Në Zvicër për fitore

Kombëtarja e Shqipërisë nuk e ka festuar gjatë triumfin e së premtes ndaj Qipros prej 3:1, në ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin botëror, ‘Brazili 2014’. Kjo pasi kuqezinjve nuk u premtonte koha për të festuar, ngase të martën i pret sfida e radhës dhe shumë më e vështirë sesa ajo me Qipron. Përveç që do të luajë si mysafire, Shqipërinë në Luzern e pret ekipi tjetër i Grupit E, Zvicra shumë cilësore, e cila në duelin e parë e mposhti si mysafire Slloveninë me rezultat 0:2.
Kjo përballje qysh moti ka zgjuar interesim dhe reagime të ndryshme jo vetëm në opinionin shqiptar dhe atë zviceran, por edhe më gjerë, për faktin se ngjyrat e helvetikëve ndaj Shqipërisë do t’i mbrojnë pesë shqiptarët: Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka, Blerim Xhemajli e Admir Mehmedi.
Të gjithë ata po e presin nën emocione këtë takim, derisa për Shqipërinë kjo ndeshje konsiderohet si çdo duel tjetër i zakonshëm, por pikët i vlerëson si shumë të rëndësishme. Andaj, selektori i italianëve, Gianni De Biasi ka treguar se me djelmoshat e tij do të tentojë ta mposhtin Zvicrën midis Luzernit.
“Synimi në ndeshjen me Zvicrën? Si gjithnjë, për të fituar, por e dimë se do të jetë më e vështirë, pasi kundërshtari është më i fortë sesa Qiproja, dhe shumë cilësor. Duhet të jemi shumë të përqendruar”, ka theksuar De Biasi, i cili e ka rishfaqur kënaqësinë e tij që ia ka sjellë fitorja e së premtes ndaj Qipros me rezultat 3:1.
Pjesa e parë e takimit kishte përfunduar baras 1:1, derisa qipriotët u mbajtën deri në minutën e 84-t, por atëherë ata u shpartalluan nga kuqezinjtë, të cilëve fitoren ua solli në mënyrë sensacionale dyshja sulmuese, Edgar Çani – Erjon Bogdani, të inkuadruar në lojë nga bankina. E trajneri i shqiptarëve, Gianni De Biasi ndihet krenar që vendimi i tij për t’i inkuadruar në lojë Bogdanin e Çanin doli si shumë i qëlluar.
“Kishin rëndësi tri pikët. Nuk ishte e lehtë të luhej me Qipron në këtë kohë, sepse është ekip me formë të mirë dhe me lojtarë të mirë. Shënuam gol, krijuam raste, por ishte fatkeqësi që pësuam gol në minutat shtesë të pjesës së parë. Në pjesën e dytë luajtëm me të gjithë sulmuesit që patëm, duke shfrytëzuar freskinë fizike dhe aftësinë ajrore. Kalova Hykën në krah dhe luajti mirë, sikurse Çani, ndërsa Bogdani shënoi një gol të madh”, ka theksuar strategu italian.
De Biasi përgëzon dy kosovarët: Mehën e Kukelin
Gianni De Biasi është shprehur i kënaqur me angazhimin që e kanë dhënë të gjithë futbollistët e tij përballë Qipros, derisa i ka lavdëruar edhe paraqitjet e para me fanellën kuqezi të dy kosovarëve, Burim Kukelit e Alban Mehës. Madje, Meha ishte ndër më të mirët në fushë.
“Kemi gjetur dy lojtarë të rinj, nuk ishte i lehtë debutimi i tyre, por ata ia dolën mbarë. Ndërsa ekipi mund të rritet në të ardhmen”, ka thënë De Biasi.
Ndërsa, edhe vetë Meha është shprehur shumë i lumtur që debutoi me fitore me fanellën kuqezi. “Ende i kam të dridhurat në trup. Kur shënoi Çani sikur shpërtheu stadiumi. Për mua ishte debutimi dhe më mirë se kaq s’mund të shkonte”, ka thënë mitrovicasi.
Kurse Kukeli është shprehur: “Jam ende i emocionuar dhe debutim më të mirë se kaq s’mund të bëja. Tifozët na shtynë drejt fitores. Të shpresojmë që të vazhdojmë kështu”, ka thënë ai.
Gëzim e pikëllim për Bogdanin
Dueli mes Shqipërisë e Qipros (3:1) do të mbetet gjatë në memorien e Erjon Bogdanit. Sulmuesi shqiptar përjetoi pikëllim e gëzim gjatë atij takimi, por nuk kishte mundur ta festonte fitoren dhe supergolin e tij. Kjo pasi para ndeshjes, gjyshja e tij ishte ndarë nga jeta. Por këtë nuk e kishte ditur askush në ekipin kuqezi, madje as trajneri De Biasi. Pas ndeshjes, Bogdani i shoqëruar nga vëllai i tij është nisur shpejt drejt shtëpisë, dhe vetëm atëherë De Biasi dhe shokët e Bogdanit ishin njoftuar për rastin.