Në Shkodër u lexua rezultati i 23 qershorit
Shkodra mbajti dje mitingun më të madh të 20 viteve të fundit në një prani votëbesimi për alternativën e Sali Berishës. Shkodran, Malësia e Madhe dhe Puka konfirmuan uraganin e votës së 23 qershorit, e cila do të ndalojë përpjekjen e pinjollëve të Bllokut, për restaurimin e pushtetit të tyre
Berisha: Do të liberalizojmë vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – miqtë tanë mezi po presin të përmbushim kushtet
Me një miting madhështor dhe pritje entuziaste kryeministri Sali Berisha e ka përmbyllur axhendën e tij intensive të takimeve në qarkun e Shkodrës, duke prezantuar skuadrën e Partisë Demokratike për këtë qark. Nga bastioni historik i së djathtës, kryeministri Berisha deklaroi se “Në këto pak vite, mundi, djersa, ndershmëria, përkushtimi, shpirti juaj punëtor, gjenia juaj krijuese bëri që ne të rritemi më shpejt se kurrë në historinë tonë. Në këto pak vite, shkodranet e shkodranët e lirë kanë rritur biznesin e tyre dy herë e gjysmë, krahasuar me pak vite më parë. Në këto pak vite, ne ndërtuam nga ura e Fierzës, në kufi me Tropojën, deri në Velipojë, nga Vermoshi deri në Pojan të Pukës, qindra e qindra kilometra rrugë. Ne po ndërtojmë kudo atë infrastrukturë që ju burrat e gratë e Shkodrës, e Malësisë dhe Pukës meritoni ta keni. Në këto pak vite, universiteti i Shkodrës po shkon drejt dyfishimit. Ne ndërtuam e rindërtuam në këtë qark, mbi 120 shkolla për fëmijët tanë. Ndërtuam me dhjetëra e dhjetëra ujësjellës e vepra të tjera publike”. Shkodrën e përjetësisë së kombit shqiptar, vuri në dukje kryeministri Berisha, e bëmë sërish të njohur në mbarë Europën. “Me qindra e mijëra turistë vizitojnë qytetin e mrekullueshëm, vizitojnë qarkun e Shkodrës, pasuritë kulturore e mahnitëse të tyre, por më mahnitëse se çdo gjë, shkodranët me shpirtin e tyre të bardhë, shkodranët me vlerat e tyre të mëdha”, theksoi ai. Lideri i mazhorancës ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve shkodranë për të firmosur me votën e tyre fitoren e mandatit të tretë, duke u shprehur i sigurt për marrjen e 8 deputetëve në këtë qark. “ Mandati i 8-të duhet të jetë vepra juaj. Shqipëria, Shkodra, Europa pret nga ju, gratë e burrat e Shkodrës, vajzat e djemtë e saj kudo ku jeni, 8 mandate për të ardhmen tuaj, për të ardhmen e Shqipërisë”, vijoi ai. Më pas kryeministri Berisha vuri në dukje se përballë kësaj alternative të zhvillimit të Shqipërisë qëndron alternativa tjetër që shëtit në rrugët e vendit me "bunkerin" e saj mavi. “Çfarë ndodh në kampi tjetër? Kampi tjetër po shëtit në rrugët e Shqipërisë në bunkerin e vet mavi, në autobusin mavi. Zoti Rama, këtu nga Shkodra, meriton përgjigjen e çdo shqiptari. Të krahasosh Sami Frashërin, Pashko Vasën, Filip Shirokën, Andon Zakon, Naim Frashërin me bandën e bllokmenëve të rinj në autobusin mavi, ke fyer çdo shqiptar, ke fyer rëndë baballarët e gjyshërit e tyre dhe ndëshkim i madh të pret më 23 qershor”. Ndër të tjera, kreu i qeverisë Berisha nënvizoi se të dalësh kundër NATO-s është një akt i sëmurë dhe kjo do ti japi atij një humbje si në Vatërlo. “Zoti Rama, ty nuk të vjen mirë, kur unë të përmend aktet