Në Shqipëri, gjenden copa qelqi brenda në bukë

Nuk e dimë çfarë hamë. Sidomos kur bëhet fjalë për bukën, e cila është një ndër produktet më kryesore dhe nuk mungon asnjëherë në tavolinat e familjeve shqiptare, situata paraqitet alarmante.
Në një kohë që autoritetet e sigurisë ushqimore flasin se ky produkt nuk duhet të tregtohet në qese plastike por në letër për të rritur cilësinë ndaj konsumatorëve, këta të fundit në realitet përballen me situata shumë të skandaloze, raporton BW.
Në bukë konsumatorët kanë gjetur elementë nga më të 'larmishmit,' duke nisur nga fijet e thasëve të miellit, deri tek copat e qelqit. Shumëkujt i ka ndodhur që në bukë të kenë gjetur fije të thasëve ku mbahet mielli, plastikë, qese, qime, por janë regjistruar edhe raste ekstreme si gjetja e copave të qelqit.
Pranë Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar (SHKSH) janë regjistruar rreth 700 ankesa në lidhje me problemet me bukën, duke nisur nga pesha, ku janë konstatuar edhe ankesat më të shumta, por një përqindje të lartë kanë edhe ankesat në lidhje me elementë të ndryshëm që gjejnë në brendësi të këtij produkti ushqimorë.
Ndërkohë që ky produkt sa po vjen dhe po tregtohet me çmime edhe më të kripura, për cilësinë nuk mund të thuhet e njëjta gjë, pasi duke parë realitetin, kurba e cilësisë po bie me ritme të mëdha./Indeksonline/