Shpërfytyrimi antiperëndimor i Edi Ramës, jo vetëm retorikë zgjedhore
Të gjithë, si shqiptarët, ashtu edhe ndërkombëtarët kanë mundur të vërejnë sesa më shumë që po afrohet data e zgjedhjeve, aq më i madh po bëhet shpërfytyrimi politik dhe psikologjik i Edi Ramës. Pas nivelit të gjertanishëm të shpërfytyrimit, i cili manifestohej me premtime pa kamatë të bëra se do të bëjë një sistem shëndetësor falas, se do t’ua marrë pronat pronarëve dhe do t’ua japë të tjerëve, premtime që as që mund të ëndërrohet të bëhen realitet, dhe me përpjekje të kota për të zhvlerësuar angazhimet strategjike të qeverisë së Sali Berishës, niveli aktual i shpërfytyrimit ka mbërritur deri aty sa të dëgjojmë edhe denigrim të ëndrrës së të gjithë shqiptarëve: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Derisa premtimet për shërbim shëndetësor falas dhe për të marrë pronat nga pronarët e ligjshëm dhe për t’ua dhënë të tjerëve, konsideroheshin premtime qesharake dhe të parealizueshme në të vërtetë, këto që kanë të bëjnë me integrimin e shtetit shqiptar në NATO dhe me liberalizimin e vizave me BE-në, në fakt, veçsa po e thellojnë për të keq qasjen destruktive të Edi Ramës, por edhe të të majtës shqiptare ndaj proceseve integruese dhe të ripozicionimit gjeopolitik e gjeostrategjik të shqiptarëve si komb në kontekstin gjeopolitik e gjeostrategjik euro-perëndimor. Retorika emocionale e Edi Ramës lidhur me anëtarësimin e shtetit shqiptar në NATO, duke e quajtur atë natë, errësirë, apo edhe duke e paraqitur liberalizimin e vizave me BE-në si diçka të pavlerë dhe të parëndësishme, Edi Ramën dhe në tërësi opozitën e majtë, po e paraqet si një opozitë kundërperëndimore dhe me reminishenca të fuqishme enveriste, duke dëshmuar se kjo e majtë nuk është reformuar, përkatësisht nuk është liruar nga konceptet themelore enveriste-puniste. Së këndejmi, duket ashiqare se qëndrimi arrogant, rrugaçëror dhe tërësisht kundërkombëtar i opozitës së majtë në kohën kur shteti shqiptar anëtarësohej në NATO, nuk ka qenë thjesht një shpërfaqje nervoze ndaj realizimit të këtij akti të rëndësishëm për shtetin dhe kombin shqiptar nga ana e Sali Berishës, por edhe si disponim i vazhdueshëm kundërperëndimor. Kështu mund të thuhet edhe për qëndrimin e turpshëm dhe kundërkombëtar edhe në raport me liberalizimin e vizave me BE-në. Është e qartë, se si qëndrimi ndaj anëtarësimit të shtetit shqiptar në NATO, si ndaj liberalizimit të vizave, e majta shqiptare ka qëndrim të ngjashëm izolacionist ndaj shtetit dhe kombit shqiptar që ka pasur dikur Partia e Punës dhe Enver Hoxha. Edhe bllokimi i statusit të vendit kandidat për në BE, duket se është në këtë vijë, sepse asnjëherë as Edi Rama vetë, por as sejmenët e tij nuk kanë dhënë ndonjë arsye se përse e bllokonin mundësinë që shteti shqiptar të merrte statusin e vendit kandidat, ndërkohë që kryeministri Berisha ia kishte lënë mundësinë e plotë që të gjitha ligjet dhe aktet e tjera që kërkojnë 3/5 e votave në Kuvend, t’i propozojë opozita, ose që në ato ligje dhe akte të tjera ligjore, të përfshihen të gjitha propozimet e saj. Duke u tallur me anëtarësimin e shtetit shqiptar në NATO dhe me liberalizimin e vizave me BE-në, si dhe duke e bllokuar mundësinë që shteti shqiptar të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, Edi Rama dhe opozita e majtë, në të vërtetë, janë tallur dhe po tallen me aspiratat