E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Topillë të Shtimes zbulohet një shpellë mermeri

Ishte nisur nga shtëpia për një ditë të zakonshme pune, por nuk i doli e tillë.

Derisa po gërmonte me ekskavator për të nxjerrë gurë, Idriz Rexhaj, një i ri nga fshati Petrovë, kishte vërejtur diçka të pazakonshme.

Rrugës për në fshatin Topillë të Komunës së Shtimes, disa metra mbi vendin që njihet si Vrella e Zezë, rastësisht kishte hasur në një shpellë të pazbuluar deri më tani.

Rexhaj do të shuante kureshtjen e rij, duke u futur në brendi të shpellës. Fill pas vizitës së parë që i kishte bërë shpellës së re, ai u ishte drejtuar zyrtarëve të Komunës së Shtimes. Këta të fundit e kanë konfirmuar lajmin për "Kohën Ditore".

Sipas përshkrimit nga vizita e parë që i kanë bërë shpellës zyrtarët komunalë, ajo ka hyrje natyrore, një korridor që vazhdon me gjatësi rreth 20 metra, derisa pjesa pas tyre ka një ngushticë, e cila nuk është eksploruar ende.

Njeriu që i pari zbuloi shpellën që i është shtuar listës së atraksioneve natyrore të Kosovës, ka shpjeguar se gjithçka ka ndodhur krejt rastësisht.

“Territori i fshatit Topillë njihet edhe për shpella të tjera, ndërsa zbulimi i kësaj shpelle paraqet një risi e cila në të ardhmen pritet që të rrisë numrin e vizitorëve në këtë anë. Është një zbulim interesant dhe presim ditëve në vijim që zyrtarë nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (AKMM), i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të vizitojnë dhe të japin një vlerësim lidhur me këtë”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Shtimes, Rrahman Jakupi.

Sipas tij, aktualisht janë marrë masat që këto shpella të mbrohen nga dëmtimi i njeriut apo ndonjë dëmtim tjetër.

“Në një të ardhme të afërt ka edhe plane të tjera që këto të shndërrohen në pika turistike për vizitorë”, ka shtuar ai.

Hapësira në të cilën është gjetur shpella, përkatësisht rruga prej Gurit të Shtrenjtë deri në fshatin Topillë, është e njohur edhe për atraksione të tjera, siç është Shpella e Imer Devetakut, Kështjella Mesjetare e Topillës, Shpella e Lakuriqëve, e njohur edhe si Shpella e Topillës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›