E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Rumani, ish-kandidati socialist për president përjashtohet nga partia, se rrezikonte pushtetin e kryetarëve

23-12-2011 / “Southeast European Times”

Eliminimi i rivalëve, një sëmundje bolshevike, nga e cila vuajnë disa parti socialiste në Evropën Lindore. Mircea Geoana, ish-ministri i jashtëm socialist u shkarkua nga kryetar senati dhe u përjashtua nga partia, vetëm se rrezikonte pushtetin e kryetarit në prag të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale


Heqja e Mirçea Geonës si kryetari i senatit rumun muajin e kaluar mes një lufte të ashpër për ndikim në Partinë Social Demokratike (PSD) të opozitës ka shkaktuar habi - duke bërë që shumë të vrasin mendjen nëse interesat afatshkurtra kanë mbizotëruar ndaj vlerave politike të partisë dhe marrëdhënies së saj me votuesit. Analistët thonë se luftëra partiake të tilla tregojnë një gjendje të dobët të maturisë politike. "Mund të vihet re lehtë se kryetarët e partive politike rumune nuk mund të përballen me opinione disidente në radhët e partisë, që priren pastaj t’i heshtin", tha për SETimes Florin Kiornei, kreu i departamentit politik të Evenimentul Zilei. "Konflikte të tilla mund të gërryejnë dhe shpërbëjnë elektoratin e një partie, një teori që zbatohet gjithashtu qartazi në rastin e Geoanës, që është dhe mbetet shumë i admiruar," shtoi ai. Geoana, një ish-ambasador dhe ministër i jashtëm, ka patur një marrëdhënie dashuri-urrejtje me kreun e tanishëm të partisë, Viktor Ponta, që zhvilloi fushatën e Geoanës për zgjedhjet presidenciale më 2009, ku Geoana humbi ndaj Trajan Basheskut me një diferencë të ngushtë. Dështimi i Geoanës shkaktoi një kongres partie, në të cilin Ponta u zgjodh për të zëvendësuar Geoanën në krye të partisë, gjë që i bëri të turbullta marrëdhëniet mes tyre. Një sërë komentesh publike që Geoana bëri pas humbjes së kryesimit të partisë tërhoqën zemërimin e Pontës, duke e bërë atë të marrë masa për të disiplinuar ish-kandidatin presidencial. Për Viktor Pontën, Geoana ishte dyfish rrezikues, sipas Kiorneit. "Geoana dukej vetëm një personazh i izoluar politik. Por ishte me një vend të mirë në sondazhe dhe kështu që mund të dilte me pretendime për zgjedhjet e tjera presidenciale. Një alternativë e tillë mund të rrezikonte partnerin politik të Pontës, liberalin Krin Antonesku, me të cilin ai krijoi një aleancë në opozitë. Marrëveshja mes të dyve ishte se Antonesku do të kandidonte për presidencën. Në këtë mënyrë, Ponta jo vetëm që hoqi qafe një armik të brendshëm, por zgjidhi gjithashtu problemin e Antoneskut", shpjegoi Kiornei. Në dhjetor 2010 Geoana u pezullua për gjashtë muaj për deklarata që dyshohet se dëmtuan reputacionin e partisë. Mes të tjerave, Geoana la të kuptohej në blogun personal të tij se Ponta e kishte këshilluar keq atë gjatë fushatës presidenciale lidhur me një vizitë që kishte bërë te një tregtar polemik rumun disa ditë përpara balotazhit, që mediat njëzëri pranuan se i kushtoi Geoanës zgjedhjet. Gjatë një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara në tetor, ku Geoana e paraqiti veten si udhëheqës i opozitës rumune, u zotua të kandidojë përsëri për presidencën, ndonëse partia nuk kishte treguar asnjë mbështetje për këtë. Në fund të nëntorit, Geoana u përjashtua nga radhët e partisë dhe pastaj u hoq si kryetar i senatit. Por fitorja e Pontës pati efekte anësorë; social demokratët humbën kryesimin e senatit ndaj liberal-demokratëve.


Pasojat e grindjeve të tilla janë kryesisht në nivelin e elektoratit. "Ndikimet e një gjendje të tillë në demokracinë rumune janë jo të mëdha apo të menjëhershme, por ndikimet tek perceptimi i votuesve lidhur me stabilitetin e zyrave të larta publike nuk duhet të shpërfillet, duke patur parasysh zgjedhjet e ardhshme", thotë Liviu Dadakus, redaktor politik i agjencisë së lajmeve Mediafax. "Në të njëjtën kohë, kostot për shoqërinë janë vështirë të përcaktohen, pasi marrëdhënia mes paqëndrueshmërisë së zyrave publike të tilla dhe, të themi, tregjeve financiare e kredive të huaja nuk është i drejtpërdrejtë. Por një marrëdhënie e tillë, qoftë edhe jo e drejtpërdrejtë, përsëri nuk duhet shpërfillur pasi po flasim lidhur me njeriun e dytë në shtet", shtoi Dedakusi. Ai vuri gjithashtu në dukje se rasti i Geoanës kishte një shembull - social demokratin Adrian Nastase - i cili më 2006 gjatë një konflikti të brendshëm të partisë, dha dorëheqjen si kryetar i Dhomës së Deputetëve, pozicioni i tretë më i fuqishëm në hierarkinë shtetërore. Pastaj u hoq gjithashtu nga radhët e partisë, nënvizoi Dedakusi. Shfaqja politike e vënë në skenë kohët e fundit nga PSD u la simpatizantëve një shije të hidhur. "Çfarë kuptoj nga ky konflikt, që përfundoi me heqjen e Geoanës, por gjithashtu me humbjen e funksionit të lartë publik të PSD-së? Kjo është e gjitha e lidhur me interesat afat-shkurtra personale dhe jo ato afat-gjata të partisë," tha Ovidiu Damian, një mësues 43 vjeçar. "Kuptoj gjithashtu se vota ime u hodh poshtë, sepse ajo, mes të tjerash, i dha partisë të drejtën politike për të patur atë funksion. Eshtë zhgënjyese që pas 21 vjet demokracie jemi ende dëshmitarë të ‘ekzekutimeve publike’ të tilla në politikën rumune", përfundoi ai. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›