E Diel, 1 Nëntor 2026

Në barkun e Partisë së Presidentit

Share

Nuk është barku i Titanikut. As i Concordias. Është thjesht selia e partisë më të re në Shqipëri. E cila, natyrisht që ska asgjë të përbashkët me dy metaforat e mësipërme. Përkundrazi. Projekt ambicioz, fytyra të reja e plot energji, fjalë të zgjedhura e mbi të gjithë dhe mbi gjithçka hija e kreut të shtetit që shtrihet e padukshme ngado. Ky është perceptimi i parë, kur viziton selinë e Frymës së re Demokratike

Nga Gladiola Bendaj

Revista JAVA

Është mesdita e 1 Majit. Kanë kaluar vetëm 24 orë nga momenti i zhvillimit të ceremonisë së zyrtarizmit të Frymës së Re Demokratike, partisë më të re për shqiptarët. Një ditë më parë, i qetë dhe sportiv,e qytetar si pakkush, kryetari i grupit nismëtar të FRD-së, Gazmend Oketa, mbajti një fjalim të gjatë para mediave dhe qindra të pranishmëve. Një frymë e re demokratike, një parti që do të përfaqësojë shtresën e mesme të shoqërisë shqiptare, klasën më amullike të saj. Një e djathtë e qendrës, fokusuar fort tek rinia, target grupi kryesor. Për tu ndierë kështu, atyre nuk iu duhet shumë. Mjafton ajri i një zyre, dhënia e një përgjegjësie, fryma e të barabartit në grup, një karrige, një këmishë e hekurosur bukur, një CV në perspektivë, ca shkresa nëpër duar …

Sa i takon politikës, partisë, platformës, strategjive, shanseve ose jo, për këtë u fol e do flitet gjatë. Ne deshëm të ndalim pak në këtë atmosferë starti të ditëve të para të punës aty, në ambientet e sapokrijuara të partisë më të re të shqiptarëve e 135-ta ose e 136-a në listë, siç na thanë më vonë vetë.

Partia e presidentit përballë Parlamentit

Është ditë pushimi pothuajse për gjithë shqiptarët. Trafiku është periferive dhe zhegu i ditës lë pak vend për lëvizje. Edhe në rrugën George W. Bush lëvizin pak makina. Parlamenti duket se ka mbajtur frymën, asnjë lëvizje nuk duket prej andej. Çerdhja e marrë me qira nga të zhgënjyerit e PD-së, ndodhet fiks përballë kësaj godine, vetëm pak metra larg nga selia PD-së. Është pa diskutim partia me logon më të madhe të ekspozuar. Në katin sipërm të godinës së Kasmëve, veshur me tulla të kuqe dekorative, ajo zë pothuajse gjithë gjatësinë e tij. Fryma e Re Demokratike, gërma të mëdha në blu evropiane dhe logoja trengjyrëshe e simbolit të Frymës së Re. Nuk mungon e verdha e së djathtës dhe blu-ja dhe e kaltra evropiane. Sipas preferencës apo fantazisë, ca e definojnë si flaka e një qiriu e ca të tjerë si një syth. Tek e fundit, është pranverë… Nuk dihej se kush ishte disenjatori i logos, por ama emri ishte përzgjedhur nga një sondazh i bërë, mes plot dhjetë varianteve të tjerë të propozuar: Forca e Re Demokratike; Lëvizja Popullore Europiane; Forca për Integrim dhe Unitet; Fryma e Demokracisë së Re…

Selia e partisë më të re në vend ka hapur dyert për anëtarët dhe simpatizantët e saj. Të 23 zyrat e saj janë vendosur në të dy katet e fundit të godinës dhe zënë një sipërfaqe të përgjithshme prej 550 metrash katrorë. Kati i sipërm është rezervuar për zyrat e drejtuesve, sallën e mbledhjeve dhe atë të konferencave. Modeste në sipërfaqe këto të fundit, por gjithsesi, mjaftueshëm për një fillim të ri. Një kat më poshtë, janë vendosur zyrat e stafit ekzekutiv dhe administratës. Është pikërisht kjo hapësira ku të rinjtë kanë marrë në dorë situatën dhe presin e përcjellin vizitorët. Mëngjesi, thonë, ka qenë më i zhurmshëm. Madje, madje, nuk kanë munguar as ata që prisnin që me sabah që zyrat të hapeshin e të futeshin për tu regjistruar.

