Në Preshevë dhe Bujanoc shënohet 100 vjetori i pavarësisë

Edhe në dy komunat me shumicë shqiptare të Preshevës dhe Bujanocit, sot ka valuar flamuri kombëtar.
Ndryshe nga Presheva, ku flamuri është vendosur pa ndonjë ceremoni rasti dhe pa grumbullim të qytetarëve, në Bujanoc, Partia Demokratike e Nagip Arifit e cila udhëheq me pushtetin lokal kishte organizuar një varg aktivitetesh.
Në orët e paradites u shfaq ekspozita e pikturave me motive patriotike në sheshin e qytetit. Pastaj nga fshati Tërnoc nisi i ashtuquajturi Marsh i Pavarësisë, në të cilin 100 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme - kursist të gjuhës angleze bashkë me arsimtarin e tyre të veshur kuq e zi erdhën në sheshin ku zhvillohej manifestimi qendrorë.
Në orët e mesditës Nagip Arifi – Kryetar i PD-së njëherësh edhe i Komunës së Bujanocit, zbuloi “Shtëpinë e Kuvendit të Pavarësisë”, një maket i punuar nga një qytetar i Tërnocit me simbolikën e sjelljes së atmosferës së Vlorës në Bujanoc, raporton RTK.
Ndërsa në orën 12,00 Kryetari i Komunës me bashkëpunëtorët e tij vendosën flamurin kombëtar në ndërtesën e Komunës së Bujanocit, për të vazhduar më pas në Shtëpinë e Kulturës “Vuk Karaxhiq” një program kulturor e artistik të përgatitur për këtë rast.
Karakteristikë e manifestimit të sotëm është mospjesëmarrja e asnjërës nga tri partitë politike shqiptare të cilat nga zgjedhjet e fundit të mbajtura në maj të këtij viti, duke mos pranuar ndarjen e pushtetit me Nagip Arifin dhe partinë e tij, janë rreshtuar në opozitë, duke lënë kështu Arifin që pushtetin lokal ta ndaj me disa parti dhe grupime politike serbe.
Ndryshe atmosfera e sotme gjatë tërë kohës përcillej nga pjesëtar të shumtë të policisë serbe, por nuk është shënuar ndonjë incident rasti./Indeksonline/