shumë e investuar në vjeljen e informacioneve në lidhje me veprimet ose mosveprimet e drejtuesve të PD-së dhe drejtuesve shtetërorë. Kjo është një strukturë që drejtohet drejtpërdrejt dhe vetëm nga Berisha.

Një tjetër faktor me peshë në PD dhe që njësoj si SHIP-i kontrollohen drejtpërdrejtë nga Berisha janë ato që zyrtarët e kësaj partie i etiketojnë si grupet e zjarrit. Evidentohen dy të tilla. Njëri grup janë rrjeti i njerëzve që kontrollohen nga Agron Kuliçaj, i cili sot është Zv.Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Grupi tjetër është ai i drejtuar nga Arben Sefgjini, ndonëse më pak influent se grupi i parë.

Zyrtarë dhe njohës të Partisë Demokratike shprehen se Berisha është tejet i vëmendshëm në monopolin e kontrollit mbi SHIP-in dhe atyre që etiketohen si grupet e zjarrit. Njohës të afërt të tij tregojnë se megjithëse si kryeministër ai ka një axhendë tejet të ngjeshur, ai ruan me të njëjtin intensitet marrëdhëniet dhe këmbimin e informacioneve me këto struktura dhe orienton drejt tyre punët më të rëndësishme.

Në raport me SHIP-in apo grupin e Kuliçajt dhe Sefgjinit, si klani Basha po ashtu dhe trekëndëshi Bode-Topalli -Olldashi janë njësoj të baraslarguar dhe kanë të njëjtën paaftësi për ti ndikuar këto grupe. Është direkt Berisha ai që ka kontrollin mbi to dhe orienton punët e tyre të përditshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›