E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Vlorë lëshohen diplomat pa emrin e Ismail Qemalit

Në Universitetin e Vlorës thellohet skandali përmes veprimeve konkrete. Studentët po pajisen me diploma, ku është hequr emri “Ismail Qemali”, konfirmon për agjencinë e lajmeve NOA, korrespondentja e Vlorës.

Sikundër shihet qartë dhe në foto, një studente ka marrë diplomën, ku në kokën e saj është shënuar vetëm “Universiteti i Vlorës”.

Skandali i Universitetit të Vlorës u zbulua, pasi një studente ka demonstruar diplomën e saj, ku nuk ishte shënuar emri zyrtar që mbante prej vitesh universiteti. Po ashtu, mungonte dhe logoja e mëparshme që paraqitej në çdo dokument zyrtar që lëshohej nga Universiteti i Vlorës.

Ndërkohë, mësohet se vetëm ditët e fundit janë shpërndarë më shumë se 200 diploma për djem dhe vajza të diplomuar këtë vit në Universitetin e Vlorës. Këta janë diplomuar më datë 25 korrik 2008.

Studentët kanë treguar për NOA se më 25 korrik, pra katër ditë më parë, është kryer ceremonia e dhënies së diplomave. Pikërisht në këtë ditë është dorëzuar dhe diploma që shihni në foto, që është vetëm një prej 200 të njëjtave të shpërndara në një ceremoni të posaçme, në pallatin e sportit “Flamurtari” të Vlorës. Mësohet se diplomat janë nënshkruar nga autoritetet e universitetit, më 22 korrik dhe 23 korrik 2008.

Kurse propozimi i Senatit mban datën 26 korrik dhe shpallja e vendimit të tij për heqjen e emrit, datën 27 korrik 2008.

Skandali bëhet edhe më i rëndë, për faktin se këto diploma janë prodhuar shumë ditë më parë se të hidhej për votim propozimi i Senatit të Universitetit të Vlorës, propozim që u miratua vetëm tri ditë më parë.

Skandali vjen si “dhuratë” nga Senati i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës.

Në shkresën e 26 korrikut, që përmbante rendin e ditës së mbledhjes në këtë universitet, Senati kërkon ndryshimin e emrit të universitetit.

Sipas informacionit zyrtar të mbledhjes, Senati miratoi me shumicë votash ndryshimin e emrit të universitetit, nga “Ismail Qemali”, në Universiteti i Vlorës.

Në Senat votuan 14 persona, ndër të cilët tetë dhanë votat pro dhe gjashtë të tjerët u shprehën kundër propozimit të paprecedent.

“Është më mirë që nëpër botë institucioni ynë të emërtohet, të njihet dhe përfaqësohet thjesht si Universiteti i Vlorës sesa si Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës”, - ishte argumenti i dhënë nga Senati, një pretendim i debatuar gjatë dje në mbledhje nga gjashtë emrat që më pas votuan kundër projektit.

Kurse vetë rektori Tanush Shaska kishte deklaruar dje, se “përgjegjësia morale mbi këtë veprim bie plotësisht mbi mua si kryetar i Senatit dhe Rektor i Universitetit”.

Shaska pranoi se Senati nuk ka të drejtë të ndryshojë emrin e universitetit, por vetëm propozon diçka të tillë, pasi emri i universiteteve ndryshohet vetëm me vendim të qeverisë.

“Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës po merr një karakter gjithmonë e më shumë ndërkombëtar. Vetëm këtë vit ne kemi me qindra kërkesa për studime nga vende si Kina, India, Bangladeshi, Pakistani, vendet e Lindjes së Mesme etj. Në këto kushte, përmirësimi i imazhit të universitetit është synimi ynë kryesor. Duke pasur parasysh këtë, unë ende mendoj se Universiteti i Vlorës është shumë herë më i marketueshëm sesa Universiteti “Ismail Qemali”. Emrat e shkurtër janë shume më efektivë sesa emrat e gjatë. Unë dua t’ju sjell si shembuj se universitete si “Oxford University”, “Cambridge University”, “University of Michigan”, “University of Florida”, “University of California at Berkeley”, “University of California at Los Angeles” etj., sot njihen vetëm me emrat Oxford, Cambridge, UM, UF, Berkeley, UCLA etj. Së dyti, figura dhe vepra e Ismail Qemalit nuk nënvlerësohet nga fakti, nëse një universitet ka ose jo emrin e tij”, - deklaroi Shaska.

Prof. Dr. Bilal Shkurtaj, ish-rektor i universitetit në Vlorë ka deklaruar dje se është e paligjshme që diplomat janë dhënë pa emrin e Ismail Qemalit.

“Vendimi është i pamenduar mirë, madje i pathelluar. Unë nuk mendoj se rregullohen gjërat në universitet duke i bërë qejfin rektorit, sepse shumë nga këshilltarët që votuan pro e bënë vetëm për të ndjekur vullnetin e rektorit dhe jo se e kishin menduar me qetësi, pra ashtu si duhet këtë çështje”.

Ndërsa Arta Musaraj, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë, tha sot se ka votuar kundër vendimit të Senatit: “Votova kundër, si shqiptare në radhë të parë. Nuk mund të bëhen ndryshime në këtë emër. Ne kemi emrin e Babait të Kombit e për këtë duhet të jemi krenarë”.

Dr. Musaraj shtoi se “ky propozim ishte absurd dhe për më tepër justifikimi edhe më absurd, duke argumentuar: “Ju kujtoj faktin se ne kemi 10 vjet që kemi ditur të krijojmë binjakëzime e ta bëjmë që ky universitet të njihet në arenën ndërkombëtare me këtë emër”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›