euro-perëndimore shqiptare, po tallen me ëndrrën e shqiptarëve për ta bërë shtetin shqiptar dhe kombin shqiptar si gjithë Evropa, ashtu siç kërkonin edhe studentët dhe gjithë shqiptarët në demonstratat e vitit 1990. Në këtë kuptim, talljet me arritjet e shtetit shqiptar në drejtim të rikthimit në kontekstin gjeopolitik e gjeostrategjik euro-perëndimor, Edi Rama, në fakt, po tallet edhe me ëndrrat e shumicës socialiste, të cilët kanë përfituar po aq shumë sa qytetarët e tjerë nga anëtarësimi i shtetit shqiptar në NATO dhe nga liberalizimi i vizave, dhe të cilët kanë humbur po aq shumë sa kanë humbur edhe të gjithë shqiptarët e tjerë nga bllokimi i mundësisë së fitimit të statusit të vendit kandidat nga ana e shtetit shqiptar. Së këndejmi, Edi Rama nuk është drejtuar kundër qeverisë Berisha, angazhimet qeverisëse të të cilës po mundohet më kot t’i shumëzojë me zero, por edhe kundër interesave të të gjithë socialistëve që janë po aq atdhetarë, po aq properëndimorë dhe që janë po aq pro NATO dhe pro BE sa edhe shqiptarët e tjerë. Socialistët, ndoshta kanë mundur t’ia falin Edi Ramës përpjekjet për të shumëzuar me zero investimet dhe sukseset e rëndësishme të qeverisë Berisha, siç është ndërtimi i rrugëve, ndërtimi i hidrocentraleve, konsolidimi i shtetit dhe sukseset e tjera në drejtim të zhvillimit ekonomik, rritja e prodhimit të brendshëm, sidomos i prodhimeve bujqësore, rritja e eksporteve, rritja e rrogave, pensioneve dhe arritjeve të tjera, e ndër të cilët, kryesuksesi: kontrolli mbi parametrat makroekonomikë që bëri që vendi të mos bjerë në krizë ekonomike, edhe pse nga të gjitha këto kanë përfituar edhe ata vetë, sa që kanë përfituar shqiptarët e tjerë, por nuk e di se si do të mund t’ia falin atij shpërfytyrimin kundërperëndimor, për të gjitha ato që thashë më lartë. Është kështu për faktin se me këtë shpërfytyrim kundërperëndimor, Edi Rama mund të cenojë shumë raportet me aleatët strategjikë të shqiptarëve, sepse është e vështirë të besohet se ata do të gëlltisin aq lehtë gjithë këto tallje dhe përbuzje që po i bën Edi Rama në llogari të NATO-s dhe të BE-së, sepse këto nuk mund të konsiderohen thjesht vetëm çështje gënjeshtrash zgjedhore, por edhe shpërfaqje serioze të një koncepti dhe mendësie politike enveriste. Kjo për faktin se këto tallje dhe përbuzje po vijnë pas një serie shpërfaqjesh të tjera të mendësisë enveriste, siç janë sistemi shëndetësor falas, tjetërsimi i pronës nga pronarët e ligjshëm për llogari të të tjerëve. Të gjitha këto, po ashtu cenojnë themelet e rendit demokratik, i cili bazohet në të drejtën trashëgimore pronësoro-juridike dhe të ndarjes së pushteteve.
Përfundimisht shqiptarët, dhe aleatët tanë euro-perëndimorë do të duhet të jenë më të vëmendshëm ndaj retorikës zgjedhore që po shpërfaq Edi Rama, ngaqë mund të cenojë tepër shumë funksionimin e sistemit demokratik, të rendit juridiko-kushtetues dhe të sigurisë, e ta fusë vendin në një rreth të ri anarkie nga i cili do të cenoheshin proceset e përfunduara dhe të filluara, por edhe ato që pritet të vazhdojnë dhe të përfundojnë. Duket se pas largimit nga Internacionalja Socialiste të partive socialiste perëndimore, dhe mbetja e Partisë Socialiste dhe e LSI-së në pjesën sllavo-ortodokse të partive socialiste, ka bërë që Edi Rama, po shpërfaq gjithnjë e më tepër varësi nga konteksti gjeopolitik e gjeostrategjik ruso-lindor.