E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Biazi: Fitorja, për vajzën time

TIRANE-Ankthi i tij në minutat e fundit të ndeshjes, mund të ndjehej kudo. Xhani De Biazi është mësuar me mbrëmje të tilla, ku ndonjëherë ndoshta “mallkon” pse nuk është në fushë vetë. Sepse, ndeshja ndaj Qipros, megjithë rezultatin e rëndësishëm dhe 3 pikët, nuk u ngjit asnjëherë në ato nivele që pritej për përfaqësuesen shqiptare.

De Biazi është parë tepër i shqetësuar, por si një italian që është, ai ka besuar deri në fund. Ka besuar duke bërë ndërrime vetëm në sulm, duke menduar se ndaj Qipros duhej vetëm fitorja dhe asgjë tjetër. E në fund, pas bilbilit të gjyqtarit kazakistanas, tekniku italian ka hyrë në fushë duke i përgëzuar të gjithë. “Ishte një ndeshje e vështirë dhe unë e kisha thënë edhe më parë, - deklaroi De Biazi pas ndeshjes. - Qipro është një skuadër që nuk të lejon të luash. Unë mendoj se duhet durim. Kemi një skuadër të re, dy lojtarë si Meha dhe Kukeli të cilët nuk kishin luajtur kurrë me njëri tjetrin, por edhe me Kombëtaren”, shtoi ai. Tekniku italian pranoi se loja e skuadrës nuk është ende ajo që pritet, por sipas tij, ka ende kohë për përmirësim, “ndërsa fitorja e parë në ndeshje zyrtare me Shqipërinë ka shumë rëndësi për mua”, thotë ai. I pyetur se kujt ia dedikon këtë fitore në stolin e Shqipërisë, tekniku i kombëtares përgjigjet: “Ia dedikoj vajzës sime, që sot (dje)ka ditëlindjen dhe mbush 20 vjeç”.

Shqipëria do ta luajë ndeshjen e radhës kundër Zvicrës, ditën e martë, ku pritet që tekniku italian të bëjë disa ndryshime. Sipas tij, nuk është e lehtë të luash në fushën e kundërshtarit më të fortë të grupit. “Kundër Zvicrës do të luajmë me krenari dhe me durim. Janë skuadra më e fortë e grupit, të paktën unë kështu i konsideroj. Do shkojmë në Zvicër me kokën lart”, shtoi trajneri italian i Shqipërisë. De Biazi ndërkohë ruajti traditën e trajnerëve të huaj në Shqipëri, të cilët në ndeshjen e tyre të parë me kombëtaren, kanë arritur përherë të mos humbasin. De Biazi e nisi si Brigel, që në start mori një fitore 3-1 në Shkodër ndaj Rusisë, që drejtohej atëherë nga Valeri Gazajev.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›