Importet, 44 milionë euro lëndë të para, 600 milionë euro mallra të gatshme
Shqipëria ka importuar gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti rreth 44 milionë euro mallra të papërpunuara (lëndë të para) dhe rreth 600 milionë euro mallra të përpunuara. Rritja e madhe e importeve dhe pafuqia e ekonomisë sonë për të përballuar thellimin e deficitit ka vazhduar edhe për shkak të këtyre treguesve që tregojnë për një prodhim vendas në nivele të ulëta. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar vendi ynë importoi rreth një miliard euro mallra të përpunuara dhe rreth 83 milionë euro mallra të papërpunuara ose lëndë të para. Fakti që vendi ynë ka raportin një me dymbëdhjetë lëndë të para dhe mallra të gatshme, tregon për dorëzim të prodhimit vendas dhe pafuqi për të konkurruar. Qeveria shqiptare është përpjekur gjatë tre viteve të fundit të ndërmarrë politika për të nxitur eksportet dhe për të rritur kësisoj prodhimin vendas, por rezultatet nuk kanë qenë domethënëse. Një agjenci e nxitjes së investimeve është përpjekur të financojë marketingun e prodhimeve vendase, megjithatë fondet e pakta në dispozicion të saj dhe shumë arsye të tjera kanë bërë që eksportet të mos munden të ngushtojë asfare hendekun me importet. Deficiti tregtar vitin e kaluar ishte 2,3 miliardë euro dhe mbulimi i tij është një prej detyrave më të vështira të ekonomisë sonë. Rreth një miliard euro të emigrantëve munden të mbulojnë më pak se gjysmën e tij dhe pjesën tjetër duhet ta bëjnë eksportet, por ato munden të bëjnë më pak se 25 për qind të deficitit. Banka e Shqipërisë thotë se në lidhje me nivelin shumë të madh të importeve vitin e kaluar kanë ndikuar çmimet shumë të larta sidomos në energji dhe në karburante. “Rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës dhe importet e larta në energji elektrike, të shoqëruara me kërkesën për mallra të ndërmjetme dhe ato kapitale, përbëjnë faktorët kryesorë në rritjen e importeve edhe gjatë vitit 2007”, - thotë Banka e Shqipërisë. Në të vërtetë, për shkak të çmimeve të rritura, importi i karburanteve dhe i naftës rezultoi 75 për qind më i lartë se në vitin 2006, në një kohë që kërkesa për karburante ishte vetëm 1,5 për qind më e lartë. Pra, kemi patur të bëjmë me rritje vetëm për shkak të çmimeve. Fakti që ritmi i lartë i importit të mallrave të përpunuara vijon edhe në gjashtë muajt e parë të këtij viti dhe ruan thuajse të njëjtin raport me importet e lëndëve të para, tregon se deficiti do të thellohet ende dhe se prodhimi vendas do të jetë afërsisht në këto nivele krahasuar me kontributin në ekonomi.