E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonominë e di tregu i Medresesë, jo INSTAT-i

 Alban Sejdini

Në Shqipëri nuk është e nevojshme të pyesësh qeverinë apo çdo institucion të paguar me lekët e taksapaguesve në lidhje me ecurinë e ekonomisë në këto vite krize botërore. Të gjithë e dimë, se qeverisësit dhe të paguarit me lekët e të qeverisurve një avaz kanë: bumi, rritja, lënia prapa, opozita, Gjermania, bukuri e dheut e të tjera si këto.

Keq e kanë punën të shkretët gazetarë të terrenit, që përditë duhet të përcjellin tek publiku të njëjtat deklarata të të njëjtëve njerëz, të cilët me fjalë të ndryshme thonë të njëjtën gjë ashtu siç u kanë thënë të thonë. Akoma më keq, ama, e ka populli i thjeshtë, që duhet të vuajë mbi kurriz efektet reale të një krize lekësh në duar e xhepa. Si për rastësi, kjo nisi të ndihej pas zgjedhjeve të vitit 2009, por nuk dihet se kur do të mbarojë. Ndoshta është më e përshtatshme, që të gjithë drejtuesit publikë të këtij vendi në këto kohë pabuksërie të mos dalin më në çdo kanal televiziv. Edhe mediat proqeveritare është më mirë, që të mos shfaqin më tituj bombastikë për ekonominë e plasur të vendit.

Biznesmenëve e tregtarëve duket sikur nuk ia mban të dalin në televizor e të flasin për krizë, sepse siç duket kujtojnë se janë ende në komunizëm dhe i dënon neni 55. Për rrjedhojë, meqë nuk po flet kush duhet të flasë, përditë duhen duruar nëpër edicionet e lajmeve të njëjtat fytyra, që përrallisin, kakarisin, hungërijnë e ulërijnë për zhvillimin ekonomik të një vendi, që nuk prodhon më asgjë pasi prishi çdo njësi prodhimi.

Nëse INSTAT-it kanë harruar ti thonë atë që duhet të thotë zyrtarisht për ekonominë shqiptare, çdo i paduruar për shifra mund të përdorë si barometër matjeje tregun e mirënjohur tek Medreseja. Dhjetëra kinezë e shqiptarë shesin përditë mallra nga më të ndryshmet me çmime nga më të lirat, që mund të gjenden në tregjet shqiptare. Ky fakt është aq i mirënjohur, sa tipat snob paragjykojnë këdo që shikojnë duke kaluar në atë rrugë e më keq ata që blejnë veshje e gjëra të tjera. Logjika e do, që në kohë krize të paktën ky lloj tregu të paktën të mos njohë rënie, pikërisht për shkak të këtyre karakteristikave. Deri në fund të vitit 2009, punët vijonin thuajse vaj. Me hyrjen e vitit pasardhës, tregtarët shqiptarë të kësaj rruge tregojnë se shitjet filluan të binin, duke e mbyllur 2010 me një rënie deri në 30 për qind të xhiros. Në këtë periudhë, qeverisësit deklaronin se Shqipëria i bënte karshillëk krizës. Viti 2011, sipas tregtarëve të Medresesë, po mbyllet me një rënie të xhiros deri në mbi 50 për qind.

Gjatë kësaj kohe, qeverisësit kanë deklaruar, se Shqipëria i ka ndier vetëm efektet e krizës më pak se çndihet duhma e naftës plehrë, që digjet nëpër motorët e makinave shqiptare, të cilat e kalojnë kolaudimin e privatit me lek nën dorë. Sa të besueshme mund të duken këto deklarata pëllitëse e kakarisëse në veshët e atyre tregtarëve të rretheve, që më parë furnizoheshin 2-3 herë në muaj tek Medreseja dhe që tani shkojnë aty vetëm një herë në 3-4 muaj?! Mirë që nuk shkojnë më aq shpesh në atë treg, por edhe kur i bëjnë një vizitë si për të thyer mërzinë e trishtimin, harxhojnë vetëm 20-30 dollarë për të blerë mall. Vetëm dy vite më parë, çdo vizitë u shkonte rreth 150 e më shumë dollarë.

