Në Shterpcë kryetari i ri i Komunës vendos pushtet legjitim
PRISHTINE-Në Shterpcë kryetari i ri i Komunës ka ndërmarrë hapin e parë për vendosjen e pushtetit legjitim dhe mënjanimin e strukturave paralele. Bratisllav Nikolic, kryetari i ri i Komunës së Shterpcës, i dalë nga zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009, pas inaugurimit të tij pardje, mbrëmë ka ndërruar cilindrat e dyerve të zyrave të Komunës, që i kishin uzurpuar strukturat paralele serbe. “Koha Ditore” bën të ditur se në nëntë zyrat, që ndodhen përballë objektit të Komunës, sot ka nisur të vendoset administrata legjitime e kësaj komune. Sot objekti ka gdhirë i bllokuar nga Policia e Kosovës, në mënyrë që të pengohen veprime të paligjshme të individëve nga strukturat paralele, kurse brenda lejohej hyrja vetëm e personave nga përbërja e pushtetit e të administratës legjitime. Njerëz të pushtetit paralel janë mbledhur dhe po shikojnë këtë ndryshim. Ata këtë veprim e kanë cilësuar si “uzurpim” të objektit. Mirëpo, deri në këto momente nuk ka pasur zhvillime shqetësuese dhe situata është e qetë, bëri të ditur sot “Koha Ditore”. (d.b/BalkanWeb)