Ministri Haxhinasto vizitë në Kanada

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto u nis sot për një vizitë zyrtare në Kanada, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kanadasë, John Baird. Në programin e kësaj vizite, veç takimit e bisedimeve me homologun e tij kanadez, janë parashikuar takime edhe me politikanë të tjerë të lartë kanadezë, si me Kryetarin e Senatit Noel Kinsella, Gerald Keddy, Sekretarin Parlamentar te Ministrit të Tregtisë Ndërkombëtare, me Kryetarin e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, Dean Allison dhe anëtaret të tjerë të këtij Komisioni, etj.
Gjatë takimeve me zyrtarët e lartë, do të diskutohet mbi marrëdhëniet e bashkëpunimin të deritanishëm midis të dy vendeve si dhe perspektiva e zhvillimit e intensifikimit të mëtejshëm të tyre. Qëllimi i vizitës është që krahas zhvillimit të marrëdhënieve të shkëlqyera politike, në kuadrin dy e shumëpalësh që ekzistojnë midis të dy vendeve, të nxitet bashkëpunimi sidomos në fushën e investimeve. Gjithashtu, do të diskutohet mbi nevojën e plotësimit të kuadrit ligjor të bashkëpunimit dypalësh me nënshkrimin në të ardhmen të marrëveshjeve në fushën ekonomiko-tregtare, si Marrëveshjeve për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Investimeve, Heqjen e Taksimit të Dyfishtë, bashkëpunimin në fushën e mjekësisë, Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore, Marrëveshjes për Transportin Detar e Ajror, etj. Po ashtu do të diskutohet mundësia e nxitjes përmes bashkëpunimit EDC (Economic Development Canada)-AIDA, të ardhjes së investitorëve të tjerë kanadez në Shqipëri.
Në programin e vizitës është parashikuar edhe nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë Shqiptare për Investim e Zhvillim) dhe Agjencisë Shtetërore të Mbrojtjes së Investimeve Kanadeze Jashtë.