mizore të etërve të tu, por si mund ta shpjegoj, thuajua qytetarëve, kur ti u deklaron sot se NATO është natë, je i sëmurë psikik apo i biri i të atit!? Cili je ti që guxon të thuash këtë gjë!? Kur ti u thua 40 mijë vajzave e djemve, burrave e grave, misionarë të dijes që mësojnë fëmijët tanë, se janë injorantë e se dinë më pak se 100 vjet më parë, je i sëmurë psikik apo je i biri i të atit që urren njerëzit e lirë, forcën e lirisë së tyre!? Zoti Rama, nga Shkodra të pyes, kur ti nga bunkeri yt mavi ke zemër t’i quash nxënësit, fëmijët tanë, nipërit e mbesat tona dele që hyjnë në klasë, je i biri i të atit apo je i sëmurë psikik!? Cila është e vërteta, thuaja shqiptarëve! Zoti Rama, Shkodra të kërkon llogari, Shqipëria do përgjigje të fortë. Kur ti nga autobusi yt mavi u thua vajzave tona, nënave e motrave tona, grave tona që kalojnë orë e orë dhe net të tëra, duke u shërbyer njerëzve tanë të dashur në spitale, se ti ke frikë të shkosh atje pa gruan, je i sëmurë psikik apo biri i të atit, që ke tmerr e frikë nga njerëzit e lirë!? Zoti Rama, ti e sheh Shqipërinë me syzet e zeza të etërve të ty, që kërkon t’i rilindësh, por me Vatërlo i përmbysëm, Vaterlo do të të japim ty, më 23 qershor”. Kryetari i PD mbështetjen nuk e ka kërkuar në ajër, pasi është treguar bujar edhe në premtimet për katër vitetet e ardhshme për këtë qytet.“Në çdo lagje, në çdo fshat, ne do të ndërtojmë infrastrukturë moderne evropiane. Shkodra do të ketë autostradën me 4 korsi, që lidhet me Tiranën. Do ketë të përfunduar By-Pass-in, rindërtimin e stadiumit dhe Vllaznia në krye. Stadiumin e ri të lojrave me dorë, rindërtimin e plotë të Teatrit, fototekës Marubi dhe Muzeun” premtoi Berisha. Në fund kryeministri Berisha premtoi edhe njëherë se në katër vitet që vijnë do të bëhet gjithçka për të liberalizuar vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Qytetare e qytetarë të Shkodrës e të mbarë Shqipërisë, katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të liberalizuar vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miqtë e mëdhenj të Shqipërisë mezi presin që ne të plotësojmë kushtet, për të lëvizur me viza të liberalizuara në vendin e madh të lirisë. Katër vitet që vijnë, në çdo lagje, fshat e komunë, në çdo skaj ne do të ndërtojmë infrastrukturën moderne europiane. Shkodra do të ketë autostradën me katër korsi që do lidhet me Tiranën. Shkodra do të ketë të përfunduar By pass-in, zgjerimin e mëtejshëm të rrugës së Murriqanit, rindërtimin e stadiumit dhe Vllaznia në krye, stadiumin e ri të lojërave me dorë, rindërtimin e plotë të teatrit, fototekës Marubi, muzeut dhe të gjitha mjediset e saj do të ngrihen në lartësinë e qytetit mijëravjeçar”, nënvizoi ai. Ndërkaq kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila kryeson edhe listën e kandidatëve për deputetë në Shkodër, tha se në këto 8 vite Shkodra e lënë pas dore, ka rilindur. Topalli akuzoi kreun e opozitës, Edi Rama, se nuk njeh asgjë nga Shkodra dhe shkodranët, pasi ne jemi njerëz të lirë dhe të vërtetë. Ajo ftoi shkodranët që kur të votojnë numrin 44 dhe emrin e Sali Berishës, duhet të dinë se qeveria ka ndërtuar 900 km rrugë në këtë qark.