E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në PS ka nisur “gjuetia e shtrigave”

22-08-2012 / Gazeta 55

Opozitarizmi veç në ëndërr!
 
Anëtari i kryesisë dhe njëherazi nënkryetar i grupit parlamentar të PS, Erjon Braçe ngre alarmin për rikthimin e partisë, ku ai bën pjesë, në biznes privat, ku sikush shfaq pretendime karrieriste si dhe pragmatizëm të pamerituar, pa u shqetësuar për kostot politike apo e thënë më ndryshe për përgjegjësitë elektorale në funksion të opozitarizmit
 
Fundi i pushimeve verore rikthen dhe sezonin e përplasjeve në PS, një periudhë kacafytje çakejsh, uzurpatores të rëndomtë të sprovuar si gjakpirës dhe nxitës konflikti politik. Nga njëra anë është makthi serioz i themelimit të lëvizjes politike nga Fatos Nano, ndërsa tjetra i takon pretendimeve karrieriste të ish Mjaft-istëve, të cilët fillimisht u afruan në PS përmes fantazmës G 99, për t’u ngujuar përfundimisht në Kongresin e vjeshtës së 2009-ës, kur Rama ndryshoi statutin dhe u fortifikua i përjetshëm në PS.
Aksioni i parë që ndërmori ishte ngujimi i partisë, duke ndaluar lirinë e shprehjes, futjen e deputetëve në grevë urie, bojkotimin e Kuvendit dhe ndërprerjen e raporteve të PS me institucionet. Rezultate negative të një karrieristi të dështuar që kulmuan me organizimin e demonstratës së dhunshme në 21 janar të vitit të shkuar si aksioni i vetëm destruktiv që mund të sillte rrëzimin e rendit publik me qëllim marrjen e pushtetit nga malavitët e PS. Ndërgjegjësimi, në një kohë kur iu kërkua të bënte autokritikë dhe të dorëhiqej në funksion të një praktike demokratike të vendosur nga Fatos Nano pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare në 2005-ën, bëri që Edi Rama të rrethojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke u rreshtuar edhe si rrezik kombëtar për rendin demokratik.
Sot, PS është në dorë të celulave me Erjon Veliajn që vandalizon strukturat e PS si gjeli në majë të plehut, për të neutralizuar çdo fraksion që mendohet se mund të dalë kundër rrjedhës së diktatit politik që ushtron Edi Rama.
E tillë është situata sa në çdo degë lokale të PS, zënkat dhe sherret janë shndërruar në rutinë ditore ku nuk mungojnë as kërcënimet me jetë (si përplasja e fundit në degën lokale të Kavajës ku kryetari i PS, Xhavit Haliti u detyrua të dorëhiqej nga presioni vazhdueshëm i Elvis Roshit dhe Dash Pezës). Pikërisht vandalizmi i shfaqur nga kupola drejtuese e komanduar në PS, ka shfaqur sjelljet bizantine në të gjitha degët lokale, të cilat interpretohen me “dy gjuhë” në ngrehinën socialiste; njëra që i motivon dhe i faktorizon si zhvillimin e vetëm të mbijetesës politike të Edi Ramës dhe Co.; dhe tjetra që i dënon hapur si rrënim i pritshëm i PS-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. I tillë është edhe shqetësimi i Erjon Braçes i cili pa më të voglin dyshim e quan të vdekur opozitarizmin e PS, gjë që sipas tij, është zëvendësuar me zënkat dhe sherret si dhe servilizmin për poste të larta pranë kryetarit.
“Po ëndërroja sikur: Kryetari i Bashkisë së Kavajës; Kryetarët e komunave që drejtojnë socialistët në Kavajë; Kryetari i PS të Rrethit, socialistë e popull në tërësi; Deputeti i Kavajës në krye; Kishin dalë në rrugën kombëtare Plepa-Rrogozhine e po protestonin mbi një rrugë që ka 4 vite plot që ka nisur dhe nuk përfundon. Ç’e do, me doli gjumi, ishte Bashkimi që po lexonte gazetat me titullin: ‘Zihet Kryetari i Bashkisë, deputeti dhe Kryetari i PS të Kavajës!’”, thotë ai.
Paralajmërimi është mesazh për votuesin e majtë si dhe tregues i një tmerri politik se, PS hyn e përçarë në vitin zgjedhor..., dhe më pas s’do ketë shumë histori, përveç një tjetër katër vjeçari në opozitë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›