E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne cdo pervoje me spitalet pacienti le nga pak lekure

Artistja amerikane Elisabeth M. Claffey prezanton në “Galerinë Miza” , ekspozitën e personale “Uniformat e spitalit”. Bazuar në kërkimin në spitalet amerikane ajo e përdor ankthi nga kanceri si një shkas për të kuptuar kontrollin që kanë institucionet e kujdesit shëndetësor ndaj trupit dhe mendjes njerëzore

Kur e ëma e Elizabet Klajfi-së u diagnostikua me kancer, bashkë me ankthin e asaj që do të ndodhte, nënë e bijë përjetuan në hapësirën e spitalit një gjendje pafuqie e dobësie njerëzore. Këtu nis kërkimi i Elizabetës që u bë vepër arti, të cilën ajo e prezanton përgjatë korrikut në galerinë “Miza” në Tiranë formën e instalacionit “Uniformat e spitalit” dhe të videos “Pritja”.

Nga ka nisur ky projekt Elizabet?
Nisa të punoja për këtë projekt kur punoja për diplomën më 2009. Mblidhja histori të pacientëve, e interesuar për përvojën e tyre vulnerabël kur ndodhen në spitale. Dalëngadalë po krijoja një ide që duhej të shprehte ndjesitë e tyre për pafuqinë njerëzore, atë gjendjen kur qenia si subjekt transformohet në objekt në një hapësirë artistike.

Ka histori personale kjo histori?
Gjithnjë ka një histori personale. Në vitin 2008 nëna ime u diagnostikua me kancer në pankreas. Kështu që u zhyta në hapësirën e spitalit dhe në historitë e pacienteve. Nisa të dokumentoj përvojat e grave me kancer gjiri. Kështu kam punuar për tre vjet, kemi kaluar shumë kohë në dhomat e pritjes. Për mua ishte me rëndësi të kapja gjurmë, shenja dhe trajta të veçanta të përvojës në institucion.
Në videon “Pritja” unë dëshmoj këtë përvojë të pacientes në pritje të mjekut. Edhe pse pacientja nuk e ka marrë diagnozën, sjellja tregon tension dhe izolim. Boll të shohësh sjelljes e një trupi në atë hapësirë që të të shkaktojë ndjenjën e ankthit dhe të atij transformimi që ndodh te njeriu në një vend të tillë.

Në përparëset e instalacionit “Uniformat e spitali” keni stampuar në një prerje gjysma trupash mashkullorë e femërorë. Nuk ndryshon sjellja e tyre përballë sëmundjes?
Në gjendjen tonë normale duket se ne të gjithë jemi të njëjtë. Jashtë kësaj gjendjeje, në momentin kur diagnostikohemi dhe shikojmë brenda vetes sonë, atëherë bëhemi të përveçëm. Midis trupave të burrit dhe gruas shtrihet një spektër i gjerë, sepse përballë historive gjenetike përvoja e çdo trupi është e ndryshme. Kjo përbën një nga çështjet e interesit tim në këtë kërkim.
Kur dikush fillon ta shpreh historinë e tij personale atëherë ai është në gjendje që t’i përqaset historisë universale dhe them se kjo është vërtet e rëndësishme për raportet njerëzore, për të krijuar komunitete të qëndrueshme dhe për të kuptuar kryqëzimet e kulturave. Dhe veçanërisht kur është fjala tek gratë historitë e tyre janë vërtet të anashkaluara. Prandaj nisur nga historia ime personale si grua unë shkova te ky rrëfim më total për gratë.

Çfarë të rezultoi për raportin institucion-indvid, në këtë rast midis spitalit dhe pacientit? E kontrollojnë së tepëmi institucionet trupin dhe mendjen tonë?
Kontrolli mbi trupin dhe mendjen është me rëndësi nisur nga perspektiva e pacientit, por edhe nga perspektiva e mjekut dhe infermierëve, sepse edhe këta e vuajnë raportin me institucionin, ngaqë ekziston një lloj paradoksi me spitalet: duket sikur ato janë krijuar për të na mbrojtur fizikisht, ndërsa emocionalisht nuk ia mbërrijnë qëllimit.

Nëna e Elizabetës i mbijetoi sëmundjes por kërkimi i artistes nga Idaho është shtrirë tanimë jashtë Amerikës mbi gjendjes e gruas, mëmësisë dhe të drejtat mbi liritë e saj.

Çfarë do të bësh me kërkimet në spitalet, burgjet dhe maternitetet në Tiranë?
Kam mbledhur material që besoj se do ta tregoj në dy vitet e ardhshme. Më është dashur kohë që të fitoj besimin e grave për të treguar historitë e tyre.
Uë nuk kam studiuar antropolgji dhe por në artin tim ngjizen interesat antropologjike. Kam studiuar arte të bukura dhe mësimdhënia është tashmë pjesë e përvojës sime. Fotografia është në bazë të artit tim, por interesat e mia janë më të gjera, drejt politikës, sociologjisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›