Në ditën e parë të punës

Hyrja për në godinë është një derë e ngushtë. Sipas saj, është vendosur rishtazi një kartelë me logon blu që tregon se je në rrugën e duhur. Ndjekim një kafaz shumë të ngushtë shkallësh të pastra, që lë pas korridore gjithaq të ngushtë dhe jemi lart. Qetësi. Një korridor pak më i madh pritës që shpohet nga ca kolona të rrumbullakëta. Nga dera e hapur përballë, ku shkruhet Financa, duken tre djem të rinj të ulur në një tryezë të vogël, ndarë me hapësira xhami, si ato të një call-center. Nuk tërheqim vëmendjen e askujt dhe teksa marrim shkallët për në katin e fundit, na thërret zëri i një vajze. Sipër nuk ka njeri, kë kërkoni?

Kërkojmë Z. Biberaj. Ka vetëm pak minuta që është larguar për drekë. 1 maji i të gjithëve përkon me ditëlindjen e tij. Teuta na drejton në një hapësirë të ndriçcuar mirë që duket si sallë mbledhjesh. Një tavolinë e thjeshtë në formë L-je, zë karrige të larta me ndenjëse damasku që janë ende në qese, ca formularë anëtarësimi të plotësuar e ca të tjerë bosh të radhitur me kujdes, një laptop i vogël, stilolapsa dhe një stick për ngjitjen e fotografive. Jemi ende duke punuar me sistemimin e zyrave, pritet të vijnë kompjuterët, të lidhet interneti, të përfundojë mobilimi i të gjitha zyrave, të ndahen pozicionet e punës… Por këto janë detaje që shumë shpejt do të jenë gati. Puna ka filluar dhe njerëzit që na kanë vizituar kanë qenë të shumtë. Të mendosh që është vetëm dita e dytë… Cila është konkretisht detyra e saj? Tani për tani, të gjithë përpiqen të bëjnë diçka të dobishme. Ajo vetë nuk e di ende këtë, sepse nuk marrim ndonjë përgjigje shumë konkrete. Ndoshta është herët, ndoshta është diskrete… Por më mirë është që ju të flisni me Z. Biberaj, ai vjen pasdite….

Aleksandër Biberaj, ish deputeti i PD-së, është një nga kryesuesit e grupit iniciator dhe mesa duket është ai që ka marrë përsipër edhe komunikimin me median në këto ditë të para të FRD-së. Pasditja vjen shpejt. Djemtë e turnit të paradites janë zëvendësuar nga të tjerë. Nuk ka ardhur ende interneti, sepse duhet të ishin duke u marrë dhe me faqen zyrtare të partisë dhe atë që kanë hapur në Facebook. Janë të sjellshëm, të kujdesshëm me fjalët dhe flasin me radhë.

Të rinjtë vullnetarë

Rezart Sina është vetëm 24 vjeç. Mes të katërve, ai duket si më kompetenti. Qëndron para një laptopi dhe ndërsa flet nuk e ndalon punën. Jep e merr duke shkruar e klikuar. Ka një pamje të kuruar prej djaloshi që sapo ka dalë nga kolegji, që mban për vete një buzëqeshje të përmbajtur. Ai ska shumë që është kthyer në Shqipëri, pas 6 vitesh studime për financë në New York. Ideja për tu angazhuar në politikë duket se nuk ishte dhe aq e rastësishme. Pak dëshira për tu kthyer e për të kontribuuar në atdhe, pak familja, të njohurit… U njoha nga afër me nismën e FRD-së dhe më pëlqeu. Është një sfidë dhe mua më pëlqejnë sfidat. Mendoj se është një fillim i mbarë për mua dhe kam besim se rezultatet do jenë të kënaqshme. Më tërhoqi ideja që u jepej prioritet të rinjve kryesisht, që puna konsistonte në sjelljen pranë të këtij target grupi, komunikimi i drejtpërdrejtë me ta. Rinia shqiptare ka nevojë të motivohet, unë jam një prej tyre….

Emri i Rigels Xhemollarit na bie disi i njohur. Ai buzëqesh jo pa siklet, sikur të dojë të thotë se nuk është se ka bërë ndonjë gjë të madhe. Por ja që ndryshe nga shumica e bashkëmoshatarëve të tij, ka ndjekur angazhime të njëpasnjëshme, deri sa më në fund, pranon se ka gjetur frymën e duhur, Frymën e Re Demokratike. I

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›