Në pritje të asaj që dihet se do të thotë INSTAT-i, tregu i Medresesë mund të jetë barometri më i mirë i matjes së ekonomisë shqiptare, sepse aty furnizohet me mallrat e ndryshme të konsumit e gjithë Shqipëria e vërtetë. Rrethet nuk po konsumojnë më as mallrat e lira të këtij tregu, se atyre më të shtrenjtave as erë nuk u kanë marrë ndonjëherë. Në këto kohë mrekullie ekonomike sipas qeverisë dhe mungese leku në qarkullim sipas çdo qytetari të këtij vendi, njerëzit shpenzojnë vetëm për mallrat e domosdoshme për mbijetesë dhe për kafenetë, llotot sportive dhe lojërat e fatit. Deri këtu shkon lumturia e shtresës së ulët të shoqërisë shqiptare, sepse fatkeqët e shtresës përtokë fare në shoqërinë tonë nuk e kanë shansin të venë lloto apo të godasin të kuqen, të zezën apo tre rrushat

. Ajo pak shtresë e mesme është futur në letargji ekonomike si ariu në dimër, me shpresën që kur të zgjohet nga kjo ëndërr e keqe, do të ketë mbaruar kriza e do të ketë dalë sërish dielli financiar. Kjo në fakt nuk është një lëvizje edhe aq e gabuar, sidomos duke parë harbimin e tatimorëve dhe shtetarëve në kërkesën e llogarisë ndaj biznesit, duke i bërë reprezalje të gjithë atyre që janë aq leshko sa i shlyejnë rregullisht detyrimet e tyre. Në këto kohë krize, ku të fortët vazhdojnë të mos paguajnë dhe të urtët nuk kanë çtë paguajnë, tatimorët kërkojnë llogari deri më një në emër të shtetit ligjor. Mirë gjesti, që është qesharak për vetë aplikimin e rregullave cave po e cave jo, por edhe punonjësit e tatimeve ia shfryjnë biznesmenëve të urtë frustrimin e dështimit të një sistemi të tërë.

Shteti amerikan premton se të paktën do të përpiqet ti bëjë të lumtur nënshtetasit e tij dhe bëhet fjalë për një vend udhëheqës thuajse në çdo fushë të progresit global. Entiteti bananesk shqiptar ende pas 20 vitesh premton drita, ujë e rrugë për nënshtetasit e tij dhe bëhet fjalë për një vend udhëheqës thuajse në çdo fushë të regresit global. Për rrjedhojë, tregu i Medresesë rezulton më i besueshëm si njësi matëse për ekonominë se vetë Instituti i Statistikave. Dihet që INSTAT-i paguhet nga taksapaguesit, po se për çfarë paguhet, kjo mbetet për tu deshifruar vetëm nga ndonjë i penduar i drejtësisë në një vend ku kulmi i zotësisë është, që të marrësh një goxha rrogë pa bërë asnjë punë. Ndoshta ky institucion mund të ketë shpirt romantik, meqë e ka lënë Shqipërinë në terr informativ.

E sigurt është, se ajo që do të thotë kur ti vijnë dritat, nuk do ti tingëllojë minimalisht si gjë me mend shumicës së bizneseve të ndershme të këtij vendi. Këto po milen nga tre herë në ditë që pas zgjedhjeve të vitit 2009, edhe pse ka kohë që u ka mbaruar bari i kullotave. Në të gjithë këtë mjelje selektive, të njëjtat fytyra do të vijojnë të thonë të njëjtat gjëra në të njëjtat televizione në të njëjtën kohë televizive përballë të njëjtëve kundërshtarë me të njëjtat pretendime dhe të njëjtën mospërfillje për të njëjtët spektatorë fatkeqë të të njëjtit gjak e prejardhje.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›