E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premia për Zvicrën

Dueli mes Zvicrës e Shqipërisë po afrohet, derisa pikët e këtij takimi konsiderohen shumë të rëndësishme nga të dyja palët. Edhe pse konsiderohen favoritë, Federata Zvicerane ua ka premtuar futbollistëve të saj nga 12 mijë franga premi nëse e mposhtin ekipin e De Biasit. Kurse, reprezentuesit shqiptarë vështirë se do t’i përfitojnë më shumë se nga 3 mijë euro nëse në Tiranë kthehen me pikë të plota.

Shqipëria e Zvicra i kanë nisur me fitore kualifikimet për Botërorin ‘Brazili 2014’ në Grupin E. Kuqezinjtë në ndeshjen e parë e mposhtën Qipron me rezultat 3:1, derisa helvetikët e mundën Slloveninë, 0:2.

Kështu, këto dy skuadra tani prijnë në grup, të shoqëruara edhe nga Islanda, por që të martën në Luzern do të përballen mes veti. Ky duel qysh moti ka zgjuar interesim dhe reagime të ndryshme jo vetëm në opinionin shqiptar dhe atë zviceran, por edhe më gjerë, për shkak se ngjyrat e helvetikëve ndaj kuqezinjve do t’i mbrojnë pesë shqiptarët: Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka, Blerim Xhemajli e Admir Mehmedi – të cilët gjenden nën emocione shpirtërore, ndërsa shumë më të qetë janë reprezentuesit shqiptarë.

Pikët e këtij takimi vlerësohen shumë të rëndësishme nga të dyja palët, të cilat ndiejnë frikë nga njëra-tjetra. Zvicra është favorite, por nuk e ka të sigurt fitoren, për të cilën do të luftojnë edhe shqiptarët.

Duke e parë rëndësinë e këtij takimi, Federata Zvicerane e Futbollit ua ka premtuar nga 12 mijë franga premi futbollistëve të vetë nëse e mposhtin Shqipërinë. Ndërsa, në rast se nuk mund të nxjerrin më shumë sesa një barazim, Shaqiri, Xhaka, Behrami, Xhemajli, Mehmedi dhe shokët tjerë të tyre nuk do të përfitojnë më shumë sesa nga 5 mijë franga premi.

Kështu të paktën ka raportuar gazeta shqiptare ‘Tema’, sipas së cilës, premitë që Federata Shqiptare e Futbollit ua ka ofruar futbollistëve të vet në rast triumfi në Luzern, janë shumë më të vogla.

Sipas kësaj gazete, futbollistët shqiptarë nuk përfitojnë më shumë sesa tre mijë euro premi në rast fitoreje, ndërsa për një pikë të fituar, ata shpërblehen me nga 1 mijë euro. Vetëm nëse kuqezinjtë e arrijnë ndonjë rezultat tepër të madh, ndoshta do të mund të përfitojnë ‘ekstra-premi’, që i bie dyfishi i atyre të lartpërmendura.

Xhaka kërkon fitore ndaj Shqipërisë

Në duelin Zvicër – Shqipëri vëmendja e të gjithëve do të jetë e përqendruar kryesisht kah pesë futbollistët shqiptarë të ekipit zviceran: Behramit, Xhemajlit, Mehmedit, Shaqirit e Xhakës. Që të pestët ata po e presin me emocione duelin ndaj ekipit përfaqësues të kombit shqiptar, çfarë janë edhe vetë ata. Por, Granit Xhaka thotë se ekipi i tij duhet të luftojë për fitore.

“Objektivi ynë është i qartë: kualifikimi në Kampionatin botëror. Fitorja ndaj Sllovenisë ishte hapi i parë, kurse të martën do të mundohemi ta bëjmë hapin e dytë ndaj Shqipërisë. Edhe pse luajmë si vendas, për ne do të jetë sikur të luajmë si mysafirë, sepse stadiumi do të jetë përplot me tifozë shqiptarë. Do të jetë shumë e vështirë, por duhet ta japin njëqindpërqindëshin për të fituar, ngase nëntëdhjetenëntë përqindëshi nuk do të mjaftojë”, ka pohuar mesfushori prishtinas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›